Gazetarët boshnjakë kërkojnë drejtësi për kolegun që u kërcënua e sulmua nga tifozët huliganë

Protestë e gazetarëve para parlamentit në Sarajevë, 30 Shtator 2019. Foto nga Dženan Kriještorac, për RadioSarajevo.ba, e përdorur me leje.

Një grup huliganësh që u prezantuan si “tifozë të klubit të futbollit Sarajevo” rrethuan redaksinë e portalit RadioSarajevo.ba në kryeqytetin e Bosnje-Herzegovinës (BH) gjatë orëve të vona të 27 shtatorit 2019. Duke e kërcënuar me vdekje dhe sulm ndaj familjes e tij, ata e detyruan një punonjës të fshinte një lajm që njoftonte se një anëtar i grupit të tyre ishte dënuar me pesë vjet burg në Bjellorusi për posedim të kokainës.

Duke krijiuar një situate de fakto pengmarrjeje që zgjati 2.5 orë, huliganët detyruan gjithashtu gazetarin Almir Sokolović “të marrë portalet e tjera dhe gazetat dhe t'u kërkojë atyre që të heqin artikullin”. Policia ndërhyri dhe arrestoi dy anëtarë të grupit me akuzën e kërcënimit të sigurisë së gazetarëve dhe redaktorëve të Radio Sarajevës.

Grupet e tifozëve të sportit të quajtur ultras kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendeve të Ballkanit për shkak të potencialit të tyre mobilizues përmes shoqërimit me klube popullore.

Media në shënjestër ribotoi artikullin për të cilin kërkohej të censurohej dhe alarmoi publikun për situatën, duke theksuar se ky incident është vetëm një shembull i atmosferës së presionit ndaj mediave të lira nga qendrat e ndryshme të pushtetit. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias dhe Reporterët pa Kufij e dënuan sulmin, me shoqatën lokale Gazetarët BH, anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, që kërkoi sanksione të ashpra për sulmuesit.

Rreth 50 gazetarë dhe punonjës të tjerë të mediave protestuan duke ecur drejt parlamentit në Sarajevë më 30 shtator, duke u bërë thirrje autoriteteve të garantojnë që gazetarët të mund të punojnë në kushte të sigurta pa pasur frikë nga sulmet.

Protestë e gazetarëve para parlamentit në Sarajevë, 30 Shtator 2019. Foto nga Dženan Kriještorac, për RadioSarajevo.ba, e përdorur me leje.

Global Voices bisedoi me Faruk Vele, anëtar i ekipit editorial të RadioSarajevo.ba, për pasojat e incidentit. Ai shpjegoi se ata e konsiderojnë incidentin si “sulm të pacipë dhe të papranueshëm në redaksinë e tyre dhe që rrezikon sigurinë e kolegëve tanë dhe anëtarëve të familjeve të tyre”.

Sulmet nga huliganët – sipas mendimit tonë – janë një metodë e re për disiplinimin e gazetarëve dhe redaksitë e lajmeve, dhe ne jemi vendosmërisht kundër kësaj metode. Ne u jemi mirënjohës të gjithë kolegëve nga Bosnja dhe Hercegovina, rajoni i Ballkanit dhe e gjithë bota që i njohën këto rreziqe dhe ofruan mbështetje për ekipin tonë. Këto përfshinin Reporterët pa Kufij, shoqatat e brendshme të gazetarëve dhe qëndrimet individuale… Jemi inkurajuar nga fakti që policia e Sarajevës ndërhyri dhe identifikoi shpejt autorët e krimit. Sidoqoftë, ndryshe nga ky rast, në shumë raste të ngjashme në Bosnjë dhe Hercegovinë policia nuk arriti të reagojë ndaj sulmeve ndaj gazetarëve shpejt dhe profesionalisht. Kishte incidente, për shembull në Mostar, kur disa policë mbështetën sulmet ndaj gazetarëve.

