Artikulli i mëposhtëm është një përmbledhje e ngjarjeve të ndodhura në data të ndryshme, të cilat janë shkruar nga disa bashkëpunëtorë të platformës Hong Kong Free Press. Ato përfshijnë: Kris Çeng më 11 dhe 9 nëntor, Holms Çan dhe Xhenifer Kreri më 9 nëntor dhe Holms Çan më 9 nëntor. Ky artikull publikohet në Global Voices sipas një marrëveshje partneriteti për përmbajtjen. Ne i paralajmërojmë lexuesit tanë se disa nga videot në këtë artikull kanë përmbajtje të dhunshme.
Policia e Hong Kongut, e cila konsiderohet shpesh si më e besuara në rajon, e ka humbur reputacionin e saj teksa shumë raste serioze të dhunës dhe shkeljes së rregullave policore po dalin në sipërfaqe, ndërsa Hong Kongu ka hyrë në muajin e tetë të protestave kundër politikave qeveritare që frenojnë të drejtat demokratike.
Më 11 nëntor, një polic rrugor qëlloi tre herë me armë mbi dy protestues të paarmatosur në një distrikt në lindje të ishullit të Hong Kongut herët në mëngjes gjatë një greve që u zhvillua në mbarë qytetin.
Protestuesit po bllokonin rrugët jashtë një daljeje të stacionit të metrosë, Sai Uan Ho. Rreth orës 7:15 të mëngjesit një polic u përpoq të ndiqte disa këmbësorë, më pas nxori pistoletën e tij të shërbimit dhe shënjestroi në drejtim të këmbësorëve, sipas filmimeve të marra nga Cupid Producer. Pastaj polici kapi një protestues të veshur me të bardha dhe hapi zjarr mbi një protestues tjetër të veshur me të zeza, i cili u plagos në stomak.
Të shtënat ndaj protestuesve të paarmatosur
Një tjetër protestues me të zeza shihet teksa përpiqej t'i merrte armën oficerit, i cili qëlloi edhe dy herë të tjera.
Njolla gjaku u panë në tokë teksa dy protestuesit u rrëzuan. Një protestues dukej i vetëdijshëm, teksa tha emrin e tij. Mirëpo protestuesi tjetër nuk u përgjigj.
Më pas kalimtarët u përplasën me policinë e cila u përgjigj me sprej me piper. Një grua u përpoq t'i afrohej protestuesit që kishte humbur ndjenjat, por u ndalua nga një oficer policie.
Të dy protestuesit më pas u morën nga një ambulancë.
Protestuesit anembanë Hong Kongut u përpoqën të ndalojnë qarkullimin e trenave të mëngjesit të hënën më 11 nëntor, si pjesë e një plani më të gjerë për të mobilizuar njerëzit për një grevë të përgjithshme. Arrestime u kryen në të gjithë Hong Kongun, duke përfshirë Tuen Mun, Uong Tai Sin dhe Sha Tin. Shërbimet e Hekurudhës (MTR) u ndërprenë në disa linja kryesore, përfshirë linjën Kvun Tong, Tung, linjën hekurudhore lindore dhe linjën Ma On Shan. U prekën gjithashtu shërbimet e hekurudhës së lehtë.
Protestat u përshkallëzuan pas vdekjes së një studenti
Demonstruesit kanë premtuar një përshkallëzim të protestave pas vdekjes së 22 vjeçarit Aleks Çou Tsh-lok më 3 nëntor, i cili nuk mundi dot t'i mbijetonte plagëve të marra nga rënia nga kati i parë i një parkimi. Ndërsa shkaku i vdekjes së Çaos mbetet i paqartë, policia speciale po kryente operacione shpërndarëse gjatë kohës së rënies së tij rreth orës 1 të mëngjesit, më 3 nëntor.
Një numër punonjësish mjekësorë thanë se dëmtimi i Çaos ishte dyshues, pasi të gjitha çarjet ishinnë kokën dhe në kockat e ijeve të tij. Një mjek i shquar kirurg për ndërhyrjet në tru beson se Çao mund të ketë qenë i pavetëdijshëm gjatë rënies, ndërsa lartësia e rënies së tij ishte vetëm katër metra, dhe një kërcim ose hedhje e vetëdijshme do të kishte më shumë gjasa të rezultonte me kocka të thyera, në duart dhe në këmbët e tij.
