Në kujtim të Moshe Ha Elion, autori hebre sefardik nga Selaniku që i mbijetoi Holokaustit

Moshe Ha Elion, pamje nga videoja në Youtube e “La Djovenika al Lager” nga Dr. Judith Lin, e përdorur me leje.

I mbijetuari i Holokaustit, shkrimtari dhe përkthyesi Moshe Ha Elion ndërroi jetë më 1 nëntor në moshën 97-vjeçare, raportoi eSephard.

Ai ishte me origjinë nga Selaniku i Greqisë dhe ështe i njohur ndërkombëtarisht për dokumentimin e vuajtjeve të hebrenjve të Selanikut në kampet e shfarosjes naziste, përmes kujtimeve dhe poezive të tij, të botuara në Ladino dhe Hebraisht. Ha Elion jetoi në Izrael dhe shërbeu si përfaqësues i komunitetit të hebrenjve sefardikë dhe promovues i gjuhës së tyre stërgjyshore Ladino, ose Judeo-Spanjisht, një gjuhë romane që rrjedh nga spanjishtja e vjetër dhe që konsiderohet e rrezikuar.

Studiuesi, edukuesi dhe aktivisti i Ladinos Dr. Bryan Kirshen, i cili vetëm një javë më parë kujtoi ndarjen nga jeta të një prej folësve të fundit ladino nga Ballkani, Moris Albahari nga Bosnja dhe Hercegovina, shprehu hidhërimin e tij përmes Twitter:

Një tjetër titan në botën sefardike u largua. Moshe Haelion lindi në vitin 1925 në Selanik; ai i mbijetoi Holokaustit dhe është i njohur për botimin e tij Ladino “En los kampos de la muerte”, për të cilin u be4 dhe muzika e “La djovenika al lager”. En ganden ke repoze su alma.

Moshe Ha Elion lindi në Selanik në vitin 1925 në një familje hebreje sefardike të klasës së mesme, e cila fliste ladino në shtëpi dhe greqisht jashtë. Në vitin 1943, nazistët gjermanë që pushtuan qytetin e deportuan atë dhe familjen e tij së bashku me pothuajse të gjithë popullsinë hebreje prej 46,091 banorësh në kampet e përqendrimit, duke vrarë shumicën e të burgosurve në dhomat e gazit, gjatë dy viteve të ardhshme.

Adoleshenti Ha Elion i mbijetoi Aushvicit, marshimit të vdekjes, Mauthausen, Melk dhe Ebensee, dhe pas çlirimit emigroi në Palestinë dhe mori pjesë në krijimin e Izraelit. Pasi u tërhoq nga karriera në administratën ushtarake dhe shtetërore, ai shërbeu si anëtar, nënkryetar dhe president i Shoqatës së të mbijetuarve të Holokaustit nga Greqia në Izrael.

Në vitin 2020, Yad Vashem, Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit me qendër në Jeruzalem, publikoi dokumentarin për jetën e tij “Recuerdos en ladino – La historia de Moshé Haelion” si pjesë e serisë së tyre të dëshmive të të mbijetuarve në spanjisht.

Në vitin 2000 Moshe Ha Elion botoi “Në kampet e vdekjes” një tekst poetik dhe autobiografik të shkruar në gjuhën Ladino dhe i përbërë nga tre poezi shumë të mëdha: “Vajza e re e bukur e Lagerit” (kushtuar motrës së tij); “Si e hanin bukën”; dhe “Në marshim drejt vdekjes”.

Në vitin 2005, ansambli i grupit muzikor grek Codex i drejtuar nga Kostis Papazoglou dhe Kori i Komunitetit Hebraik të Selanikut regjistroi “La Djovenika Al Lager” në Sinagogën Monastirioton në Selanik. Kënga u përfshi në CD-në “Në det ka një kullë” (EMI, 2008). Papazoglou ka shkruar:

“Gjatë udhëtimit tim (1998) në Izrael me korin, takova zotin Moshe Ha-Elion, i cili më dha poezinë e tij “La Djovenika Al Lager” me melodinë që ai kompozoi për të. Në bazë të saj bëra aranzhimin e asaj që ne këndojmë sot. Tregimi i njëkohshëm i zotit Ha-Elion përshkruan historinë e tmerrshme të hebrenjve të dëbuar në kampet e përqendrimit.”

