- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Si përfundoi një altar ritualesh nepalez në Berlin?

Kategoritë: Azia Jugore, Gjermania, Nepali, Art e Kulturë, Ekonomi e Biznes, Fotografia, Lajm i fundit, Ligji, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e gazetaria, Media e qytetarëve
Image by Deepak Tolange via Nepali Times. Used with permission. [1]

Imazhi i marrë nga Deepak Tolange përmes Nepali Times. Imazhi i përdorur me leje.

Ky artikull i shkruar nga Ashish D’hakal u botua për herë të parë në Nepali Times [1]. Një version i redaktuar është ribotuar në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Kur kineasti nga Kat’hmandu, Deepak Tolange [2] vizitoi Muzeun e artit aziatik [3] në Berlin shtatë vjet më parë, ai kërkoi për koleksionin nga Nepali (paraqitur më lartë). Ishte një seksion i madh afër këndit me artefakte tibetiane po në të njëjtin kat.

Midis artikujve kishte dhe një faltore të zbukuruar dykatëshe budiste [4] 70,5 cm të gjatë, e cila ishte e  mirë dekoruar dhe e zbukuruar me gurë të çmuar, ar dhe argjend. Tre bodhisattvas [5] të ngritura këmbë ishin vendosur në kamare në nivelin e poshtëm, ndërsa tre hyjni të tjera gjendeshin brenda dhomës së sipërme.

Objekti përfaqësonte elemente të Neuës (ose të arkitekturës Neua – Newar [6]); toranët (dyert), ikonografitë dhe xhala nhjaka (një pasqyrë e vogël), por çatia kishte prekje tibetiane. Pas këqyrjes, Tolange vuri re gjurmë të vermilionit dhe pluhurit të shafranit mbi idhujt, një tregues i adhurimit të vazhdueshëm

Shpirti i tij nepalez ishte i intriguar, Tolange pyeti veten nëse faltorja antike ishte vjedhur nga një tempull në luginën e Katmandu, siç ka ndodhur me shumë të tjerë.

Dëshmia e parë historike e një objekti fetar të vjedhur nga Nepali [7] është ajo e vitit 1765, kur statuja e Narajanit u zhduk nga tempulli Baguati [8] në Hanuman Doka. Plaçkitjet arritën kulmin në vitet 60, teksa Nepali filloi të hapej me botën e jashtme. Sot, pas fushatave të grupeve qytetare dhe qeverisë, muzetë dhe koleksionet e huaja janë duke riatdhesuar hyjnitë e vjedhura [9]. Sipas Departamentit të Arkeologjisë (DA), në dekadat e kaluara, 93 objekte fetare janë rikthyer, prej të cilave 19 janë riatdhesuar që nga muaji i korrikut.

Në Berlin, Tolange kontaktoi Bernadete Broeskamp, një studiuese e Azisë Lindore dhe artit budist në Universitetin e Lirë në Berlin.  Në bazë të zbulimeve të tij, Tolange realizoi një film me metrazh të shkurtër 6-minutësh të titulluar “Faltorja budiste”.

“Mendoja se ndoshta, nëse ishte vjedhur me të vërtetë atëherë do të ishte e mundur që faltorja të rikthehej në Nepal”- kujton Tolange.

Sipas muzeut, objekti fetar daton nga shekulli i 19-të.  Burimet tregojnë se faltorja iu shit muzeut në vitin 1963 nga Karl Meinhart, por përtej kësaj asgjë tjetër nuk dihet. Tolange spekulon se, për shkak se në atë kohë në Evropë lufta ishte duke u përgatitur, Meinhart mund të ketë pasur nevojë për para, gjë që e shtyu atë t'ia shiste objektin muzeut.

Dokumente të tjera nuk ka. Ato ose nuk janë ruajtur kurrë ose kanë humbur më pas gjatë luftës. E vetmja gjë e sigurt është se Meinhart i tha muzeut se objekti ishte me të vërtetë nga Nepali.

Filmi me metrazh të shkurtër u shfaq në muze në vitin 2015, ku u prit mjaft mirë. “Seanca e pyetjeve pas shfaqjes ishte tepër e nxehtë”- kujton ai. “Të gjithë donin të dinin në qoftë se objekti me të vërtetë ishte vjedhur dhe nëse ishte e vërtetë, a do mund të rikthehej”. Pyetja mbeti pa përgjigjur.

