- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Fëmijëritë e humbura në luftën e Afganistanit

Kategoritë: Azia Qendrore e Kaukazi, Afganistani, Arsimi, Lufta e konflikti, Media e qytetarëve, Politika, Të rinjtë
[1]

Mohammad Hazrati kujton djalin e tij adoleshent Saleh Mohammad, që vdiq në një sulm vetëvrasës. Foto nga Ezzatullah Mehrdad, e përdorur me leje

Saleh Mohammad ishte duke luajtur si zakonisht në oborrin e shtëpisë së familjes së tij në Kabul në fund të gushtit, kur ai u hodh mbi një bllok druri, u lëndua në këmbë dhe humbi njërën prej tyre. Por kjo nuk e pengoi atë të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme që familja e tij ishte përgatitur në të njëjtën ditë, në mbrëmje: dasma e motrës së tij.

Ndërsa muzikantët filluan të luanin, Saleh u ul për të shijuar festën. Por gëzimi i tij ishte i shkurtër: mes të ftuarve ishte dhe një kamikaz, besnik ndaj Shtetit Islamik, i cili shpërtheu një bombë. Ky ishte fundi i dasmës, dhe jetës së Saleh. Ai ishte trembëdhjetë vjeç.

Ndërsa Ghulam Mohammad Hazrati, babai, po evakuonte furishëm dhjetëra trupa të mysafirëve, ai nuk mund të gjente asnjë gjurmë të djalit të tij Saleh. Ai kontrolloi spitalet aty pranë, por pa sukses. Përfundimisht, ai vuri re një trup të dëmtuar rëndë në oborr dhe siç shpjegon: “Ne e identifikuam trupin përmes thonjve të tij të hequr”.

Ky sulm la 92 të vdekur [2], përfshirë adoleshentë dhe fëmijë të shkollës, si Saleh.

Duke pasur parasysh që afro gjysma e popullsisë së Afganistanit është nën 15 vjeç, fëmijët janë prekur më së shumti nga lufta që vijon: kamikazë ose autobomba, drone, sulme nate, luftime të gjera, kanë vrarë shumë afganë.

Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar 14 mijë “shkelje të rënda” ndaj fëmijëve në katër vitet e fundit të luftës në Afganistan. Konflikti ka marrë jetën e afro 3500 të rinjve dhe të plagosur rezultojnë mbi 9000 persona nga 2015 në 2018. Grupet e armatosura të kryengritësve janë përgjegjëse për 43 për qind të viktimave të fëmijëve, ndërsa forcat pro-qeveritare janë përgjegjëse për 30 për qind të viktimave, sipas OKB-së [3].

Për ata që i mbijetojnë sulmeve të tilla, trauma shpesh qëndron me ta përjetë. Organizata jofitimprurëse Save the Children tha [4] këtë vit se rreth 20 milion fëmijë zgjohen çdo ditë nga frika e shpërthimeve ose të shtënave me armë.

Kamaludin është një i ri 14-vjeçar, i cili i mbijetoi një autobombe talebane në Kabul në fillim të shtatorit. Ai kujton: “Unë kisha fjetur herët sepse duhej të shkoja në shkollë në mëngjes. Sulmi më zgjoi”. Vëllezërit e motrat e tij më të vegjël u nxorrën jashtë shtëpisë së tyre dykatëshe që u shemb plotësisht.

“Çështja kryesore është që ne nuk i pranojmë përvojat e fëmijëve të traumës dhe depresionit për shkak të ekspozimit të tyre ndaj dhunës,” thotë Freshta Karim, themeluese dhe drejtore e Charmaghz, një bibliotekë e lëvizshme që i shërben fëmijëve në Kabul. “Ata që janë në ekspozim të drejtpërdrejtë përjetojnë çrregullim stresi post-traumatik [5]“.

Dy sulmet e fundit demonstrojnë pasojat emocionale të luftës te fëmijët. Në një sulm me autobombë në korrik, Talibanët goditën një instalacion ushtarak afgan në orët e para të mëngjesit që përkojnë me kohën e shkollës në Kabul. Të paktën 26 nxënës u plagosën. Në një sulm tjetër me autobombë tjetër, Talibanët shënjestruan [6] zyrën e agjencisë së inteligjencës afgane pranë një shkolle private në Ghazni, në Afganistanin qendror. Sulmi vrau një nxënës dhe plagosi 60 të tjerë.

[7]

Një klasë e një shkolle të mesme private u shkatërrua nga një autobombë në pikën e kontrollit të qytetit Ghazni. Foto nga rrjetet sociale.

Shkollat pranë vendit të bombardimeve u mbyllën për disa ditë. Kur rifilluoi mësimi, nxënësit u kthyen në klasat e dëmtuara rëndë nga bombardimet. Situata është më e keqe në zonat rurale: Talibanët dhe forcat e sigurisë afgane shpesh përdorin ndërtesat e shkollave si baza dhe rrallë largohen.

Luftimet e gjera në terren mbeten arsyeja kryesore për mbylljen e shkollave. Sulmet ndaj shkollave afgane u trefishuan midis 2017 dhe 2018, sipas UNICEF [8].

Në maj të vitit 2019, agjencia e OKB-së për fëmijët tha se konflikti ka çuar në mbylljen e 1000 shkollave deri në fund të vitit 2018 dhe se vlerësohet [9] se 3.7 milion fëmijë afganë midis moshave nga 7 deri në 17 vjeç- gati gjysma e të gjithë fëmijëve në moshë shkollore në rang vendi — nuk shkonin në shkollë.

“Është dëmi më i madh për fëmijët në vend”, tha Karim. “Mundësia që talentet e tyre të lulëzojnë është hequr prej tyre. Lufta i pengon ata të zhvillojnë potencialin e tyre. Shkencëtarët e ardhshëm nuk kanë asnjë shans për tu dukur”.

“Lufta në Afganistan u ka hequr mundësinë për t'u rritur në një mjedis të shëndetshëm”, shtoi Karim. “Ata nuk mund të zhvillojnë mendimet kritike, gjë që i bën ata të prekshëm për shfrytëzim nga grupet ekstremiste, përfshirë Talibanët dhe Shtetin Islamik”.

Një brez i ardhshëm e i arsimuar ka të ngjarë të ndezë flakën e luftës së gjeneratës së ardhshme në vend, madje edhe me një marrëveshje të mundshme me grupin e talebanëve, një proces i gjatë paqeje që tashmë është zvarritur për vite me rradhë, pa ndonjë rezultat shumë domethënës. Por për fëmijët si Saleh Mohammad, një djalë në klasë të gjashtë, lufta i mori jetën e tij përpara se të shihte rezultatet e provimit.

Pak para dasmës së motrës së tij, Saleh Mohammad kishte dhënë provimin dhe po shijonte pushimin veror. Kur shkolla u rihap, babai i tij Hazrati mori rezultatet e provimit dhe u shpreh: “Muhamedi ishte shumë i mirë në shkollë. Unë shpresoja se ai do të mbaronte shkollën e mesme, do të studionte drejtësi në universitet, do të kishte një vend pune dhe do të ndërtonte një të ardhme”.