Në vitin 2017 shkrimtarja amerikane Dr. Judith Lin nga Universiteti i Virxhinias, e cila punoi së bashku me Moshe për disa vite, duke përkthyer në anglisht veprën e tij të Holokaustit, publikoi një video të shkurtër rreth një pjese të procesit të përkthimit të këngës.

Në një deklaratë për Global Voices me email, Dr. Lin ndau një pjesë të përvojës së saj teksa Moshe Ha Elion ndërroi jetë.

Më 29 nëntor 2021 drejtova shfaqjen e parë korale të “The Fair Young Maiden” në anglisht në universitetin tim, por ky është vetëm një fillim. Bota nuk është më e njëjta pa Moshe Ha Elion. Ëndrra e tij ishte që kënga e tij, “The Fair Young Maiden” të bëhej një himn ndërkombëtar i kujtimit të Shoah. Jam përpjekur të bëj pjesën time për ta ndihmuar atë të realizojë këtë qëllim. Zëri i Ha Elionit dhe kontributet e tij të paçmuara artistike do të vazhdojnë të jetojnë përmes shkrimit dhe muzikës së tij.

Ai do të na mungojë shumë!

Përkujtimi i Holokaustit në Selanik

Monumenti i Holokaustit në Selanik. Foto nga Filip Stojanovski, CC-BY 4.0.

Deri në vitin 1912, hebrenjtë përbënin shumicën e popullsisë në Selanik. Gjatë Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore ose Shoah, 94 për qind e kësaj popullsie hebreje u deportua dhe u vra nga nazistët.

Vizitorët sot mund të shohin disa vende kushtuar përkujtimit të pranisë hebreje në qytet, duke përfshirë një muze hebre dhe një monument për 50.000 viktimat e Holokaustit në formën e menorahut të djegur me një pllakë përkujtimore në qendër, pranë Sheshi Eleftherias (Liria), pranë portit. Sheshi u përdor nga nazistët për të mbledhur dhe për të poshtëruar publikisht burrat hebrenj vendas më 11 korrik 1942.

Aktivistët antifashistë grekë paralajmërojnë shpesh për rritjen e antisemitizmit të nxitur nga ekstremistët e krahut të djathtë, ndërsa komuniteti lokal hebre po përpiqet t'u kërkojë autoriteteve të shtojnë kujtimin e trashëgimisë historike. Në veçanti ka polemika mbi përdorimin e Sheshit Eleftherias si vendparkimi komunal. Aktivistët lokalë kanë përdorur postera për të shpjeguar kontekstin për publikun dhe për të paralajmëruar që kjo të mos ndodhë “kurrë më”.

Postera nga një rrugë e Selanikut pranë Sheshit Eleftherias me një foto nga “regjistrimi” i hebrenjve nga nazistët më 11 korrik 1942, ku lexohet “ΠΟΤΕΞΑΝΑ” ose “Kurrë më” në greqisht. Foto nga Filip Stojanovski, CC-BY 4.0.

Në vitin 2016 komuniteti lokal hebre dhe kryetari i bashkisë ndërmorën një iniciativë për ndërtimin e një Muzeu Përkujtimor të Holokaustit dhe Qendrës Arsimore të Greqisë për të Drejtat e Njeriut. Ndërtimi, i mbështetur fillimisht nga Gjermania, ngeci për shkak të krizës ekonomike. Në janar 2022, Dr. Albert Bourla, CEO i Pfizer, i cili gjithashtu ka lindur në Selanik, i kërkoi Fondacionit Genesis Prize të japë çmimin e tij prej 1 milion dollarësh, të marrë për vaksinën kundër COVID-19, për krijimin e muzeut të Holokaustit.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.