- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Interpretuesit ujgurë të muzikës elektronike në Evropë ndërgjegjësojnë publikun për identitetin e tyre

Kategoritë: Europa Perëndimore, Franca, Kina, Art e Kulturë, Kombësia e Raca, Media e qytetarëve, Migrimi e emigracioni, Muzika, Të drejtat e njeriut

Foto nga kanali i YouTube i NONE SOUNDS [1]  me dy DJ që luajnë muzikë elektronike.

Kultura ujgure mbetet kryesisht e papërfaqësuar dhe pak e njohur jashtë shtetit. Një nga vendet e pakta për dukshmërinë e saj globale është muzika, diçka që dy interpretues të rinj ujgurë të muzikës elektronike po shfrytëzojnë për të rritur ndërgjegjësimin për kulturën e tyre ndërsa jetojnë në mërgim.

Kultura ujgure, e rrënjosur në udhëkryqin e historisë turke dhe persiane në Azinë Qendrore, ka një traditë të pasur muzikore [2] që përfshin muzikën klasike si muqamin [3], folklorin dhe muzikën pop. Muzika u bë gjithashtu një nga përfaqësimet e vetme të identitetit ujgur përmes prizmit kolonial në Kinë, ku shumica e ujgurëve jetojnë sot, dhe ku, pikësëpari ishte diçka ekzotike, muzika e tyre dhe kultura e përgjithshme tani po çrrënjoset ose përvetësohet [4] nga kultura kryesore kineze.

Shumë ujgurë, përfshirë artistë, kanë lënë vendlindjen e tyre thjesht për t'i shpëtuar burgut, torturës dhe vdekjes, por edhe për të qenë në gjendje të krijojnë dhe ringjallin kulturën e tyre jashtë Kinës. Midis shumë shkrimtarëve, stilistëve, piktorëve dhe muzikantëve që jetojnë në mërgim është dyshja NONE SOUNDS [5]; dy të rinj ujgurë që performojnë muzikë elektronike kryesisht në Evropën Perëndimore, ku jetojnë tani.

Global Voices i intervistoi ata përmes emailit për të dëgjuar historinë e tyre të artit, mërgimit dhe dukshmërisë.

Global Voices (GV): A mund të na tregoni për rrugëtimin tuaj në Evropë dhe si u bëtë interpretues të muzikës elektronike?

NONE SOUNDS (NS) Ne jemi të dy nga rajoni ujgur në Kinë, Aishan ka lindur në Ürümqi, kryeqyteti i Xinjiang dhe unë Erpan, kam lindur në Keriye, që ndodhet në rajonin Hotan). Ne filluam të luanim muzikë elektronike së bashku në 2014 në Shangai. Më pas, në vitin 2015, Aishan u largua nga Kina dhe u transferua në Spanjë. Më duhej të prisja deri në vitin 2016 para se të isha në gjendje të plotësoja të gjitha dokumentet për t'u larguar nga Kina, më pas vendosa të shkoj në Japoni për t'u rritur si artistikisht ashtu edhe teknikisht. Pasi kaluam dy vjet të ndarë, më në fund arritëm të fillonim udhëtimin tonë në Evropë si NONE SOUNDS në shtator 2018 duke performuar në një Festival Rave në Qipro. Në atë kohë ne e kuptuam tashmë se muzika elektronike ishte mënyra më e mirë për të shprehur vizionin tonë për “Muzikën e së ardhmes”. Ne të dy vijmë nga skena e muzikës rock, kështu që ne jemi më shumë si një grup elektronik sesa DJ dhe besojmë se shumë grupe në të ardhmen do të evoluojnë përfundimisht në grupe elektronike.

Foto nga NONE SOUNDS Facebook page [6] ku njoftojnë koncertin në Rennes.

