- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Autorja e “Rrëfenja e shërbëtores” Margaret Atwood ironizon sanksionet ruse, tallet me ndalimin e udhëtimit

Kategoritë: Amerika e Veriut, Europa Lindore e Qendrore, Kanadaja, Rusia, SHBA, Ukraina, Art e Kulturë, Letërsia, Liria e fjalës, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e qytetarëve, Politika, Të drejtat e njeriut, Russia invades Ukraine
[1]

Kopertina e një botimi maqedonas të “Rrëfenja e shërbëtores” nga Bagemot [2], dhe një fotografi [3] e Margaret Atwood nga Larry D. Moore nëpërmjet Wikipedia, CC BY-SA 4.0. 

Ky artikull bazohet në raportimin origjinal të Meta.mk [4]. Një version i redaktuar është ribotuar këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Poetja dhe shkrimtarja kanadeze Margaret Atwood iu bashkua aktorit të Hollivudit Jim Carrey në talljen e ndalimit të udhëtimit në Rusi të vendosur ndaj tyre së bashku me 98 kanadezë të tjerë.

Më 14 nëntor, Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse publikoi [5] një listë me njëqind qytetarë kanadezë me “sanksione personale” si një akt hakmarrjeje për raundin e fundit [6] të sanksioneve të paraqitura nga Kanadaja për 32 persona të lidhur me regjimin e Putinit. Kanadezët në listën e zezë përfshijnë zyrtarë shtetërorë, analistë politikë, gazetarë, anëtarë të organizatave të lidhura me diasporën ukrainase si dhe artistë si Atwood dhe Carrey.

Ministria e Jashtme ruse njoftoi se sanksionet e fundit, që përbëjnë një ndalim të hyrjes në Rusi, janë një “përgjigje reciproke ndaj vendosjes së vazhdueshme të sanksioneve nga regjimi i udhëhequr nga kryeministri Justin Trudeau ndaj udhëheqjes ruse, politikanëve dhe parlamentarëve, biznesit, analistëve dhe gazetarëve dhe figurave kulturore, si dhe këdo që autoritetet rusofobike kanadeze e konsiderojnë të pakëndshëm.” Radio Evropa e Lirë vuri në dukje [7] se “tashmë janë 1,005 qytetarë dhe kompani kanadeze në listën e sanksioneve të Rusisë”.

Shkrimtarja dhe poetja Margaret Atwood (82) ka botuar 18 romane, 18 libra me poezi dhe 11 libra jofiction. Ajo është fituese e çmimeve të shumta, duke përfshirë dy çmime Booker dhe Kurorës së Artë të Mbrëmjeve të Poezisë Strugë [8]2016 [9], (që është ndoshta festivali [10] më i vjetër ndërkombëtar i poezisë, që mbahet çdo vit në Maqedoninë e Veriut).

Atwood ishte tashmë e famshme në botë kur seriali televiziv Netflix [11] i bazuar në librin [12] e saj fantastiko-shkencor distopian “Handmaid's Tale” (Rrëfenja e shërbëtores), i cili u nominua për Nebula [13] në 1986, rriti famën e saj. Ajo është shpesh ndër kandidatet për çmimin Nobel për letërsi.

Jessie Gaynor, redaktore e Literary Hub, mendon [14] se “mëkati” që bëri që Kremlini të vendoste Atwood në listën e fundit të sanksioneve ishte nënshkrimi i Letrës së Hapur [15] nga PEN International,  nënshkruar nga mbi 1000 shkrimtarë në mbarë botën, duke përfshirë disa fitues të çmimit Nobel [16], duke shprehur solidaritet me shkrimtarët, gazetarët, artistët dhe popullin e Ukrainës, duke dënuar pushtimin rus dhe duke bërë thirrje për një fund të menjëhershëm të gjakderdhjes.

Atwood ka qenë kritike e hapur e të gjitha llojeve të tiranisë si përmes veprave të saj ashtu edhe paraqitjeve publike [17] dhe gjatë vitit të kaluar ajo ka qenë e vendosur në adresimin e dështimeve të propagandës së Putinit.

Aktori Jim Carrey dyshohet se u sanksionua nga Rusia për postimin [18] e një rekomandimi për një film dokumentar për liderin e opozitës ruse Alexey Navalny.

Në dokumentin “Navalny” të Daniel Roher, një burrë trim dhe familja e tij ngrihen kundër së keqes së patolerueshme. Vetë Navalny ekspozon car Putinin dhe miqtë e tij të pashpirt në komplotin e tyre djallëzor për ta helmuar atë, për të shtypur të vërtetën dhe për të frikësuar popullin rus.

Pas shpalljes së sanksioneve ruse kundër tyre, Atwood dhe Carrey dolën në Twitter duke dhënë reagime ironike. Së pari Atwood shkroi në Twitter [21]:

Bo bo! Jim Carrey dhe unë kishim planifikuar të shkonim në fundjavë në Moskë. Mendoj se në vend të kësaj do të duhet të jetë Kievi

Si përgjigje [25], aktori i komedisë Carry gjithashtu u ankua me tallje për ndalimin e udhëtimit, duke përfunduar me një citim klishe nga drama klasike romantike Casablanca [26]: “Ne do ta kemi gjithmonë Parisin. Ja po të shikoj.”

Po Margaret Atwood, kam frikë se më e keqja ka ndodhur. Ne jemi të ndaluar nga Rusia…por problemet e 100 kanadezëve nuk kanë vlerë në këtë botë të çmendur! Ne do ta kemi gjithmonë Parisin.

Analistja politike dhe blogerja me origjinë ukrainase Ariana Gic, e cila u vendos në vendin e 97-të të listës së re të sanksioneve ruse, një pozicion përpara Atwood-it gjithashtu postoi në Twitter [30] një koment mbi situatën:

“Është zyrtare. Unë jam sanksionuar nga Rusia. Moska është vërtet mashtruese kur mendon se sanksionet e saj kanë rëndësi për ata prej nesh që duan që regjimi i tyre i mbrapshtë të shkatërrohet.”

Kanadaja vuri sanksionet për Rusinë [31] më 17 mars 2014, përmes ndryshimeve të Aktit të Masave Speciale Ekonomike [32], “për t'ju përgjigjur ashpërsisë së shkeljes së Rusisë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut që janë bërë në Rusi”.

Këto sanksione kanadeze përfshijnë ngrirjen e aseteve, kufizimet e eksportit dhe importit dhe ndalimet financiare. Lista, e cila është përditësuar [33] me ndryshime të reja gjatë 8 viteve të fundit, përfshin mbi 1090 individë dhe persona juridikë, mes tyre 32 anëtarë [6] të rinj u shtuan më 10 nëntor.