Kryeprokurori i Bullgarisë Sotir Tsatsarov refuzoi një kërkesë të partisë nacionaliste të ekstremit të djathtë VMRO-BND për të mbyllur Komitetin Bullgar të Helsinkit (KBH), një OJQ kryesore për të drejtat e njeriut në vend.
Më 30 shtator, Angel Dzhambazki, nënkryetar i VMRO-BND dhe anëtar i Parlamentit Evropian, dhe Aleksander Sidi, deputet bullgar, paraqitën një kërkesë zyrtare pranë prokurorit për shpërndarjen e KBH për “ndërhyrje në gjyqësor” dhe angazhimin në “aktivitete antikushtetuese, të paligjshme, të pamoralshme dhe haptazi anti-bullgare”, thuhej në një njoftim për shtyp të partisë.
Në një deklaratë të datës 8 tetor 2019, Tsatsarov tha se statuti i KBH nuk përfshin ndonjë veprim të ndaluar nga ligjet bullgare. Një lajm nga televizioni privat popullor Nova ishte:
Главният прокурор може да поиска заличаване на неправителствена организация, само при данни, че тя е свързана с терористична дейност или финансиране на такава, уточняват от обвинението.
Prokurori i përgjithshëm mund të kërkojë heqjen e një organizate joqeveritare [nga regjistri zyrtar i OJQ-ve] vetëm nëse provat në dispozicion sugjerojnë se ajo ka lidhje me aktivitetet terroriste ose financimin e veprimtarisë terroriste, shpjegoi zyra e tij.
Zyrtarët e VMRO-BND thanë se ata do të fillojnë procedurat ligjore për të kundërshtuar vendimin e prokurorit.
Më shumë se 100 organizata kanë shprehur mbështetje për KBH, midis tyre Amnesty International dhe Human Rights Watch. Më 7 tetor, Dzhambazki, i cili ishte një kandidat i pasuksesshëm për kryetar bashkie në Sofje në zgjedhjet e mbajtura më 27 tetor, deklaroi në një intervistë në TV se “më shumë organizata folën, rreth njëqind. Unë mendoj se të gjitha duhet të mbyllen”.
Çështja e Jock Palfreeman
Kërkesa e VMRO-së për ç'regjistrimin e KBH erdhi pasi një gjykatë e lartë i dha lirinë Jock Palfreeman, një shtetas australian, 32-vjeçar, i cili ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e një studenti bullgar gjatë një zënke në Sofje, në 2007. Komiteti Bullgar i Helsinkit i dha ndihmë juridike Palfreeman, i cili ka vuajtur 11 vjet nga dënimi i tij dhe thotë se ka vepruar në vetëmbrojtje.
Që nga arrestimi i tij, çështja ka qenë polarizuese në Bullgari. VMRO-BND pretendon se Komiteti Bullgar i Helsinkit ka ndikuar në mbylljen e çështjes, sepse gjyqtarët e përfshirë kishin marrë pjesë në trajnim të të drejtave të njeriut të organizuara nga OJQ-ja. Pasi Palfreeman u lirua në shtator, organizatat nacionaliste të ekstremit të djathtë organizuan një seri protestash në rrugë.
Presidenti i KBH, Krasimir Kanev thotë se aktivitetet e OJQ-së konsistojnë në ndërgjegjësimin për të drejtat e njeriut në burgje dhe që është keqinterpretuar nga krerët e VMRO-së si mbrojtje e kriminelëve nga ligji.
Ndërkohë, teksa lirimi me kusht i Palfreeman përfshinte një urdhër dëbimi në Australi, ai u mbajt në një qendër emigracioni në Sofje që nga lirimi i tij më 19 shtator. Në një deklaratë të datës 8 tetor, Human Right Watch kërkoi nga autoritetet bullgare të sqarojnë shkaqet e paraburgimit të tij:
“Palfreeman u urdhërua të lirohet nga një gjykatë e lartë në një vendim përfundimtar që nuk i nënshtrohej ankesës. Ai ka biletën e pasaportën. Australia dëshiron që ai të kthehet. Pse është akoma i arrestuar?”, tha Lydia Gall, studiuese e Evropës Lindore dhe Ballkanit në Human Rights Watch. “Sipas sundimit të ligjit, ju nuk mund t'i bllokoni njerëzit ose t'i parandaloni ata të largohen vetëm për të mbajtur qendrim – duhet të ketë një bazë të qartë ligjore ose është e paligjshme.”
VMRO-BND dyshohet se është njëra nga partitë më të pasura politike në Bullgari, që zotëron prona të paluajtshme të marra me ndihmën e autoriteteve në vitet '90. Në 2014-ën, ajo u bashkua në një koalicion të partive nacionaliste të quajtur Fronti Patriotik dhe në vitin 2017, koalicioni iu bashkua qeverisë aktuale bullgare të udhëhequr nga kryeministri i qendrës së djathtë Boyko Borisov.