Coca-Cola, ndotësi më i madh i plastikës në botë, sponsorizon COP27. Ja pse ky është problem

Shishe plastike të Coca-Cola në një lumë. Foto nga Wikipedia (CC BY-SA 4.0)

Për ironi të fatit, Coca-Cola, ndotësi më i madh i plastikës në botë, po sponsorizon COP27, konferencën më të madhe vjetore mjedisore në botë, e cila do të zhvillohet në Sharm El Sheikh, Egjipt, nga 6 deri në 18 nëntor.

Ndërsa ka shumë për të kritikuar në lidhje me samitin e këtij viti COP27 (siç janë abuzimet e të drejtave të njeriut në Egjipt dhe goditja e shoqërisë civile), sponsorizimi i Coca-Cola është tepër problematik dhe madje mund të frenojë lëvizjet mjedisore dhe anti-plastikës.

Egjipti njoftoi marrëveshjen e sponsorizimit në fund të shtatorit, dhe Coke menjëherë përdori publicitetin pozitiv. Zv/presidenti i Coca-Cola Global për Politikat Publike dhe Qëndrueshmërinë, Michael Goltzman tha: “Përmes partneritetit me COP27, sistemi i Coca-Cola synon të mbështesë veprimin kolektiv kundër ndryshimit të klimës.”

Por aktivistët me të drejtë po zmbrapsen — dhe kundërshtimi po rritet.

E turpshme. Ndotësi më i madh i plastikës Coca-Cola po sponsorizon COP27P. 99% e plastikës është bërë nga lëndë djegëse fosile. Ky partneritet minon vetë objektivin e aktivitetit që kërkon të sponsorizojë

Organizata e shoqërisë civile, Clean up Kenya, e quajti këtë veprim “të neveritshëm” dhe vuri në dukje se gati gjysma e mbeturinave të shisheve plastike të gjetura në Kenia mund të gjurmohen te Coca-Cola.

Aktivisti i Ugandës për Klimën dhe ambasadori i UNOCHA, Nyombi Morris, tha për BBC: “Kur ndotësit dominojnë negociatat për klimën, ne nuk marrim rezultate të mira. Si një aktivist afrikan, jam i shqetësuar se më shumë liqene do të mbushen përsëri me plastikë.”

Banorët në vendet me të ardhura të ulëta kanë arsye legjitime për t'u zemëruar me Coke. Korporata gjigante ka shpenzuar miliarda dollarë për të futur produktin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, por rrallë bën përpjekje për të siguruar që këto vende të kenë infrastrukturë të përshtatshme për të menaxhuar mbetjet.

Indonezia, një vend i njohur për ndotjen nga plastika, e ka përjetuar këtë gjë. Sipas Nina van Toulon, themeluese dhe drejtoreshë e Platformës Indoneziane të Mbetjeve: “Ju shkoni në fshatin më të largët këtu dhe aty ka ujë dhe Kola në shishe. Por më pas banorët e fshatit i djegin. Këto kompani kanë punuar për t'i çuar produktet e tyre në këto fshatra, por nuk bëjnë përpjekje për të rimarrë plastikën nga fshatrat.”

Një peticion i change.org që kërkon që OKB-ja të heqë Coca-Cola-n si sponsor u krijua në tetor dhe deri më tani ka mbledhur mbi 236,000 nënshkrime. Organizatori, së bashku me peticionin postoi deklaratën e mëposhtme:

Unë isha delegat në COP26 në Gllazgou. Shumicën e ditëve ndjeva dëshpërim – disa ditë qaja. Infiltrimi i korporatave në konferencë ishte i neveritshëm – CEO-t e mbledhur të ndotësve më të mëdhenj të botës, duke lobuar paturpësisht tek politikanët për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të fryrë fitimet e tyre, duke na treguar se si mund ta shpëtonim planetin nëse blinim më shumë nga gjërat e tyre. Konferencat e COP supozohen të jenë mbledhje të liderëve kombëtarë, të angazhuar në negociata urgjente për të parandaluar ndryshimin e klimës, jo një mundësi shumë milionë dollarëshe për ndotësit e korporatave dhe lobistët e tyre. UNFCCC duhet të ndalojë marrjen e sponsorizimit nga korporatat sot – duke filluar me refuzimin e Coca-Cola si sponsor të COP27.

Ky është një rast tekstual i pastrimit të gjelbër të korporatave – Coca-Cola mund të forcojë emrin e markës së saj dhe të lidhet me lëvizjen mjedisore, duke e bërë të duket sikur është pjesë e zgjidhjes në vend që të trajtohet si një prej shkaktarëve kryesorë të problemeve.

