“Ne u lindëm në një situatë emergjente në skëterrë”: Si funksionon Lëvizja Feministe Ruse e Rezistencës Kundër Luftës

Celula FAS në Holandë po zhvillon një aksion proteste “Zërat” pranë Përfaqësisë Tregtare të Rusisë në Amsterdam. Foto: FAS, marrë me leje nga Teplitsa

Media e pavarur për aktivizmin “Teplitsa” botoi në nëntor 2022 një shkrim të gjatë mbi rezistencën feministe kundër luftës, të cilin Global Voices e ka përkthyer.

Rezistenca Feministe Kundër Luftës (FAS) vepron si në Rusi ashtu edhe jashtë saj: kjo lëvizje horizontale e bazës u shfaq në shkurt 2022 si një reagim i grupeve dhe aktivisteve të ndryshme feministë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Rezistenca feministe kundër luftës është e organizuar në “celula” që punojnë në mënyrë autonome, kështu që aktivistet brenda secilës vendosin detyra në mënyrë të pavarur. Ka katër drejtime kryesore në të cilat fokusojnë ndihmën e tyre: mbështetja ligjore për çështjet e punës (“Anti-fondi”), ndihma psikologjike, ndihma për refugjatët ukrainas (emigrantët e dëbuar dhe vullnetarë) dhe evakuimi nga vendi. FAS gjithashtu mbështet mediat kundër luftës. Pjesa mediatike e FAS është gjithashtu e ndarë në disa fusha fokusi: dekolonizimi, agjitacioni dhe rrjetet sociale kundër luftës – Telegram, Twitter , Facebook dhe një gazetë.

FAS operon përmes kanaleve të hapura të komunikimit dhe informacionit, kryesisht përmes bisedave me mesazhe dhe telefonatave. Të gjitha vendimet merren së bashku, përmes votimit gjatë telefonatës ose më pas në chat.

Prezenca e FAS brenda dhe jashtë Rusisë

Një nga detyrat kryesore të celulave që funksionojnë jashtë Rusisë është të kryejnë veprime që nuk mund të kryhen në Rusi për arsye sigurie. “Është e rëndësishme për ne që të vendosim komunikim midis celulave të FAS jashtë vendit dhe aktivisteve me bazë në Rusi, të cilat kanë ide për veprime dhe një kuptim të kontekstit të brendshëm rus,” shpjegon Anna [mbiemri i hequr për arsye sigurie], një aktiviste e FAS. Aktivistet jashtë vendit nuk flasin vetëm publikisht në emër të komunitetit të emigrantëve në një vend të caktuar, por bëhen lajmëtare të vërteta të lëvizjes kundër luftës nga Rusia.

Bashkëpunimi ndërkombëtar brenda FAS përfshin zhvillimin e lidhjeve me aktivistet në terren dhe vendosjen e bashkëpunimit me organizatat feministe ukrainase dhe bjelloruse, duke forcuar zërat e tyre.

Celulat që operojnë brenda Rusisë zbatojnë protokollet e tyre të sigurisë dhe veprojnë në mënyrë anonime: ato varin fletëpalosje se si të shmanget mobilizimi, shpërndajnë gazetën  “Truth for Women” që boton FAS dhe ndonjëherë kryejnë veprime të rezistencës kundër luftës, duke vendosur mbishkrime dhe fletëpalosje, zakonisht natën, pasi të gjitha llojet e mospajtimeve kundër luftës janë të ndaluara me ligj në Rusi.

Këtu është një hartë e qyteteve ku funksionojnë celulat e FAS në Rusinë perëndimore.

Vendet në pjesën perëndimore të Rusisë ku FAS është aktive. Imazhi nga FAS, i përdorur me leje.

Të bëhesh pjesë e FAS është mjaft e thjeshtë: i shkruani robotit dhe ndani se çfarë lloj ndihme mund të ofroni. Aktualisht janë 20 koordinatore dhe disa dhjetëra vullnetare në lëvizjen FAS. Çdo “pozicion” në organizatë përshkruhet qartë: vullnetaret ndajnë vlerat e FAS dhe ndihmojnë lëvizjen me aftësi profesionale; aktivistet janë të angazhuar në aksione kundër luftës; aktivistet e secilës celulë ndërtojnë punën e tyre në qytetin e tyre; dhe koordinatoret mbikëqyrin punën e një drejtimi të caktuar. Rolet mund të ndryshojnë me kalimin e kohës; për shembull, një vullnetare mund të bëhet koordinatore.

Kështu i ndodhi Anës: ajo nisi aktivizmin që nga fillimi i luftës në shkurt 2022. Më 6 mars u arrestua në një tubim dhe u ndalua për 13 ditë. Kur ishte në qendrën e paraburgimit, ajo vendosi të largohej nga vendi për të qenë në gjendje të fliste publikisht kundër luftës. “Do të doja të kisha forcën dhe guximin për rezistencën kundër luftës në Rusi, por nuk jam një person që mund të bëj akte partizane, të fshihem në apartamente të ndryshme apo të vrapoj nga qyteti në qytet. U largova nga Rusia duke menduar se po të bëja këtë do të jem në gjendje të veproj sipas asaj që besoj”, tha ajo.