Incidenti i përmendur në Mostar (një qytet në jug të Bosnjes dhe Hercegovinës) ndodhi më 5 qershor, pas një shpërthimi bombe. Pronarët e vendit që u ishte në shënjestër të sulmit me bombë sulmuan tre fotoreporterë që shkuan në vendin e ngjarjes dhe përmes kërcënimeve serioze detyruan gazetaren Meliha Smajkić nga gazeta Dnevni Avaz të fshijë materialin e regjistruar me telefonin e saj. Dy oficerë policie që ndodheshin në skenën e krimit nuk i ndihmuan reporterët dhe një polic tjetër përdori “gjuhë përçmuese dhe fyese” në komentet në internet për të sulmuar gazetaren dhe profesionin e saj. Dega lokele e Ministrisë së Brendshme nisi marrjen e masave disiplinore ndaj tre policëve.

Rasti i sulmit ndaj RadioSarajevo.ba aktualisht po shqyrtohet nga Prokuroria e Kantonit të Sarajevës dhe pritet gjykimi. Të dyshuarit janë liruar me kusht.

Gazetarët shpresojnë që gjyqësori boshnjak më në fund do të fillojë të trajtojë sistematikisht çështjen e sigurisë së tyre. Kohët e fundit Gjykata Komunale në qytetin Visoko miratoi dënimin me kusht prej dy muajsh burg ndaj djalit të një gjenerali lokal i cili kërcënoi një gazetar televiziv përmes mesazheve dhe telefonatave nga aplikacioni Viber. Në njoftimin e tyre të 14 nëntorit, Shoqata e gazetarëve të BH e cilësoi atë si një indikator se “institucionet e zbatimit të ligjit më në fund filluan t'i marrin seriozisht këto çështje, dhe se dënime të tilla do të shërbenin si paralajmërim për të gjithë sulmuesit e mundshëm të punonjësve të mediave”.

Faruk Vele në protestën e gazetarëve para parlamentit në Sarajevë, 30 Shtator 2019. Foto nga Dženan Kriještorac, për RadioSarajevo.ba, e përdorur me leje.

 

Faruk Vele, anëtar i ekipit editorial të RadioSarajevo.ba, sqaroi në një komunikim për Global Voices se kushtet e punës për gazetarët në Bosnje dhe Hercegovinë po vështirësohen dhe për të përmirësuar situatën, shoqëria boshnjake në tërësi duhet të dërgojë një mesazh se kush sulmon gazetarët dhe familjet e tyre e rrezikon lirinë e shprehjes, nuk duhet të tolerohet nëse demokracia do të funksionojë.

 

 

Fatkeqësisht jemi dëshmitarë se çdo ditë, është duke u bërë më e vështirë të punosh si gazetar këtu. Gazetarët janë sjellë në kufijtë e shoqërisë në çdo mënyrë dhe kohët e fundit ata janë etiketuar si ‘shënjestra legjitime’ për këdo që të lëshojë zemërimin e vet. Në protestat e fundit në Sarajevë ngritëm zërin tonë kundër dhunës si model të sjelljes në shoqërinë tonë dhe deklaruam se do të vazhdojmë luftën për liritë tona, sepse gazetarët janë anëtarë të rëndësishëm të kësaj shoqërie. Shpresojmë që gazetarët kurrë nuk do të kenë frikë për sigurinë e tyre, siç ndodhi me redaksinë tonë. Sidoqoftë, statistikat për rastet e presionit tregojnë se kushtet po përkeqësohen dhe se është e nevojshme që shoqëria të ndërmarrë veprime. Prandaj ne presim që kjo shoqëri, përmes niveleve të ndryshme të qeverisjes, të dërgojë mesazhin se ata duan të jetojnë në një shtet ku gazetarët nuk do të duhet të kenë frikë për sigurinë e tyre dhe do të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të shprehurit … Çdo gjë tjetër përveç kësaj është një rrugë drejt errësirës! Ne nuk mund ta lejojmë këtë te vetja, kryesisht për hir të fëmijëve tanë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.