- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Stafi i gazetës serbe Danas kërcënohet me sulm të stilit Charlie Hebdo

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Serbia, Aktivizmi dixhital, Censura, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, GV Advocacy
[1]

Një kopje e gazetës së përditshme serbe Danas mbi të përjavshmen periodike Nedeljnik me një artikull të kryeredaktorit të Danas Dragoljub Draža Petrović të titulluar “Ditari nga Charlie Hebdo i Beogradit”. Foto nga Filip Stojanovski (CC BY 3.0 [2]).

Ky artikull bazohet në një shkrim [3] të IFEX, për një deklaratë [4] nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), botuar fillimisht nën një Licencë Ndërkombëtare Creative Commons Attribution-NonCommercial-NoDerivatives 4.0 [5].

Autoritetet serbe duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë mbi kërcënimet e bëra ndaj stafit të gazetës së përditshme private Danas, t'i nxjerrin autorët para drejtësisë dhe të garantojnë sigurinë e gazetarëve, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në një deklaratë [4] të lëshuar më 9 nëntor 2022.

Të dielën, më 6 nëntor, një person i panjohur nga një adresë emaili me emrin “llogari kërcënuese” i dërgoi një mesazh me temën “Charlie Hebdo i Beogradit” Dragoljub Petrović, kryeredaktor i gazetës Danas, duke kërcënuar gazetarët, redaktorët dhe editorialistët me “breshëri plumbash” për shkak të politikës editoriale, sipas Danas [6], transmetuesi i financuar nga Kongresi i SHBA Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty [7] dhe Ana Bellotti Družijanić, drejtuese e zhvillimit dixhital të Danas, e cila komunikoi me CPJ me email.

Në janar 2015, të armatosur rëndë dhe me kapuç disa persona sulmuan zyrën e revistës satirike Charlie Hebdo [8] në Paris, duke plagosur 11 persona dhe duke vrarë 12 të tjerë, përfshirë tetë gazetarë [9].

Individi përmendi mbulimin e gazetës për Kosovën, Malin e Zi dhe Republikën Srpska (një nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës), vende që dikur i përkisnin ish-Jugosllavisë, sipas këtyre raporteve dhe emailit [10], i cili u publikua nga faqja e lajmeve Cenzolovka. Emaili listonte gjithashtu gazetarë dhe editorialistë të veçantë që punonin për Danas (Snežana Čongradin, Aleksej Kišjuhas, Nenad Kulačin, Teofil Pançiq, Nikola Samardžić, Marko Vidojković) dhe dy gazetarë — editorialisti në Bosnje Dragan Bursać dhe drejtuesi serb radiofonik Daško Milinovi , që nuk kanë anëtarë të stafit të Danas. Emaili i quajti këta gazetarë “armiq të popullit serb” dhe “tradhtarë”. Në vitin 2021, Bursać [11] mori një kërcënim me vdekje dhe dy burra të paidentifikuar përdorën sprej me piper ndaj Milinović [12] ndërsa ai po shkonte në punë.

Zyra e prokurorit në Beograd urdhëroi një hetim, policia premtoi të shtonte patrullat përreth redaksisë dhe policia u kërkoi gazetarëve të telefononin nëse vërejnë ndonjë gjë të dyshimtë, raportoi Danas [6].

“Është një zhvillim i mirëpritur që autoritetet në Serbi reaguan shpejt ndaj kërcënimeve të bëra nga një individ i panjohur ndaj personelit të gazetës së përditshme Danas dhe shtuan patrullimet në redaksi”, tha Attila Mong, përfaqësuesi i CPJ-së për Evropën. “Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e gazetarëve që punojnë atje, që rasti të hetohet tërësisht dhe që kërcënimet ndaj shtypit të mos mbeten pa u ndëshkuar”.

Bojan Cvejić, kryeredaktor i faqes së internetit të Danas, tha në një intervistë [6] se ata që nuk ndihen të sigurt mund të punojnë nga shtëpia. Ai tha gjithashtu se gazetarët e gazetës shpesh marrin mesazhe kërcënuese, por ky email është dërguar nga dikush që është i njohur me punën e tyre.

Në prill 2022, stafi i Danas mori një sërë kërcënimesh me vdekje [13] nëpërmjet emailit, aplikacionit të mesazheve dhe komenteve në faqet e tyre të mediave sociale si nga llogaritë anonime ashtu edhe nga ato me emër. Mesazhet i referoheshin një citimi nga Mahatma Gandhi që Danas e kishte publikuar në Instagram, ku shkruhej “E vërteta, jo Zoti”. Mesazhet pretendonin se citati i Gandit ishte një fyerje për të krishterët përpara Pashkëve Ortodokse më 24 Prill.

CPJ i dërgoi pyetje departamentit të shtypit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, e cila mbikëqyr policinë, por nuk mori asnjë përgjigje.

Më 11 nëntor, Danas publikoi një intervistë [14] të shkurtër me Gérard Biard [15], kryeredaktorin e gazetës satirike franceze Charlie Hebdo, i cili shprehu mbështetjen e ekipit për kolegët e tyre serbë dhe vuri në dukje se “kërcënimet me vdekje janë si shantazh. Nëse i dorëzohesh, atëherë ata nuk ndalen kurrë, ata do të vazhdojnë të rrisin çmimin që ju duhet të paguani.”

Fondacioni Slavko Ćuruvija tha [16] se si pjesë e përpjekjeve për të zbuluar se kush e ka bërë kërcënimin, Zyra e Prokurorit ka kërkuar ndihmë urgjente nga autoritetet në Zvicër, vendi bazë i Proton Mail, i cili është përdorur për të dërguar kërcënimin. Prokurori special për krimet e teknologjisë së lartë Branko Stamenkoviç u citua të thoshte se ky kërcënim “devijon ndjeshëm nga kërcënimet standarde”.

Në një artikull në numrin e 17 nëntorit të së përjavshmes serbe Nedeljnik, të titulluar “Ditari nga Charlie Hebdo i Beogradit”, Dragoljub Petroviq, kryeredaktori i Danas, shkroi [17] se Ministria e Brendshme vuri një “patrullë të përhershme policore” para ambienteve të redaksisë së Danasit në ditën e katërt pas marrjes së kërcënimit.

Organizatat e gazetarëve, duke përfshirë Koalicionin për Lirinë e Medias [18], Gazetarët e Sigurt [19] dhe Shoqatën e Gazetarëve të Serbisë (UNS) [20] si dhe Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit të Serbisë [21], dënuan kërcënimin dhe u bënë thirrje policisë dhe prokurorëve që të identifikojnë autorin e e-mailit.