Në realitet, një raport auditimi i markës, i vitit 2021 nga OJQ-ja Break Free From Plastic zbuloi se Cola-Cola është ndotësi më i madh i plastikës në botë për katër vjet me radhë. Megjithëse rezultatet e 2022 pritet që të dalin, ka të ngjarë që të kryesojë përsëri këtë vit.

Në 2019, kompania pranoi se përdor 3 milionë tonë metrikë ambalazhe plastike në një vit. Ajo gjithashtu prodhon 120 miliardë shishe plastike njëpërdorimshe çdo vit.

Aktivisti mjedisor John Hocevar, drejtor i fushatës së Greenpeace USA Oceans, thotë se sponsorizimi “minon vetë objektivin e aktivitetit që kërkon të sponsorizojë”. Duke shtuar se: “Coca-Cola prodhon 120 miliardë shishe plastike në vit – dhe 99 për qind e plastikës bëhet nga lëndë djegëse fosile, duke përkeqësuar si krizën plastike ashtu edhe atë klimatike”.

Problemi me plastikën i Coca-Cola

Në shkurt të këtij viti, Coca-Cola bëri një premtim klimatik se do të reduktojë prodhimin e plastikës me 25 për qind deri në vitin 2030; megjithatë, ajo nuk ka publikuar ndonjë plan konkret për ta bërë këtë dhe deri më tani, duket më e interesuar për të pastruar markën e saj sesa për të gjetur zgjidhje reale.

raportin e 2021, Break Free From Plastic zbuloi se në vitin 2019, Coca-Cola investoi 4.24 miliardë dollarë në reklama dhe marketing dhe vetëm 11 milionë dollarë në nismat e saj mjedisore atë vit: një program pastrimi lumi. Kjo ngjan më shumë si rreng publicitar, sesa një angazhim i vërtetë për pastrimin e komuniteteve të prekura nga ndotja plastike. Në raport thuhej:

Mënyra më e mirë për Coca-Cola për të trajtuar gjurmën e saj plastike është duke prodhuar më pak prej saj në radhë të parë, jo duke e pastruar pasi të jetë në mjedis. Ndotësit kryesorë të plastikës si Coca-Cola preferojnë të shpenzojnë para për larjen e gjelbër në vend që të ridizajnojnë paketimin e produkteve të tyre ose sistemin e dorëzimit të produkteve te konsumatorët. Duke dështuar të ndërmarrin veprime reale për të adresuar problemin në burim, këta ndotës të korporatave po ua kalojnë barrën atyre më pak përgjegjës për krizat klimatike dhe plastike – veçanërisht të rinjtë, komunitetet me të ardhura të ulëta dhe vendet në Jugun Global.

Provat vetëm konfirmojnë pohimin e Break Free From Plastic. Një raport investigativ dhe një regjistrim i publikuar nga The Intercept zbuloi se për dekada Coca-Cola loboi kundër politikave të kontrollit të plastikës në SHBA, gjë që do t'i bënte kompanitë përgjegjëse për mbetjet plastike që ato gjenerojnë. Ajo hodhi miliona për ligjet kundër riciklimit dhe refuzoi fort çdo përgjegjësi. Regjistrimet japin një pasqyrë të shëmtuar se si funksionon lobimi në sferën e mega-korporatave – me fjalë të tjera, paraja është fuqi dhe fuqia është ndikim.

Nëse do të bëjmë ndonjë ndryshim të qëndrueshëm, ky sistem duhet të ndryshojë. Korporatat nuk duhet të jenë në gjendje të paguajnë për të shpëtuar nga përgjegjësia e emetimeve. Nëse parashikimet klimatike janë të sakta, ne (në mënyrë optimiste) kemi rreth nëntë vjet për të shmangur katastrofën klimatike. Për ta bërë këtë, ndotësit e korporatave duhet të transformojnë rrënjësisht modelet e tyre të biznesit – ose ne si qytetarë duhet ta transformojmë atë për ta dhe të refuzojmë kompanitë që i shohin angazhimet mjedisore thjesht si një mjet marketingu të korporatës.

Derisa Coca-Cola të vijë në tryezë me mirëbesim, me një plan konkret qëndrueshmërie, nuk duhet marrë seriozisht si ofrues i zgjidhjeve klimatike – dhe sigurisht nuk duhet të sponsorizojë konferencën më të madhe mjedisore të vitit. Deri atëherë, është thjesht një korporatë tjetër që përpiqet të fitojë klientët, që ka vënë me një rimeso të gjelbër me shkëlqim.

Nëse organizatorët e COP27 dhe zyrtarët e OKB-së duan vërtet të bëjnë një ndryshim në luftën kundër ndryshimeve klimatike, ata duhet të mbajnë një qëndrim të ashpër dhe do të refuzojnë sponsorizimin e Coca-Cola.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.