Sondazhi: Shumica në Hong Kong ka humbur besimin ndaj policisë

Shkrimi në sfond ështe një tallje me “policin e keq e të paarsimuar”. Foto e marrë nga Stand News.

Qeveria e Hong Kongut e tërhoqi zyrtarisht projektligjin e ekstradimit më 23 tetor, por protestat vazhdojnë dhe çështja e brutalitetit policor dhe përdorimit abuziv të forcës ka zëvendësuar projektligjin e ekstradimit si shqetësimin kryesor të qytetit.

Forca policore e Hong Kongut, e cila u kurorëzua më e mira e Azisë që nga vitet '80, ka humbur masivisht mbështetjen publike që kur shpërthyen protestat kundër ekstradimit në qershor. Aktualisht, më shumë se gjysma e popullsisë së qytetit nuk ka fare besim në forcën policore sipas një sondazhi  të kryer nga  Qendra për Komunikimin dhe Opinionin Publik e Universitetit Kinez të Hong Kongut (CUHK).

Brutaliteti policor ka kthyer një kërkesë në pesë kërkesa

Siç u vu në dukje nga Martin Purbrik, një ish oficer i policisë së Hong Kongut në inteligjencën kundër terrorizmit, në një gazetë kërkimore botuar në mes të tetorit, kaosi politik në Hong Kong ka lidhje me “përdorimin pa dallim të forcës” nga policia kundër “të gjithë turmës së protestuese prej dhjetra mijëra vetësh” në vend të disa qindra që kishin nxitur dhunën. Incidenti historik ndodhi më 12 qershor, kur policia lëshoi më tepër se 150 raunde gazi lotsjellës ndaj turmave protestuese dhe e etiketoi protestën një “trazirë”, një shkelje që merr dënimin maksimal prej dhjetë vjetësh burg.

Që nga ajo ditë, kërkesa e vetme e protestës, tërheqja e projektligjit të ekstradimit, është shndërruar në pesë kërkesa: një hetim i pavarur i përdorimit abuziv të forcës nga policia e Hong Kongut, tërheqja e termit të trazirave, amnisti për të arrestuarit dhe e drejta universale për zgjedhjen e Këshillit Legjislativ dhe guvernatorit.

Sondazhi i CUHK-së, i cili ka filluar në maj, thotë se përpara protestave kundër ekstradimit, norma zero-besim ishte vetëm 6.5 për qind dhe më pak se 30 për qind shprehën mosbesim ndaj forcës policore të qytetit. Pas 12 qershorit, norma zero e besimit u rrit në 22.5 për qind, por shumica e të përgjigjurve ende i besonin policisë. Qendra kërkimore ka kryer deri tani pesë raunde sondazhesh nëpërmjet vëzhgimeve të rastit dhe të anketuarve iu kërkua të vlerësojnë besimin e tyre tek policia nga zero (i dobët) në dhjetë (i fortë) midis pyetjeve të tjera.

Leung Kai Çi një anëtar i skuadrës kërkimore përmbledh raundin e pestë:

Anketa e fundit: 51.5% thonë se nuk kanë besim tek policia e Hong Kongut. Më shumë se gjysma për herë të parë. Mbi 70% thonë se nuk i besojnë policisë. Ne po zhvillojmë tani një eksperiment gjigant social rreth “dhunës pa legjitimitet në një qytet botëror”.

Vetëm pas  sulmit të një turme në Yuen Long në 21 korrik, mbështetja publike për policinë mori një rënie më serioze. Rezultatet e CUHK-së të lidhura me një sondazh tjetër të kryer nga Instituti i Opinionit Publik të Hong Kongut nga 24-26 korrik 2019, në të cilin 79 për qind e të përgjigjurve mbështetën ngritjen e një komisioni të pavarur hetimi dhe 73 për qind mbështetën tërheqjen e plotë të projektligjit.

Ndërsa rezultatet e sondazhit nënkuptojnë se “përdorimi pa dallim i forcës” më 12 qershor u perceptua si një gabim në gjykim, mungesa e forcës policore gjatë sulmit të turmës pro-Pekinit në Yuen Long dhe refuzimi i qeverisë për të hetuar sulmet e policisë ka shkatërruar besimin publik te policia.

Mungesa e drejtësisë dhe kaosi pa ligje

Sulmet kundër protestuesve nga përkrahësit e Pekinit u përsëritën dhe në disa raste të tjera, duke përfshirë sulmet e Tsuen Wan dhe North Point, policia nuk ndërmori ndonjë veprim për të ndaluar protestuesit pro-Pekinit nga taktikat e tyre agresive. Nga ana tjetër, sulmet sollën një numër të plagosurish. Më poshtë është një listë me të tilla raste:

  • Më 5 gusht, një protestues 18-vjeçar u pre në kokën e tij, krahun dhe këmbën në Tsuen Uan nga dy banditë me këmisha të bardha.
  • Më 20 gusht, tre persona u sulmuan nga një njeri me thikë pranë Murit Lennon në Tseung Kwan. Një gazetare u godit në gjoks.
  • Më 16 tetor, Xhimi Sham, kreu i Grupit të Demokracisë së Hong Kongut, pjesë e  Frontit të të Drejtave Civile të Njeriut u sulmua me shufra metali nga 4-5 burra të maskuar në Mong Kok.
  • Më 19 tetor, një 19-vjeçar u godit me thikë në qafë dhe stomak nga një turist kinez afër Murit Lenon në distriktin Taipo.
  • Më 3 nëntor, këshilltarit të qarkut pro-demokracisë iu kafshua veshi nga një njeri që po sulmonte një çift me thikë. Pesë u lënduan dhe njëri që u plagos nga sulmuesi ishte në gjendje kritike.

