Kombëtarja australiane në Botërorin e Futbollit kërkon trajtim më të mirë të emigrantëve dhe komunitetit LGBTQ+ në Katar

Socceroos vs Bahrain. World Cup Qualifier in 2009.

Socceroos (Australia) kundër Bahrein. Kualifikueset e Kupës së Botës në 2009. Foto nga Flickr i Steve Baty. 2.0 Generic (CC BY 2.0)

Ekipi i futbollit i Australisë, që njihet si Socceroos, publikoi një video të fuqishme që shpreh shqetësimin për gjendjen e rëndë të punëtorëve emigrantë dhe individëve LGBTQ+ në Katar, mikpritës i Kupës së Botës FIFA 2022.

Videoja, e publikuar më 27 tetor, shfaq 16 lojtarë aktualë dhe ish-futbollistë australianë. Pas publikimit të videos, Football Australia, organi drejtues i futbollit në vend dhe Futbollistët Profesionistë të Australisë lëshuan deklarata të veçanta duke i bërë jehonë mesazhit të lojtarëve të Socceroos.

Lojtarët thanë në video se u konsultuan me grupe dhe institucione të ndryshme për të mësuar më shumë rreth situatës së punëtorëve emigrantë në Katar.

Ne kemi mësuar se vendimi për të mikpritur Kupën e Botës në Katar ka rezultuar në vuajtjen dhe dëmtimin e shumë kolegëve tanë punëtorë.

Këta punëtorë emigrantë, që kanë vuajtur, nuk janë thjesht numra – si emigrantët që kanë formësuar vendin tonë dhe futbollin tonë. Ata kishin të njëjtin guxim dhe vendosmëri për të ndërtuar një jetë më të mirë.

Videon e plotë mund ta shihni në këtë postim në Twitter:

Një mesazh nga Socceroos

Ka raportime për një numër të lartë vdekjesh të punëtorëve emigrantë që ndërtuan stadiumin e Kupës së Botës dhe objekte të tjera pasi Katarit iu dha e drejta për të pritur ndeshjet. Raportet treguan gjithashtu për kushtet e pasigurta të punës dhe praktikat shfrytëzuese të punës që përkeqësuan vuajtjet e punëtorëve emigrantë.

Përveç mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, lojtarët e Socceroos folën gjithashtu kundër politikave diskriminuese të Katarit ndaj komunitetit LGBTQ+. Ata i bënë thirrje specifike autoriteteve të Katarit:

Kjo duhet të përfshijë ngritjen e një qendre për emigrantësh, ofrimin e mjeteve juridike efektive për ata që u janë mohuar të drejtat e tyre dhe dekriminalizimin e të gjitha marrëdhënieve të të njëjtit seks. Këto janë të drejtat themelore që duhet t'u ofrohen të gjithëve dhe do të sigurojnë përparim të vazhdueshëm në Katar … [dhe] një trashëgimi që shkon shumë përtej bilbilit të fundit të Kupës së Botës FIFA 2022.

Football Australia ndau qëndrimin e lojtarëve për reformat e fundit të ndërmarra nga Katari, por gjithashtu vuri në dukje abuzimet e përjetuara nga familjet e emigrantëve dhe komuniteti LGBTQ+.

Ne e pranojmë përparimin e rëndësishëm dhe reformat legjislative që kanë ndodhur në Katar gjatë viteve të fundit për të njohur dhe mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe nxisim të gjitha palët e interesuara të vazhdojnë këtë rrugë drejt reformave.

Megjithatë, kemi mësuar se turneu është shoqëruar me vuajtje për disa punëtorë emigrantë dhe familjet e tyre.

Si sporti më multikulturor, më i larmishëm dhe gjithëpërfshirës në vendin tonë, ne besojmë se të gjithë duhet të jenë në gjendje të ndjehen të sigurt dhe të jenë vetvetja e vërtetë dhe autentike. Ndërkohë që ne pranojmë nivelet më të larta të garancive të dhëna nga Emir i Katarit dhe Presidenti i FIFA-s se tifozët LGBTI+ do të mirëpriten në mënyrë të sigurtë në Katar, ne shpresojmë që kjo gjë të vazhdojë përtej turneut.

Kate Gill dhe Beau Busch, bashkëdrejtues ekzekutivë të Futbollistëve Profesionistë të Australisë, vlerësuan guximin e lojtarëve në publikimin e videos:

Lojtarët kanë folur sot për atë që kanë mësuar dhe atë që mendojnë se kërkohet për të patur një trashëgimi pozitive.

Ata e dinë se çfarë vlerash e përcaktojnë sportin tonë kur është më i miri dhe e dinë se ndikimi i futbollit te njerëzit duhet të jetë universalisht pozitiv.

Ata gjithashtu e dinë se kur ato vlera mungojnë, ose nëse futbolli ka shkaktuar dëm, ata kanë një platformë për të mbajtur qëndrim.

Lojtarët e kuptojnë se pikëpamjet e tyre mund të mos jenë universalisht të njohura.

Disa do të besojnë se nuk kanë shkuar aq larg, ndërsa të tjerët do t'u bëjnë thirrje që t'i përmbahen futbollit dhe të qëndrojnë jashtë “politikës”, pavarësisht se kjo është një çështje e të drejtave të njeriut.

Ky polaritet tregon shumë për guximin e lojtarëve dhe gjithashtu natyrën gjithnjë e më të thyer të botës.

BBC raportoi se veprimi i Socceroos “është një nga demonstrimet më të dukshme të kritikave të bëra nga ndonjë prej skuadrave që luajnë në Kupën e Botës”.

Human Rights Watch konfirmoi vlefshmërinë e deklaratave të bëra nga Socceroos:

Lojtarët vlerësuan saktë situatën në Katar, ku reforma të rëndësishme kanë nisur, por kërkojnë zbatim më të mirë.

Aktet e paprecedentë dhe të guximshme të solidaritetit nga lojtarët aktualë dhe ish-futbollistët australianë janë një shembull i rëndësishëm. FIFA duhet të reagojë, duke njoftuar se do të korrigjojë abuzimet që ka mundësuar dhe nga të cilat do të përfitojë.

Në përgjigje të videos nga ekipi i futbollit të Australisë, organizatorët e Kupës së Botës në Katar thanë se ndikimi i reformave kërkon kohë përpara se të ndjehen efektet. Zëdhënësi i Komitetit Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë tha për mediat:

Ligjet dhe reformat e reja shpesh kërkojnë kohë për tëu integruar dhe zbatimi i fuqishëm i ligjeve të punës është një sfidë globale, duke përfshirë Australinë.

Asnjë vend nuk është i përsosur dhe çdo vend – mikpritës i çdo ngjarjeje të madhe apo jo – ka sfidat e veta.

Kupa e Botës FIFA 2022 nis më 20 nëntor. Ndeshja e parë e Socceroos është planifikuar më 23 nëntor.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.