Gazetari slloven: Dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes fshihen pas lirisë së fjalës

Robert Boteri

Robert Boteri. Foto nga Meta.mk, e përdorur me leje

Kjo intervistë fillimisht u publikua në Agjencinë e Lajmeve Meta.mk, një projekt i Fondacionit Metamorfosis. Një version i redaktuar është botuar më poshtë si pjesë e një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes.

Karikatura e Mladina-s: Viktor Orban dhe flamuri slloven me ngjyrat e atij hungarez.

Për dekada të tëra, Robert Boteri ka qenë pjesë e revistës sllovene Mladina, e njohur që nga koha e Jugosllavisë për përmbajtjen e saj avangarde dhe qasjen e patrembur ndaj subjekteve të diskutueshme.

Në prill të vitit 2019, Mladina shkaktoi një goditje diplomatike pasi publikoi një kopertinë me një karikaturë të kryeministrit hungarez Viktor Orban duke ngritur krahun si në një përshëndetje naziste ndërsa ishte rrethuar nga figura të krahut të djathtë të Sllovenisë, përfshirë Janez Janša. Ilustrimi i referohej blerjes së fundit nga njerëzit e Orban të disa mediave sllovene, në pronësi të mëparshme të personave të lidhur me partinë e Janšas.

Në një intervistë për Meta.mk, Boteri, tashmë drejtori krijues i Mladinës, flet për dezinformimin në Slloveni. Ai thotë, për shembull, që faqet nacionaliste të internetit në Slloveni, që përhapin lajme të rreme dhe gjuhë të urrejtjes, nuk ndëshkohen, pasi gjyqtarët shmangin dënimin e ndokujt nga frika e prekjes së lirisë së fjalës; ose se si disa media pranojnë rryshfete për të diskredituar disa politikanë dhe biznesmenë.

Meta.mk: Cili është zakonisht subjekti i lajmeve të rreme në Slloveni?

Robert Boteri (RB): Kohët e fundit, shumica e dezinformatave lidhuen me krizën e migrantëve. Kishte informacione, veçanërisht në faqet e internetit nacionaliste, me komente negative të cilat i paraqisnin migrantët si kriminelë. Gjëja tjetër është diskreditimi i synuar i disa politikanëve dhe biznesmenëve, kur disa faqe të caktuara u paguan me qëllim të publikimit të një skandali të caktuar. Gjatë procesit, atyre u janë dorëzuar dokumente, faqja i boton ato dhe saga fillon. Në fund të fundit, është e lehtë të shihet se është bërë për një qëllim të caktuar.

Meta.mk: Si reagojnë mediat dhe shteti

RB: Në mënyrë histerike! Gjithmonë është histerike. Nëse publikoni një dokument në mëngjes i cili shërben për të mbështetur pretendimin tuaj se dikush e njeh dikë dhe më pas gjatë ditës historia po ndërtohet, në mbrëmje vjen një kundërshtim që nuk është i vërtetë, pasi në Slloveni të gjithë i njohin të gjithë. Por, në fund të ditës, askush nuk di asgjë. Kishte informacione që migrantët kanë hyrë në një kopsht zoologjik në Gjermani dhe kanë ngrënë një dhi. Lajmi kishte një milion klikime. Pastaj, mbërritën informacionet se ai qytet nuk ka asnjë kopsht zoologjik dhe as dhi, e se ky incident nuk ka ndodhur kurrë. Ky lajm kishte 100 herë më pak klikime.

Meta.mk: Kush publikon lajme të tilla zakonisht?  

RB: Ajo që është veçanërisht e frikshme është se dikush i bën këto gjëra për përfitime. Sepse shumë klikime nënkuptojnë reklama dhe shumë para. Nuk bëhet për shkak të bindjes ose ideologjisë, por për para. Për këtë punë është media online.

Meta.mk: A ka rregulla kundër shpërndarjes së lajmeve të rreme

RB: Kemi vetëm një inspektor të mediave, i cili është përgjegjës për vendin dhe nuk është e mundur që ai të mbulojë gjithçka. Prandaj, ka vetëm bisedime për përpjekje për të frenuar gjuhën e urrejtjes në internet, por askush në Slloveni nuk është dënuar, pasi përfundimi është që këto ishin fjalë që ishin shkruar diku dhe “ne nuk mund të kthehemi pas” siç ishte në ish-Jugosllavi dhe se duke e bërë një gjë të tillë do të shkelim lirinë e fjalës. Prandaj, në një farë mënyre, lejohet që edhe të kërcënoni dikë, një grup, një kombësi të caktuar dhe gjithçka që mund të mbulohet nga liria e fjalës.

Meta.mk: A ka një ligj në Slloveni kundër gjuhës së urrejtjes

RB: Ne kemi një ligj, por gjyqësori thotë se nëse nuk mund të krijoni lidhje të drejtpërdrejtë midis fjalës së shkruar dhe aktit penal, kjo nuk mund të jetë subjekt për ndjekje. Kjo do të thotë: “Unë do t'i vendosja migrantët lart në mur dhe do t'i qëlloja”; gjykata nuk do t'ju ndjekë sepse do të pretendojë që ju vetëm e keni thënë këtë dhe se nuk keni armë për ta kryer atë. Pra, nuk është një krim i rëndë për të ngritur akuza.

Meta.mk: Çfarë thonë shoqatat e mediave

RB: Shoqatat e mediave janë në gjendje krize, sepse nuk dinë me kë duhet të merren. Anëtarët e shoqatave janë gazetarë që vijnë nga media e shkruar, ndërsa gazetarët që shkruajnë lajme të rreme nuk janë anëtarë të shoqatave. Ka tabloidd që nuk i njohin as bordet e gazetave, as kodet; asgjë. Ta themi thjesht, gjithçka është e ndotur.

Meta.mk: A përmendet Maqedonia e Veriut në mediat sllovene?  

RB: Padyshim që ka artikuj të tillë. Njerëzit lexojnë shumë për faqet e rreme në dobi të Trump dhe lajmet e rreme që ato përmbajnë. Këto ishin më të pranishme në skenën e mediave sllovene. Kur u ndryshua emri i vendit dhe kur ish-kryeministri juaj iku nga vendi për në [Hungari]. Ne madje patëm një intervistë me një person, i cili shpjegoi se si këto të dhëna të inteligjencës përdoren për qëllime politike. Ka shumë më tepër lajme për Maqedoninë në krahasim me Shqipërinë, Kosovën ose Malin e Zi. Në të kaluarën, Mladina madje kishte një kopertinë kushtuar Maqedonisë gjatë kohës së konfliktit për ujin midis qytetarëve të Vevçanit dhe Oktisit. Kjo ishte një temë kryesore.

Meta.mk: Dhe cili është imazhi i Maqedonisë së Veriut, që aspiron të bëhet anëtare e BE-së

RB: Unë do t'ju them këtë: Ne sigurisht ju mbështesim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por kini kujdes, sepse problemet do të fillojnë në momentin kur ju anëtarësoheni në BE. Të gjitha këto probleme janë si në shkollë fillore dhe kur anëtarësoheni në BE, atëherë fillojnë problemet e mëdhaja. Tani për tani, ju jeni një shtet sovran dhe vendosni nëse do ta pranoni emrin e ri apo jo. Kur të anëtarësoheni në BE, nuk do të jeni në gjendje të vendosni për gjëra të caktuara dhe kjo do t'ju duket e çuditshme.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.