The Buddhist alter at the Museum of Asian Art. Image by Susana Schulz. Used with permission. [1]

Altari budist në Muzeun e Artit aziatik. Imazhi i marrë nga Susana Shluc nëpërmjet Nepali Times. Imazhi i përdorur me leje

Tolange u rikthye në Nepal për tre muaj në vitin 2016 për një vizitë në terren si pjesë e studimeve të tij master. Ai mendonte rreth altarit, duke pyetur veten në qoftë se diçka tjetër më e madhe fshihej pas historisë.

Ai shkoi në Patan për të takuar Bim Ratna Shakjan, një artist të pikasur skulpturash, i cili kujtoi se babai i tij kishte bërë gjashtë altarë si ai i Berlinit. Kjo ishte një e dhënë mjaft domethënëse dhe Tolange foli me historianët Satja Mohan Joshi, Sukra Sagar Shresta, Mukunda Raxh Arjal, kryetarin e Fondit për ruajtjen e luginës Katmandu, Rohit Ranxhikar dhe shkoi në  Buda [10] për të takuar murgun budist S.Darmaçarja.

Bisedat hodhën dritë mbi artefaktet e vjedhura, edhe pse ai nuk përfitoi ndonjë indicie të mjaftueshme rreth faltores në muzeun e Berlinit. “Zbulova se këto faltore ose altarë ishin shpesh për përdorim vetjak”- thotë Tolange. “Dhe njerëzit në Mangal Bazar (në Katmandu) vazhdojnë t’i bëjnë”.

Por artizanët akoma nuk i firmosin emrat e tyre në objektet dhe kjo e bën të vështirë gjetjen e tyre. “Për më tepër, kur tregtarët i shesin altarët, ato i shesin me vlerën e një vepre arti, ndërsa artizanët paguhen vetëm me rrogën e një punëtori”-shton ai. “Artistët nuk e marrin gjithmonë vlerësimin që meritojnë dhe kjo praktikë është e vazhdueshme”.

Pas diplomimit, Tolange i propozoi muzeut që ai të shtonte anën nepaleze të historisë dhe se do të realizonte një tjetër film me zbulimet e reja, këtë herë pak më të gjatë dhe më të detajuar. Me titullin “Altari budist”, filmi 16-minutësh u përfundua në vitin 2022 pas shumë kërkimesh.

Pasi kufizimet e COVID-19 u hoqën, Tolange vizitoi Khenpo Gialcen nga Instituti Rangxhung Yeshe dhe Loponma Ani Funtsok Uongmo nga Manastiria Hasantar. Ai shkoi gjithashtu në tempuj budistë dhe vëzhgoi rituale tradicionale në Tempullin e Artë në patan, Suajambhu, Buda dhe manastire të tjera në Katamandu.

“Unë zbulova se në shumë faltore budiste, idhulli i Budës ndodhet në qendër dhe përfaqëson trupin e tij, ndërsa Çaitja në të djathë përfaqëson mendjen e tij dhe në të majtë ndodhet një libër që përfaqëson Darmën ose ndryshe fjalimet, mësimet e tij”- thotë Tolange.

Ka dhe hyjni të tjera në faltore të cilat varen sipas njerëzve dhe familjeve. Në fakt, siç vërejti dhe Bhim Shakza në film, çdo idhull mund të vendoset në dhomat e faltoreve.

Historianët janë të bindur se personi që e krijoi faltoren budiste në muzeun e Berlinit ishte një Neua (Newar), me shumë gjasa nga Patan, edhe pse ka ende dyshime rreth vendit se ku aktualisht u krijua, për shkak se në të gjendet dhe ndikim tibetian. Historikisht, këto faltore janë porositur nga familjet për përdorimin e tyre vetjak dhe ajo në Berlin është porositur gjithashtu, me shumë gjasa nga vetë Meinharti.

Në film, i cili mbi të gjitha ka të bëjë me një kërkim, Tolange është përpjekur të gjurmojë prejardhjen e faltores duke gërmuar në zakonet e saj të kaluara dhe të tanishme. Ndërthurur me imazhet e maleve, kodrave dhe tempujve, ai gjithashtu fokusohet në sinkretizmin fetar në Luginën Katmandu për të treguar se artefaktet janë ende pjese e një kulture të gjallë.

Filmi është përzgjedhur për koleksionin e përhershëm në Forumin Humboldt [11], ku është planifikuar të shfaqet afër vetë faltores për të shënuar inaugurimin e seksionit aziatik të qendrës kulturore në Berlin më 16 shtator.

Tolange ka në plan gjithashtu që t'ia shfaqë filmin audiencës nepaleze.  Ai thotë se: “Puna me filmin më ndihmoi të rizbuloj vendin tim dhe kulturën që ka”.   “Nëse nuk do ta kisha bërë, atëherë nuk do të kisha ditur asgjë rreth objektit dhe vlerës së tij”.