Twitter dhe Facebook pezullojnë llogaritë e lidhura me qeverinë kubaneze

Ilustrim nga Global Voices

Ky artikull u shkrua nga një autor anonim në Kubë me pseudonimin Luis Rodriguez.

Vetëm disa ditë përpara votimit për embargon e SHBA-së ndaj Kubës në Kombet e Bashkuara, në javën e fundit të tetorit, kompanitë amerikane të rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter pezulluan ose etiketuan disa llogari të lidhura me qeverinë kubaneze. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi edhe në vitin 2019 Twitter pezulloi llogaritë që lidhen me qeverinë. Ajo që është e paprecedentë për Kubën është se Twitter etiketoi disa llogari si “të lidhura me qeverinë”.

Nga ana tjetër, qeveria kubaneze ka censuruar për vite me radhë aksesin në internet për kundërshtarët kubanezë dhe ata që protestojnë kundër kushteve në vend. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Kuba është “vendi më i censuruar në të gjithë hemisferën”.

Vitet e fundit, Kuba përballet me krizën e saj më të madhe politike dhe ekonomike – dhe ky realitet ka kaluar nga sfera fizike në atë virtuale. Ndërsa kriza u thellua, regjimi ka rritur praktikat e tij represive në sferën e komunikimit, jo vetëm përmes linçimeve shpifëse mediatike kundër aktivistëve të të drejtave të njeriut, gazetarëve dhe artistëve të pavarur në mediat shtetërore, por edhe në llogaritë e mediave sociale të zëdhënësve pro-qeveritarë.

La Joven Cuba, një media e pavarur që shpesh censurohet nga regjimi, kritikoi vendimin e platformave të mediave sociale me arsyetimin se nuk i shërben pluralizmit të nevojshëm në një kontekst siç është ai kubanez, që po bëhet gjithnjë e më i polarizuar dhe konfliktual. “Ndërsa disa [llogari] kishin mesazhe diskriminuese, ngacmime dhe vrasje të karaktereve, jo të gjithë postuan këtë lloj përmbajtjeje,” shkroi media në faqen e internetit.

Më 25 tetor, Facebook pezulloi llogarinë e Razones de Cuba (e cila, sipas mediave lokale, administrohet nga Sigurimi Shtetëror Kubanez) dhe mediave të tjera proqeveritare që konsiderohen si troll, si llogaria “El guerrero cubano“.

Razones de Cuba, e cila kishte hapur një version të faqes së saj në Facebook, ka një artikull që thotë se “misioni i kësaj organi shtypi që nga dalja e tij ka qenë të denoncojë veprimtarinë terroriste dhe subversive të qeverisë amerikane në të gjitha sferat e shoqërisë antile”, ndërsa regjimi kubanez deklaroi se vendimi i Facebook “kërkon të heshtë zërin e popullit kubanez në sferën dixhitale”. Twitter bllokoi llogarinë e programit televiziv Con Filo të drejtuar nga Michel Torres Corona, që gjithashtu mbetet i pezulluar deri në publikimin e këtij artikulli.

Foto nga llogaria e “Con Filo” në Twitter më 3 nëntor 2022.

Twitter gjithashtu etiketoi mediat pro-qeveritare dhe shtetërore kubaneze si Cubadebate, Juventud Rebelde dhe gazetën Granma si “media të lidhura me qeverinë”. Kjo politikë e Twitter filloi në vitin 2020 dhe etiketon mediat e lidhura me qeverinë, si dhe përfaqësuesit e qeverisë nga disa vende, duke përfshirë Kinën, Francën dhe Serbinë. Twitter shpjegon në faqen e tij të internetit se: “etiketat në llogaritë e lidhura me shtetin ofrojnë kontekst shtesë në lidhje me llogaritë që kontrollohen nga disa përfaqësues zyrtarë të qeverive, entitete mediatike të lidhura me shtetin dhe individë të lidhur me ato entitete.”

Foto e 3 nëntoriit e llogarisë së Granma në Twitter, tashmë e shënuar si “media e lidhur me qeverinë, Kubë”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.