Në një atomosferë të autocensurës në të cilën media ruse, nga frika e ligjeve represive, rrallë publikon dëshmi personale që mund të jenë kritike për autoritetet, dy burime të vogla rajonale online në rajonin e Uraleve u treguan të guximshëm për të publikuar thirrje nga të afërmit e ushtarëve të mobilizuar gjatë javës së fundit të tetorit 2022.
Ushtarët dhe të afërmit e tyre përdorin herë pas here mediat sociale pasi të jenë sistemuar dhe kur janë të aftë të përdorin teknologjinë, por në këtë rast, familjaret e ushtarëve ishin në gjendje të përshkruanin përvojat e tyre me ndihmën e gazetarëve profesionistë – shumë prej të cilëve janë nga e njëjta media. Mediat që më 2 mars, më pak se një javë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, thuhet se botuan slogane kundër luftës në faqen e parë të gazetave të tyre, për të cilat u gjobitën me 1.5 milionë rubla (afërsisht 24,000 dollarë).
Të afërmit, është e rëndësishme të theksohet, po kërkojnë vëmendjen e shoqërisë civile dhe qeverisë rajonale dhe jo ushtrisë apo presidentit Vladimir Putin, sepse “tashmë kanë thirrje kudo” dhe nuk kanë marrë përgjigjet që kanë kërkuar.
Gratë dhe nënat nga dy qytete të vogla në Urale, Serov dhe Severouralsk, dolën në media me shpresën për të rritur ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me kushtet me të cilat përballen ushtarët e mobilizuar së fundmi në fushën e betejës në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia– në këtë rast, rajoni i Luhanskut.
Në një video në YouTube, nëna e një ushtari thotë:
Dje më telefonoi djali. Kanë mbetur të braktisur, pa komandë, praktikisht pa armë, në të ftohtë, janë të gjithë të sëmurë. Postblloku [rus] nuk i lë ata të kalojnë për t'u kthyer [nga vija e frontit]. Ata konsiderohen si vullnetarë, edhe pse nuk janë. Ata nuk kanë oficerë komandues. Sot ata morën sërish një thirrje për t'i dërguar edhe një herë në betejë. Ata refuzuan, sepse nuk ishin të trajnuar për asgjë. Unë e kuptoj që ka luftë, por atë që thonë ata [autoritetet] në TV, [ushtarët e mobilizuar] nuk kanë asgjë nga këto. Prej disa javësh janë vetëm nën granatime me mortaja.
Një tjetër shton:
[Komandantët] u dhanë atyre një urdhër: ju duhet të shkoni në zonën e SVO -së [“operacion i posaçëm ushtarak,” pasi është e ndaluar ta quash pushtimin një “luftë” në Rusi]. Nëse refuzojnë, komandantët menjëherë i kërcënojnë ata me një vepër penale.
Babai i një ushtari ishte gjithashtu i shqetësuar për gjendjen e forcave:
Ata nuk kanë ushqim. Ata kanë 1.5 litra ujë për dy ditë, për dy persona.
Oksana nga Serov vajton:
Sot burri im telefonoi dhe tha se ishin dërguar në betejë […] Ata u hodhën atje gjatë natës, u braktisën, si qentë, në ndonjë mal […] 90 njerëz u çuan atje dhe vetëm 40 u kthyen nga mali.
Takimi u organizua me ndihmën e Komitetit të Nënave të Ushtarëve. Organizata jo-qeveritare nuk ka qenë shumë aktive në nivelin federal, por duket të jetë më e pranishme në rajonet ruse.
Kërkesa e të afërmve për ndihmë është kurajoze, duke patur parasysh miratimin nga Rusia të një serë ligjesh shtypëse mbi informacionin “fals” rreth luftës. Të flasësh është i vetmi opsion për ta për të provuar dhe shpëtuar djemtë e tyre, burrat dhe vëllezërit e tyre, për të cilët thonë se ju përgjigjën thirrjes së Putinit për mobilizim “pa ikur apo fshehur, duke pasur vetëm disa orë për tu bërë gati.”
Mobilizimi ushtarak filloi më 21 shtator dhe sipas zyrtarëve të qeverisë ruse, përfundoi në nëntor. Megjithatë, pasi nuk u nënshkrua asnjë dekret, procesi mund të vazhdojë në çdo kohë. Ndërkohë, qindra mijëra burra u larguan nga Rusia midis shtatorit dhe tetorit 2022 me qëllim që të shmangnin mobilizimin.