Më 9 nëntor, mijëra vetë u mblodhën jashtë selisë së qeverisë duke vajtuar për vdekjen e Çaos. Ata shprehën besimin e tyre se qeveria dhe policia speciale duhet të fajësohen për vdekjen e tij. Një 40 vjeçarar i tha HKFP:
Kjo nuk duhet të kishte ndodhur. Dua të di të vërtetën. Edhe pse policia u përpoq të thoshte se nuk kishte të bënte fare me ta, unë nuk e besoj, nuk e besoj fare. E kanë humbur besimin.
Përdhunim i dyshuar në grup nga katër persona në stacionin e policisë
Zemërimi u rrit teksa publiku dëgjoi për herë të parë rreth një akuze përdhunimi në grup brenda një stacioni policie në Tsuen Uan që kishte ndodhur më herët në shtator. Forcat e policisë kanë konfirmuar se kishin marrë një ankesë të tillë më 22 tetor, por pretenduan se akuzat nuk përputheshin me rezultatet e hetimit.
Detajet e akuzave për përdhunim në grup në fillim dolën në internet dhe u pasuan me zbulimin e tyre nga Apple Daily news. Viktima e dyshuar është një 18-vjeçare, e cila abortoi në spitalin Mbretëresha Elizabetë, më 5 nëntor.
Me aq sa thuhet, ajo u ndalua teksa po kalonte pranë stacionit policor të qarkut të Cuen Uan në mes të shtatorit. Pavarësisht nga fakti se ajo nuk kishte veshur rroba të zeza (shumica e protestuesve veshin rroba të zeza për të shprehur pikëpamjet e tyre politike) dhe nuk kreu ndonjë akt protestues, ajo thuhet se u mor brenda stacionit dhe u përdhunua nga katër burra të maskuar.
Në raportin e Apple Daily thuhet se vajza kishte simptoma të depresionit pas incidentit dhe fillimisht ngurronte që të paraqiste një ankesë në polici. Ajo zbuloi se ishte shtatzënë pas një vizite në spital në mes të tetorit dhe i tregoi personelit mjekësor rreth përvojës së saj, ndërsa shoqërohej nga e ëma.
Një faqe në Facebook, HA secrets, e cila administratohet nga punonjës të spitaleve publike, njoftoi se ADN-ja e fetusit ishte mbajtur si provë për identifikimin e autorëve të krimit.
Më 26 tetor, katër ditë pasi zyra e ankesave të policisë u njoftua rreth incidentit, një zëdhënës i policisë tha se “nuk kishte marrë ndonjë ankesë për sulm seksual” në qendrën San Uk Ling, një strukturë e veçantë e cila është kritikuar si famëkeqe për abuzimin e të burgosurve. Në atë kohë, policia nuk tha nëse kishte marrë ndonjë ankesë për sulme seksuale në lidhje me stacionin policor të Tusen Uan apo struktura të tjera policore.
Ekspertët ndërkombëtarë bëjnë thirrje për një hetim të pavarur të veprimeve të policisë
Sondazhet tregojnë se shumica e popullit të Hong Kongut nuk i besojnë fare policisë dhe kërkojnë një hetim të pavarur mbi përdorimin abuziv të forcës nga policia.
Profesori Kliford Stot, dekan i Fakulteti të Shkencave Natyrore të Universitetit Kele në Mbretërinë e Bashkuar, është një nga pesë anëtarët në panelin ndërkombëtar të ekspertëve, i cili u ngrit në fillim të shtatorit për të ndihmuar IPCC në studimin e vet tematik të protestave.
Më 9 nëntor, ai shkroi në Twitter duke thënë se mekanizmit aktual nën IPCC i mungon pushteti dhe kërkoi për një hetim më tërësor nga një grup i pavarur me më shumë kompetenca:
International Experts Panel for Hong Kong Independent Police Complaints Council study into the disturbances concludes a need to substantially enhance IPCC capacity, which if addressed may allow their Thematic Study to provide a compelling case for next steps. pic.twitter.com/mMw4lQiUuU
— Clifford Stott (@cliffordstott) November 9, 2019
Studimi i Panelit ndërkombëtar të ekspertëve për këshillin e ankesave të policisë së Hong Kongut rreth shqetësimeve del në konkluzionin e nevojës për të rritur ndjeshëm kapacitetin e IPCC, që nëse adresohet mund të lejojë që studimi i tyre tematik të jetë një rast bindës për hapat e ardhshëm.