- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Prezantuesja: Jo probleme madhore me lajmet e rreme në Kroaci

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Kroacia, Liria e fjalës, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Politika
[1]

Damira Gregoret. Foto nga faqja e saj në Facebook [2].

Kjo intervistë fillimisht u publikua në Agjencinë e Lajmeve Meta.mk [3], një projekt i Fondacionit Metamorfosis. Një version i redaktuar botohet më poshtë, si pjesë e një marrëveshje për shkëmbimin e përmbajtjes.

Damira Gregoret [4] është një gazetare e politikës dhe një prezantuese e lajmeve në RTL Kroaci [5]. Në tetor 2018, ajo ishte në vëmendjen e medias lokale pasi i bëri një pyetje kryeministrit kroat Andrej Plenković gjatë një konference për shtyp, të cilës ai iu përgjigj [6], në mënyrë patronizuese: “Ju jeni kaq e ëmbël, Damira.” Më vonë ai i kërkoi falje publikisht.

Meta.mk foli me të për klimën e mediave dhe dezinformimin në Kroaci në prag të zgjedhjeve presidenciale, më 20 janar 2020.

Meta.mk: A është i aftë publiku i gjerë të njohë lajmet e rreme dhe në ç'masë janë ato të pranishme në mediat kroate?

Damira Gregoret (DG): Në pesë-gjashtë vitet e fundit, ne kemi pasur probleme me njohjen e dezinformatave, lajmeve të rreme. Edhe pse nuk mund të jem e sigurt se si duhet ta quaj këtë, d.m.th. nëse ndonjë informacion që gazetari transmeton për shkak të mos njohjes më të mirë ose për shkak të mungesës së njohurive është një lajm i rremë ose thjesht dezinformim. Nga ana tjetër, është e qartë se lajmet e rreme janë diçka që botohet me qëllim.

Meta.mk: Cili është burimi kryesor i lajmeve të rreme

DG: Unë do të thoja që ne në Kroaci nuk kemi asnjë problem të madh me lajmet e rreme, të paktën jo në mediat kryesore, por ka një shtrembërim të caktuar të fakteve në kufijtë e skenës së mediave, të cilat mund të karakterizohen si një lajm i rremë. Kjo është diçka që nuk është kthyer në një problem të madh, sepse mediat kryesore në Kroaci, për fat të mirë, janë akoma mbizotëruese, por sigurisht, fenomeni duhet të zbulohet dhe duhet të ketë një reagim. Pyetja është si? Unë jam e shqetësuar për të dhënat në lidhje me Serbinë dhe është e pabesueshme se si ai vend e ka sjellë veten në situatën ku ndodhet tani. Çështja ka të bëjë ndoshta me sinergjinë e përbashkët, d.m.th shoqërinë e cila jo domosdoshmërisht duhet të jetë brenda kornizës së një shteti. Gazetarët duhet të jenë më të kujdesshëm dhe në fund të fundit, të informojnë më shumë institucione, përfshirë Komisionin Evropian.

Meta.mk: Kush është kryesisht në shënjestër të lajmeve të rreme në Kroaci? 

DG: Migrantët, por do të them përsëri se po ndodh në kufijtë e skenës së mediave, ku numri i migrantëve është shumëfishuar jashtë përmasave dhe nga ana tjetër ka pasur paralajmërime se migrantët janë agresivë, që në rrethana të caktuara mund të ndodhë. Por një gazetar duhet të ushtrojë diskriminim pozitiv, d.m.th. të mos publikojë çdo lajm që mund të çojë në urrejtje bazuar në këtë. Mbaj mend tekstin se migrantët kanë sulmuar dhe plaçkitur disa shtëpi, dhe vetëm ditën tjetër mbërritën informacione nga policia se ishte vetëm një shtëpi dhe se nuk ishte grabitur nga migrantët. Në atë mënyrë, frika e migrantëve që përhapet në të gjithë Evropën, është e pranishme këtu dhe përdoret për krijimin e një lajmi të rremë.

Meta.mk: A ka shumë reagime nga qytetarët, shoqëria, publiku, institucionet

DG: E kam të vështirë të shpjegoj përmes numrave dhe fakteve se si secila palë reagon. Unë mendoj se njerëzit janë të prirur ta besojnë këtë lloj lajmi të rremë, sepse është më i thjeshtë – njerëzit ndjehen të sigurt brenda kufijve të vendit të tyre, ku nuk ka të huaj që prishin rendin. Por unë mendoj se duhet të ketë një përgjegjësi nga ana e mediave dhe që mediat janë ato që duhet të pozicionohen vetë dhe të heqin këtë frikë. Sigurisht, jo duke mos informuar, por vetëm duke u shpjeguar njerëzve se në të gjithë situatën ju akoma duhet të veproni si një njeri. Ata duhet të veprojnë në mënyrë njerëzore.

Meta.mk: Mund të na shpjegoni se si trajtohen këto çështje në Kroaci- a ka rregulla specifike për gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme

DG: Ka pasur diskutime për të edhe pse është e vështirë për mua të imagjinoj sesi do të rregullohej. Jam e sigurt se mund të gjendet një mënyrë. Ekziston një kod i gazetarëve që nuk përmend asnjë sanksion brenda tij. Shoqata Kroate e Medias është aktive në këtë fushë, por vetëm si një rezervë. Ne gjithmonë mund të bëjmë më shumë në luftën kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes, por situata nuk është alarmante.