“Të pangjyrët”: Një film që tregon mospërkimin në mjedisin etnik në Bosnje dhe Hercegovinë

Lexim për fëmijë në gjuhën boshnjake “Bëhu i durueshëm”, “Beso në vetvete”, “Nëse jo jashtë, pranvera është brenda teje…” Burimi: “Të pangjyrët”.

Ky artikull nga Amina Sejfić u botua fillimisht në Balkan Diskurs, një projekt i Qendrës së Kërkimit Post-Konfliktit (PCRC). Një version i redaktuar është ripublikuar nga Global Voices sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Filmi debutues i Aida Gavriqit “The colorless” (Të Pangjyrët) u shfaq më 14 tetor si pjesë e projektit dhe ekspozitës fotografike të Qendrës Kërkimore të Post-Konfliktit “The Love Tales” (Tregimet e dashurisë), duke nxitur debat publik. Filmi ka të bëjë me fëmijët nga martesat etnikisht të përziera, të cilët, të stigmatizuar si “gjysmakë”, dërgohen në një hapësirë kufitare, në mes të botëve, duke pasur parasysh karakterin etno-nacionalist të shoqërisë boshnjake dhe hercegovinase.

Ndarja etnike është e rrënjosur në kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila vë në dukje se bartësit e sovranitetit janë “popujt përbërës” (boshnjakët, kroatët dhe serbët), ndërsa qytetarët me identitete të ndryshme nga këta të tre konsiderohen “të tjerët”, me të drejta politike të reduktuara.

Filmi shfaq perspektiva të ndryshme mbi identitetet hibride dhe pozicionin e mospërkatësisë, duke reflektuar mbi idenë se përkatësia nuk është thelbësore dhe se mospërkatësia është në fakt një opsion.

“Të pangjyrët” ndjek të lindurit nga një kohë dashurie mes popujve të ndryshëm, të cilët, me shembjen e vëllazërisë dhe unitetit, e gjetën veten të mbërthyer në një hapësirë “të ndërmjetme”. Në këtë mënyrë, filmi fokusohet tek ata që kundërshtojnë klasifikimin në një vend ku kategoritë etno-nacionaliste ngjyrosin peizazhin shoqëror. Këta njerëz shpesh etiketohen si një lloj shtese ose “të tjerët”, tha Gavrić.

Autorja e filmit Aida Gavriq. Burimi: Aida Gavrić profili në Facebook, i përdorur me leje.

Ajo shpjegoi se ideja për filmin lindi nga magjepsja e saj shkencore dhe kërkimi mbi identitetin hibrid dhe identitetin në përgjithësi. Rrënja e kësaj magjepsjeje qëndron në përvojën personale. Si fëmijë, ajo kuptoi se nuk mund të klasifikohet sipas kategorive popullore etnike në një shoqëri në të cilën klasifikime të tilla nuk janë vetëm të rëndësishme, por thelbësore për pothuajse çdo aspekt të jetës.

Gavrić mori diplomën e saj master në Departamentin e Letërsisë Krahasuese dhe Bibliotekës në Sarajevë. Kohët e fundit ajo mbrojti disertacionin e doktoraturës mbi kozmopolitizmin dhe letërsinë botërore në revistën Nada midis viteve 1895 dhe 1903.

Historia e saj personale është ngulitur në të gjithë filmin, pasi ajo vetë është një fëmijë nga një martesë e përzierë. Për këtë arsye, ajo thotë se është e vështirë për të që të zgjedhë ndonjë skenë nga filmi si më prekësen. Megjithatë, në fund ajo veçon rrëfimin e dy vajzave, Nora Gutiç dhe Arven Gavrić Memić, shpirti, reflektimi, madje edhe përfaqësimi vizual i të cilave mishërojnë thelbin e asaj që filmi përshkruan.

Vajzat gjashtëvjeçare Nora Gutiq dhe Arven Gavriq Memiq. (Burimi: “The Colorless”)

“Çdo aspekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe përbën një pjesë të pazëvendësueshme të enigmës së kisha synim t'i përcillja audiencës. Por nëse vërtet do të më duhej të zgjidhja, do të thosha se është perspektiva e dy vajzave gjashtëvjeçare, ajo që është më inteligjente”, shpjegon Gavrić.

“Gjithmonë kam dashur të ndryshoj botën”

Është jashtëzakonisht e rëndësishme të diskutohen këto tema, veçanërisht në një shoqëri kaq të ndarë dhe mosbesuese si në Bosnje dhe Hercegovinë. Mënyra më e lehtë për t'iu qasur temës është sigurisht përmes artit, sepse në rastin e artit tërheqës, heshtja nuk është e artë.

