- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Me pushtimin rus të Ukrainës që nuk ka gjasa të ndalet së shpejti, kazakët fokusohen te gjuha e tyre

Kategoritë: Azia Qendrore e Kaukazi, Kazakistani, Rusia, Aktivizmi dixhital, Gjuha, Kombësia e Raca, Lufta e konflikti, Media e qytetarëve, Migrimi e emigracioni

Shenja dygjuhëshe, në gjuhën kazake dhe ruse, në seksionin e mishit të Pazarit të Gjelbër (Көк базар) në Almaty, Kazakistan. Foto nga Sara Yeomans [1] nga Flickr (CC BY 2.0 [2])

Në fund të tetorit, teksa Kazakistani po përpiqej dëshpërimisht të përballej me pasojat sociale dhe ekonomike të ikjes së madhe të qytetarëve rusë, kryesisht të rinj, duke i shpëtuar “mobilizimeve të pjesshme [3]” të shpallura nga presidenti rus Vladimir Putin më 21 shtator 2022, një koment në gjuhën kazake nga një biznesmen i njohur shkaktoi zemërim në mediat sociale në Kazakistan. Më 19 tetor, në një takim orientues me shtetas rusë të sapoardhur në Kazakistan, Ramil Mukhoryapov, një manjat i tregtisë elektronike i listuar në mesin e 50 biznesmenëve [4] më me ndikim nga Forbes Kazakistan, e ndërpreu folësin, i cili po shpjegonte veçoritë gjuhësore të vendit, për të thënë se të kuptosh gjuhën ruse, por të preferosh të përgjigjesh në atë kazake, është shenjë e nacionalizmit dhe mungesës së kulturës.

Sapo video [5] nga takimi u përhap në mediat sociale, deklaratat e tij shkaktuan zemërim publik, nxitje për të bojkotuar shërbimet e kompanive të tij dhe për të ndërmarrë veprime ligjore. Fillimisht, ai u përgjigj duke postuar një sondazh në llogarinë e tij në Instagram, nëse përgjigjja në gjuhën kazake për “një mysafir nga Rusia” është në përputhje me “traditat e mikpritjes kazake”, duke krahasuar, ndërkohë, fluturimin aktual rus nga mobilizimi me deportimin e detyruar të çeçenëve dhe ingushëve [6] nga Stalini në 1944, por shpejt u dorëzua dhe publikoi një video ku kërkonte falje në gjuhën kazake. Siç rezultoi, për më shumë se 10 vjet, shërbimet në internet dhe aplikacionet celulare të Chocofamily nuk kishin versione plotësisht funksionale [7] në gjuhën kazake, kështu që kompania nisi me nxitim reagimet në gjuhën kazake dhe u zotua të nisë shërbime të plota kazake deri në fund të vitit.

Megjithatë, ky nuk ishte rasti i parë i acarimit të publikut drejtuar ndaj kompanive të grupit Chocofamily, sipërmarrja e 6-të me rritje më të shpejtë [8] në vend. Në vitin 2017, dega e agjencisë së udhëtimeve në internet të grupit lançoi një reklamë [9] që prezantonte një grup grash të veshur vetëm me shami dhe kapele të stjuardesës. Në zhargon, fjala ruse për kapele anësore (пилотка) përdoret gjithashtu për organet gjenitale femërore. Në atë kohë, publiku protestoi [10] kundër reklamës së tyre seksiste që objektivizonte gratë, gjë që çoi përkohësisht në një rënie të vlerësimit të shërbimit, por kompania nuk e tërhoqi reklamën.

Ndërkohë, kanalet lokale në Telegram shpërndanë pamjet [11] e mediave sociale të Mukhoryapov nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe filloi luftën pasuese, ku ai lavdëron presidentin rus Putin dhe mirëpret ndërhyrjen ruse në rast se “disa islamikë radikalë organizojnë Maidan [12] këtu”. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, ai ka postuar komente kundër pushtimit aktual rus të Ukrainës. Sa i përket komenteve të tij të fundit, një grup prej njëzet anëtarësh [13] të dhomës së ulët të parlamentit të Kazakistanit iu drejtuan prokurorit të përgjithshëm për të vlerësuar fjalimin e tij dhe departamenti i policisë nisi një çështje penale [14] kundër tij për nxitje të grindjeve sociale.

Katedralja Ortodokse Ruse  në Parkun Panfilov, Almati, Kazakistan. Foto nga Sara Yeomans [15] nga Flickr (CC BY 2.0 [2])

Ky debat publik u ndez vetëm disa ditë pasi presidenti kazak Kassym-Jomart Tokayev propozoi krijimin e një organizate ndërkombëtare për të mbështetur dhe promovuar gjuhën ruse në samitin jozyrtar të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS) në Shën Peterburg, Rusi, më 7 tetor, që përkon me ditëlindjen e 70-të të Putinit. Kjo “dhuratë” bujare e presidentit kazak, e cila u shpërnda me krenari nga të gjitha mediat kryesore ruse [16], u fsheh nga zyra e shtypit e presidentit kazak, por menjëherë ngjalli zemërim në vend. Në të vërtetë, zelli i presidentit kazak për të mbështetur një nga gjuhët zyrtare të Kombeve të Bashkuara (OKB), që ka një status zyrtar në disa vende dhe që flitet nga rreth 220 milionë njerëz [17], dukej disi i parëndësishëm.

