- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Personazhi i njohur i TikTok, Nekoglai u deportua nga Rusia në Moldavi me shenja torture

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Bjellorusia, Moldavia, Rusia, Ukraina, Aktivizmi dixhital, Censura, Liria e fjalës, Lufta e konflikti, Media e qytetarëve, Migrimi e emigracioni, Protesta, Të drejtat e njeriut, GV Advocacy

Nekoglai, para dhe pasi u dërgua në qendrën e dëbimit në Moskë. Kolazh i bërë nga Daria Dergacheva me një prej videove [1] të Nekoglai dhe postimit [2] në Telegram të RIA Novosti.

Personazhi i njohur i TikTok, Nekoglai [3] ka 9.6 milionë ndjekës dhe është një sensacion mes adoleshentëve. Ai jeton në Moskë dhe videot e tij zakonisht e bëjnë të sinkronizojë buzët me një këngë në sfond. TikTok ka përmbajtje në rusisht. Më 8 nëntor 2022,  Nekoglai [3] regjistroi një video-parodi [4] të një ushtari rus. Videoja origjinale u publikua nga një kanal në Telegram [5] i propagandës pro-luftës dhe tregon një ushtar të shtrirë, i vetëm në një llogore, përpara se të qëllohej me dy granata nga një dron (i pretenduar si) ukrainas dhe t'i merrte ato me dorë dhe t'i hidhte [6]. Në videon e tij parodi, blogeri adoleshent Nekoglai u shtri në një tapet [7] dhe largoi “granatën”.

Ai u raportua për realizimin e kësaj videoje nga Ekaterina Mizulina [8], kreu i “Ligës për Internetin e Sigurt” (një fondacion [9] i lidhur me shtetin rus) i cili ështe përgjegjës i shumë kufizimeve të vendosura në internetin rus. Ajo është vajza e deputetes famëkeqe ruse Elena Mizulina [10] (e cila ishte autore e disa legjislacioneve represive [11] mbi LGBTQ+ [12] dhe ‘vlerat familjare’). Mizulina tha [13] në kanalin e saj në Telegram se do t'i bënte thirrje policisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të parë videon e Nekoglait sepse ajo “po diskrediton ushtrinë ruse”.

Nekoglai është shtetas i Moldavisë. Për shkak të akuzës së Mizulinës, ai u arrestua më 9 nëntor për “thyerje të ligjit të imigracionit” dhe u vendos në një qendër paraburgimi për emigrantët, pas së cilës gjykata e rajonit Presnya të Moskës vendosi shpejt për ta dëbuar [15] atë në Moldavi. Avokatët e blogerit e apeluan vendimin, por gjykata e qytetit të Moskës e mbështeti vendimin më 11 nëntor. Pas vendimit të gjykatës, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti publikoi [2] një video të Nekoglait pa flokët e tij tipikë dhe vetullat e rruara dhe fytyrën me shenja nga rrahjet. Në video, blogeri thotë: “Tani e kuptoj vërtet se çfarë gabimi bëra. Më vjen keq, më vjen shume turp. Mendoj se po të kisha qenë në vendin e atij ushtari në llogore, nuk do të kisha shpëtuar. Ndjehem si një kafshë. Më fal, të lutem, nëse është e mundur.”

Kjo nuk është hera e parë që policia ruse dhe makina propagandistike kanë përdorur video turpëruese për të ndëshkuar mospajtimin dhe për të nxitur frikën tek të tjerët. Siç shkruan BBC [16], ky “ritual faji dhe turpi” është përdorur gjithnjë e më shumë nga policia, fillimisht në republikat e Kaukazit të Veriut dhe më pas në të gjithë Rusinë [16], për të treguar publikisht “pendimin” dhe frikën e atyre që protestojnë. Të njëjtat taktika u zbatuan edhe nga regjimi i Llukashenkos [17] në Bjellorusi pas protestave masive që shpërthyen kundër zgjedhjeve të vjedhura në 2020.

Siç raporton Meduza [15], mbrojtësit e Nekoglai sugjeruan se blogeri po keqtrajtohej në qendrën e paraburgimit. Avokati pyeti nëse ishte përdorur forcë fizike kundër tij, për të cilën Nekoglai, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, “me lot në sy [18]” u përgjigj “jo” dhe tha: “Unë thjesht dua të dëbohem më shpejt, nuk dua të pres, dua të shkoj në shtëpi. Më vjen shumë turp, më vjen shumë keq për gjithçka”.

Një nga komentet në videon e Nekoglait në TikTok [19] thoshte, në rumanisht: “Brat noi te așteptăm mai repede la Moldova ca aici contentul tau va fi mult mai interesant , tot va fi bine!” [Vëlla, ne po të presim në Moldavi sa më shpejt të jetë e mundur, sepse këtu përmbajtja jote do të jetë shumë më interesante, do të jetë akoma e mirë!].