“Nuk dua të hesht. Artistët nuk duhet të heshtin. Përndryshe, kush tjetër do ta vërë në dukje realitetin dhe çfarë ka të gabuar dhe të çuditshme në të? Kush do ta zbulojë?” ka thënë Gavriq. Ajo vuri në dukje se gjithmonë ka dashur të ndryshojë botën dhe beson se kjo është shtysa kryesore e shumicës së atyre që punojnë me artin – ose të paktën duhet të jetë.

Vajzat gjashtëvjeçare Nora Gutiq dhe Arven Gavriq Memiq. (Burimi: “The Colorless”)

Velma Shariq, presidentja dhe themeluesja e Qendrës së Kërkimit të Post-Konfliktit, ka demonstruar potencialin e artit për të ndryshuar narrativat e vendosura. Puna e saj bazohet në përdorimin e përmbajtjes inovative multimediale për promovimin e narrativave të paqes, duke përfshirë dokumentarë, fotografi dhe art.

“Arti është dëshmuar të jetë një medium i shkëlqyer për promovimin e vlerave dhe temave të vërteta që janë ende disi tabu në shoqërinë tonë. Arti është mënyra më e lehtë për të ndryshuar narrativat aktuale të rrënjosura”, tha Shariq.

Marrëdhënie joekzistente dhe të paqëndrueshme

Ekspozita “Tregimet e Dashurisë” u hap në Muzeun Historik të Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili organizoi shfaqjen e “Të pangjyrët” së bashku me Qendrën e Kërkimeve të Post-Konfliktit. Ekspozita fokusohet në dhjetë çifte etnikisht të përzierë nga Bosnja dhe Hercegovina. Si ekspozita ashtu edhe filmi sfidojnë narrativën ekzistuese se marrëdhëniet mes njerëzve të etnive të ndryshme janë inekzistente dhe të paqëndrueshme.

Shfaqja e filmit “Të pangjyrët” në kuadër të ekspozitës së fotografisë “The Love Tales”. Foto: Muzeu historik i BH, i përdorur me leje.

Gavrić dëshmoi fuqinë e artit, përfshirë filmin dokumentar, kur ai u shfaq premierë në Festivalin e Filmit AJB DOC në shtator, në kategorinë e filmave të regjistruar me smartphone. Gjendet në internet në kanalin YouTube AJB (vetëm në gjuhën boshnjake).

“Është veçanërisht interesante që një audiencë që nuk ndikohet drejtpërdrejt nga tema qendrore reagoi fuqishëm ndaj filmit. Njerëzit shpesh qanin dhe qeshnin në të njëjtën kohë duke e parë atë. Si dikush që e ka kaluar tërë jetën duke shkruar, domethënë një medium që ka një shtrirje shumë të kufizuar, kjo përvojë është krejtësisht e jashtëzakonshme”, shpjegoi Gavrić. Ajo shtoi se ky film në fakt përfaqëson një pikë kthese të rëndësishme në punën e saj – kalimin nga teksti në pamje lëvizëse.

Frymëzimi për titullin “Të pangjyrët” erdhi nga vepra e Džemaludin Latić, një profesor dhe shkrimtar që botoi një tekst në vitin 1994 në revistën Ljiljan të kohës së luftës dhe në vëllimin e përmbledhur “Mješoviti brakovi” (Martesa të përziera). Në tekst, ai foli për martesat e përziera si “një lloj keqkuptimi i jetës së përbashkët” si dhe “martesat kryesisht të dështuara në të cilat lindin konflikte të rënda”. Ai tha gjithashtu se fëmijët nga këto martesa janë “të frustruar nga parazgjedhja” dhe kështu, autori rekomandoi në atë kohë që “martesa të tilla të përfundojnë një herë e përgjithmonë”.

“Në film, atij iu dha hapësira për të shpjeguar pikëpamjen aktuale për tekstin që shkroi pothuajse 30 vjet më parë dhe për të shprehur pikëpamjet e tij mbi këtë temë sot,” tha Gavrić. Në një moment të filmit, profesor Latiq kërkon falje, siç thotë ai, për “shprehjen e pavend dhe të pakujdesshme” që përdori në tekstin e vitit 1994.

Autorja e “Të pangjyrët” beson se ne duhet të përqafojmë diversitetin në identitet mes njerëzve.

“Mos lejoni që të ndaheni, të pakësoheni apo të kategorizoheni. Përcaktuesi më i ulët i pranueshëm i identitetit kolektiv për një qenie njerëzore është përkatësia ndaj tokës. Kjo është e vetmja rrugë drejt utopisë Kantiane të paqes së përjetshme”, përfundoi Gavrić.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.