Gjesti i pandjeshëm i Tokayevit erdhi në një kohë kur Kazakistani, sovraniteti, integriteti territorial dhe kultura e tij po ngacmohen hapur dhe sistematikisht nga politikanët dhe personalitetet e medias ruse. Vetëm në gusht 2022, ish-presidenti rus dhe zëvendëskryetari aktual i Këshillit të Sigurimit Dmitry Medvedev e përshkroi Kazakistanin si “një shtet artificial, ish territor rus [18]“, akuzoi Kazakistanin për kryerjen e gjenocidit kundër rusëve etnikë dhe deklaroi se nuk do të kishte qetësi, nëse rusët nuk shkojnë atje. Çuditërisht, ndihmësi i Medvedev më vonë pretendoi se ky postim i veçantë në VKontakte ishte modifikuar disi nga një haker [19].

Sa i përket Tokajevit, pas një heshtjeje njëjavore, ai shqiptoi një argument mjaft jo bindës për krijimin e një organizate për promovimin e gjuhës ruse, e cila qëndronte në synimin “për të krijuar një organizatë ndërkombëtare në imazhin e OKB-së [20] duke përdorur përvojën pozitive të frankofonisë”. Më vonë, pas pakënaqësisë në rritje, veçanërisht në mediat sociale në gjuhën kazake, për përpjekjet e tij për të promovuar rusishten në vend të gjuhës kazake, përgjigja e tij ishte mjaft e zymtë [21]:

Сфера применения казахского языка с каждым годом расширяется. Поэтому оснований для беспокойства нет. Недопустимо использовать казахский язык для политических игр. Такого рода ошибки привели к печальным последствиям в некоторых странах.

Sfera e përdorimit të gjuhës kazake zgjerohet çdo vit. Prandaj, nuk ka vend për shqetësime. Është e papranueshme përfshirja e gjuhës kazake në lojërat politike. Këto lloj gabimesh çuan në pasoja tragjike në disa vende.

Megjithatë, me fillimin e pushtimit të përgjakshëm rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe me rritjen e armiqësisë dhe ekspansionizmit të retorikës zyrtare ruse në lidhje me ish-shtetet sovjetike, në veçanti Kazakistanin, ishte gjuha kazake ajo që papritur u gjend në udhëkryqin e përkatësive politike. Duket se është lufta e Putinit në Ukrainë ajo që ka shtyrë shumë kazakë të përqafojnë gjuhën kazake dhe në disa raste, të fillojnë ta rimësojnë atë. Kjo ndjenjë, për shembull, e nxiti Azamat Junisbai, “një kazak në moshë të mesme” dhe një profesor universitetar në Kaliforni, gjuha kryesore e të cilit është rusishtja, të regjistrohej [22] në kurse të gjuhës kazake këtë vjeshtë.

Siç zbuloi Zarina Baimussina, redaktore dhe përkthyese e shtëpisë botuese në gjuhën kazake, e cila ka drejtuar një klub të gjuhës kazake për një vit e gjysmë, në një intervistë [23] të fundit:

Путин соғыс ашқан соң клубқа келетін адамдар саны артты. Мобилизациядан соң қазақ тілін үйренуге ресейліктер де келді. Қазір тілімізді үйреніп, қазақтың салт-дәстүрімен танысып жүр.

Pasi Putini filloi luftën, numri i pjesëmarrësve në klub u rrit. Pas mobilizimit filluan të vijnë edhe shtetas rusë për të mësuar gjuhën kazake. Tani ata po mësojnë gjuhën tonë dhe po njihen me zakonet dhe traditat tona.

Klubet e gjuhës kazake janë themeluar dhe drejtuar jo vetëm nga kazakë etnikë ose specialistë të gjuhës, por edhe nga rusë etnikë. Njëri prej tyre, “Batyl bol [24]” (Bëhu i guximshëm) funksionon në dhjetë qytete të ndryshme të Kazakistanit. Themeluesi i saj Alexei Skalozubov [25] pranon gjithashtu se në punën e tij kryesore si menaxher shitjesh ai filloi të ndjente nevojën në rritje për të folur gjuhën kazake.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Батыл бол! Алматы. Бесплатный разговорный клуб казахского языка (@batylbol_almaty) [26]

Ndërkohë, teksa debatet e nxehta rreth gjuhës kazake duket se po zbehen ngadalë, qeveria inicioi një projektligj që përcakton se mungesa e njohurive të gjuhës kazake [27] mund të konsiderohet ndër arsyetimet për mohimin e natyralizimit ose rivendosjen e shtetësisë kazake. Është interesante se kjo nismë u propozua vetëm disa ditë pasi Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) zbuloi se vetëm midis korrikut dhe shtatorit, 1.3 milionë njerëz [28] udhëtuan nga Rusia në Kazakistan.