Emergjenca e vigjilentëve

Ndërsa protestuesit kanë humbur besimin te forca policore, disa radikalë kanë marrë masa vetëmbrojtëse për të luftuar, duke marrë kështu formën e vigjilentëve. Për shembull, më 8 tetor, pasi një shofer taksie përplasi makinën e tij në turmat e protestës dhe plagosi të paktën një protestuese në Cheung Sha Wan, shoferi u rrah rëndë dhe u shtrua në spital. Pas incidentit, një organizatë pro-Pekinit dhe mbështetëse e policisë dhuroi gjysmë milioni dollarë hongkongezë, afërsisht 68000 dollarë për shoferin e taksisë, ndërsa një protestues 20-vjeçar anti-qeveritar që u shfaq në vendin e përplasjes së makinës u arrestua për rebelim.

Më tepër se gjysma e të anketuarve në sondazhin e CUHK-së pranuan aktin radikal të drejtësisë jashtë kornizave ligjore:

A janë njerëzit OK me vigjilentët? Me sa duket po. Njerëzit nuk kanë më besim në polici, kështu që është në rregull për t'i zgjidhur gjërat vetë. Por vetëm për t'i vënë njerëzit nën kontroll.

Në të njëjtën kohë, policia është bërë më agresive në përgjigjen ndaj protestave që nga gushti. Një nga skenat më të dhunshme u bë ndërsa policia speciale sulmoi stacionin e metrosë Princ Eduard me shkopa gome dhe sprej me piper, duke arrestuar pa dallim pasagjerët brenda stacionit më 31 gusht pas një “tubimi të autorizuar” që u bë në ishullin e Hong Kongut.

Kuptimi publik i dhunës së protestuesve

Në reagim ndaj brutalitetit policor, një cikël vicioz dhune u shfaq në shtator. Protestuesit hodhën molotovë ndërsa policia lëshoi gaz lotsjellës dhe qëlloi me plumba gome. Megjithatë, opinionet e njerëzve nuk ndryshuan. Në fakt, më shumë të anketuar thanë se përshkallëzimi i dhunës së udhëhequr nga protestuesit ishte “i logjikshëm”:

Pas një muaji vandalizmi dhe molotovi, shifrat mbi dhunën e protestës çuditërisht nuk ndryshuan shumë (brenda kufirit të gabimit). Shpjegimi i mundshëm: njerëzit janë kaq të mërzitur me brutalitetin policor saqë dhuna në rritje e protestës është e pranueshme.

Nga ana tjetër, njerëzit janë më skeptikë për operacionet policore siç tregohet në perceptimin e tyre për vrasjen e një protestuesi adoleshent me plumba të vërtetë në rreze të ngushtë veprimi në Tsuen Van në 1 tetor:

Po për plumbin e vërtetë të përdorur në Tsuen Wan? Përgjigja dërrmuese: policia bëri një gabim.

Deri në mes të tetorit, 51.5 për qind e të anketuarve nga sondazhi i CUHK-së shprehën zero-besim tek policia. Propozimi i një ristrukturimi në shkallë të madhe të forcës policore, që u paraqit nga aktivistët pas incidentit të stacionit Princi Eduard më 31 gusht, ka fituar mbështetje të fortë publike sipas të njëjtit sondazh. Sondazhi i CUHK-së në tetor tregoi se pothuajse 70 për qind e të anketuarve mbështetën reformën radikale të policisë së qytetit:

Kjo është hera e parë që bëjmë një pyetje mbi “ristrukturimin në shkallë të gjerë” të forcës policore, të cilësuar ndonjëherë si “kërkesa e gjashtë”. Rezultati është padyshim po.

Qeveria e Hong Kongut nuk ka marrë asnjë masë për të trajtuar krizën e besimit të policisë. Përkundrazi, shefja ekzekutive Carrie Lam ka thirrur Urdhëresën e Emergjencës dhe autorizuar një Ligj Anti-Maskë, që i kanë dhënë forcës policore të qytetit pushtet të pakufizuar për të shtypur protestat.

Protestat katër mujore kanë rezultuar në 1,235 qytetarë të plagosur. Përveç kësaj, 300-400 protestues kanë marrë trajtim mjekësor në klinika të fshehta nga frika se do të arrestohen në spitale. Policia ka përdorur gati 6000 granata gazi lotsjellës dhe ka arrestuar më shumë se 3000 protestues.  Një e treta e të arrestuarve janë studentë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.