Në Jerevan, Anna ju bashkua celulës së FAS dhe u u përfshi në aktivizëm. Më vonë, ajo u largua nga Jerevani për në Tbilisi dhe nga një aktiviste e një celule rajonale u kthye në koordinatore të të gjithë drejtimit ndërkombëtar.

Një shembull i një prej veprimeve kundër luftës të FAS në Rusi: një poezi për fillimin e shkollës është shkruar para ndërtesës së shkollës; por fjalët thonë se shkollat nuk po i mësojnë fëmijët të jenë në luftë. FAS, marrë nga Teplitsa me leje.

Zgjerimi tek jo-aktivistët dhe shtrirja tek publiku

Në Rusi, formati i celulës nuk është i sigurt për aktivistet fillestare. Në verë, FAS nisi një format të ri, grupet e rritjes së ndërgjegjësimit kundër luftës, ose GRAS. “Si aktiviste, ne e dimë mirë se thirrja për të krijuar një celulë kundër luftës në kushtet e frikës, presionit dhe diktaturës është një këshillë e keqe dhe nuk do të funksionojë aq lehtë”, shkruajnë koordinatoret e lëvizjes në manualin e tyre.

Qëllimi i këtyre grupeve është të bashkojnë njerëz që kanë pikëpamje kundër luftës, por që nuk ndiejnë se mund t'i shprehin ato, duke i mbështetur ata teksa gjejnë iniciativën për t'u bërë aktiviste. Shumë nuk e kuptojnë sigurinë apo si funksionon policia. “Grupet GRAS mund të perceptohen si një skenë në rrugën drejt lëvizjes kundër luftës,” thotë koordinatorja e FAS, aktivistja Dasha Serenko. Mund të ketë disa nga ato grupe brenda një qyteti, por ato mund të mos dinë për ekzistencën e njëri-tjetrit, sepse ato bashkojnë njerëz që janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.

Një nga synimet kryesore të FAS për momentin është të dalë jashtë “kornizës së aktivizmit”. Ato po shtypin një gazetë, të quajtur Zhenskaya Pravda (E vërteta për gratë), e cila u drejtohet qytetarëve të thjeshtë që mund të mos jenë të interesuar për politikën apo aktivizmin. Numri i parë i botuar (në maj 2022) kishte veçori, fjalëkryqe, komente astrologjike dhe lajme muzikore. Në numrat e ardhshëm do të shfaqen edhe receta, batuta dhe intervista me “të famshëm”. Redaktorja Lena (emri i ndryshuar), thotë se qëllimi është t'u afrohet njerëzve të moshuar që preferojnë shtypin dhe janë të shkëputur nga mediat e pavarura.

Foto nga “E vërteta për gratë” thotë “Dashuria do të fitojë mbi gjithçka” dhe përshkruan një çështje penale për ripostimin kundër luftës të Marina Novikova nga rajoni Tomsk. Ajo thekson se si burri i saj po e ndihmon atë për të luftuar sistemin. Marrë nga Teplitsa me leje.

Gazeta përdor një gjuhë të thjeshtë dhe nuk përpiqet të detyrojë një ndryshim në pikëpamjet e lexuesve. Artikujt respektojnë ata për të cilët media e pavarur shpesh nuk është e kapshme.

“Gratë po mbyllen nga bota e jashtme, nuk duan të dëgjojnë asgjë për luftën. Jeta e tyre u bë më e vështirë, sepse ka më pak para dhe mallrat po bëhen më të shtrenjta. Ato jane të lodhura. Pra, ne përpiqemi të flasim për luftën, por jo për luftën”, thotë Lena.

Pas botimit të gazetës, fillon faza më e rrezikshme. Aktivistet e FAS në të gjithë Rusinë shtypin dhe shpërndajnë gazetën në dyqane, kuti postare në hyrje të shtëpive shumëkatëshe, klinika dhe kënde lojërash. Në të njëjtën mënyrë, materiale të tjera kundër luftës të FAS – fletëpalosje dhe ngjitëse – shpërndahen në qytete në të gjithë Rusinë.

Përveç kësaj, që nga fillimi i luftës, dizajnerët e FAS-it kanë vizatuar kartolina kundër luftës për Odnoklassniki (një media sociale e njohur në Rusi) dhe WhatsApp, dhe aktivistet ua kanë dërguar ato të moshuarve.

FAS është unik, por ne kemi nevojë për më shumë

“FAS është një gjë mjaft unike,” tha historiania Sofia Shirogorova në një intervistë me Teplitsa. “Sepse në Rusi opozita pothuajse është zhdukur”.

Pavarësisht nga kjo veçanti, aktivistet themeluese nuk përpiqen për publicitet apo mburrje me arritjet – përkundrazi, preferojnë të theksojnë natyrën antihierarkike të FAS. Nuk dihet ende se sa efektive do të rezultojnë përfundimisht metodat e tyre të rezistencës, por vetë stili i ndërveprimit dhe ndihmës së ndërsjellë është tashmë një model për t'u ndjekur në Rusi, ku zakonisht të gjithë kolektivët janë të përshkuar nga dhuna: nga kopshti deri te ndërmarrja e funeralit.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.