GV: Cili është frymëzimi për muzikën tuaj? Cilat janë ndikimet tuaja? Cilat kanë qenë sukseset tuaja më të mëdha deri më tani si artistë?
NS: Si muzikantë ne i duam të gjitha llojet e muzikës, na pëlqen gjithashtu të mësojmë dhe hulumtojmë tinguj nga e gjithë bota. Frymëzimi për ne vjen nga përvojat tona të cilat më pas i përkthejmë në muzikë. Si ujgurë, ne e duam kulturën dhe muzikën tonë; është në gjakun tonë dhe ne jemi shumë mirënjohës për urtësinë e të parëve tanë dhe muzikën e çmuar që ata lanë pas. Ne mendojmë se po përmbushim edhe misionin për të lënë gjurmët tona për brezat e ardhshëm. Ne e shohim suksesin tonë më të madh si aftësinë për të përfaqësuar ujgurët modernë dhe për të ndarë muzikën dhe kulturën tonë me botën. Në dhjetor 2022 do të kemi një mundësi të shkëlqyer për të ndarë muzikën tonë në Transmusicales të 44-të [7] në Rennes [një nga festivalet muzikore më prestigjioze të Francës]  dhe në të gjithë botën përmes publikimit tonë të parë zyrtar EP. Kjo na bën të ndihemi shumë të nderuar dhe të përulur që jemi ujgurët e parë në historinë e këtij festivali madhështor dhe të vlerësojmë shumë që më në fund marrim të njëjtin respekt si artistët e tjerë, jo sepse jemi ujgurë, por thjesht sepse jemi artistë.
GV: A e dinë fansat tuaj për identitetin tuaj ujgur? A është kjo diçka që ju përmendni kur performoni?
NS: Ujgurët kanë një histori të gjatë, shumë më të gjatë se shumica e feve. Paraardhësit tanë kanë kontribuar në qytetërimet botërore, si dhe në kombe të tjera të lashta dhe të mëdha. Ne jemi krenarë për trashëgiminë dhe kulturën tonë të pasur, sepse ajo përmban kristalizimin e shumë kulturave gjatë shumë shekujve. Ne e identifikojmë veten si një dyshe analoge ujgure, misioni i të cilëve është të krijojë muzikë për brezat e ardhshëm, diçka ndryshe e cila gjithashtu do të stimulojë fansat të zbulojnë dhe të mësojnë rreth ujgurëve; në fund të fundit, kjo është edhe arsyeja pse ne jemi kaq krenarë që e bëjmë këtë.
GV:Pse muzika është kaq thelbësore në dukshmërinë e kulturës ujgure dhe njohjen e instrumentalizimit të saj nga Pekini?
NS:Ne besojmë se në pjesën më të madhe, njerëzit mund të krijojnë art vetëm kur kushtet janë të përshtatshme; kur ka paqe dhe rehati dhe ju mund të shihni qartë se ujgurët janë një popull paqësor, miqësor dhe mikpritës duke parë veprat e mahnitshme të artit që na kanë lënë paraardhësit tanë, të cilat janë gjithashtu një dëshmi e shpirtit dhe gëzimit të tyre. Kjo është gjithashtu arsyeja pse muzika jonë, kërcimi dhe mënyra se si ne shprehemi janë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë… Fatkeqësisht në historinë moderne, ne jemi shtypur dhe larguar nga trashëgimia jonë. Propaganda është përdorur kundër nesh dhe e ka vënë popullin tonë në një dritë negative. Në ditët e sotme Kina po përdor kërcimin dhe muzikën tonë për të mbuluar agresionin e saj, duke e bërë të duket sikur po jetojmë në lumturi dhe mirënjohje për Kinën. Ne jemi këtu për të rikthyer veten në momentin e vërtetë krijues dhe për t'i treguar botës të vërtetën për ujgurët sot. Ne duam t'i tregojmë botës së lirë ujgurët e vërtetë dhe artin dhe muzikën tonë të vërtetë dhe të rivendosim imazhin ujgur në botë. Ne jemi ujgurë, jemi qenie njerëzore dhe qytetarë të botës moderne dhe meritojmë të trajtohemi si të tillë.

Gjeni një listë në Spotify me një shumëllojshmëri të muzikës nga NONE SOUNDS këtu [8].