- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Përdorimi i informacionit nga Kina për të promovuar skenarin e “pavarësisë” së Hong Kongut

Kategoritë: Azia Lindore, Hong Kong (Kinë), Kina, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Politika, Protesta, GV Advocacy
[1]

Parrulla në protestë: Pesë kërkesa, asnjë më pak. Foto nga Stand News.

Ky artikull është i bazuar në transkriptin kinez [2] të një fjalimi publik të Dr. Fu King-wa i Qendrës së Gazetarisë dhe Studimeve Mediatike të Universitetit të Hong Kongut në platformën e pavarur Matters.news.

Hulumtimi i ri nga Qendra e Studimeve për Gazetari dhe Media e Universitetit të Hong Kongut zbuloi se shpërndarja e dezinformatave në mediat sociale nga Kina i cilësoi protestat e Hong Kongut si një lëvizje separatiste.

Që nga gushti 2019, operacionet e informacionit të Kinës për protestat në Hong Kong janë zbuluar në mbarë botën. Kjo doli në dritë pasi një numër i platformave të mediave sociale, përfshirë Twitter dhe Facebook, zbuluan ekzistencën [3] e aktiviteteve të koordinuara të rrjetit nga Kina që po përhapnin dezinformata në lidhje me protestat në Hong Kong [4]. Twitter tha [3] se qëllimi i këtyre operacioneve ishte të minojnë “legjitimitetin dhe pozicionet politike të lëvizjes protestuese”.

Ndërsa raportet në Twitter dhe Facebook nuk kishin adresuar natyrën e dezinformimit në operacion, një ekip hulumtues i kryesuar nga profesor Fu King-wa i Qendrës së Gazetarisë dhe Medikimit të Mediave të Universitetit të Hong Kong-ut kreu hulumtime dhe ekzaminoi të dhëna mbi përmbajtjen nga 640,000 llogarive të përdoruesve në Twitter të cilët postuan në mënyrë aktive lajme për Hong Kongun, që nga qershori 2019. Hulumtimi vijon ende.

Të dhënat paraprake tregojnë se rreth 20 për qind e 640,000 përdoruesve të Twitter ishin “bots” (robotë kompjuterik); kjo përqindje është shumë më e lartë se hulumtimet e mëparshme në lidhje me operacionet e informacionit në vendet e tjera. Për shembull, përqindja e “bots” në operacionet e informacionit të Rusisë [pdf] [5] në lidhje me Ukrainën ishte vetëm rreth 8 për qind, sipas një studimi mbi ndikimin e mediave sociale ruse të botuar nga korporata RAND në 2018.

Brenda Firewall-it të Madh të Kinës [6], përhapja e dezinformatave në mediat sociale synonte kryesisht paraqitjen e një kornize separatiste ose “pavarësie pro-Hong Kongut” për lëvizjen kundër ligjit të ekstradimit. Gjithçka që lidhej me protestat e Hong Kongut në Weibo-n e Kinës u etiketuan si akte të “pavarësisë pro-Hong Kongut” nga mediat sociale. Për shembull, një aktor nga Hong Kongu dhe një ish-polic, Wong Hei (王喜), i cili shpreh simpatinë ndaj protestuesve, është etiketuar si një person “pro pavarësisë së Hong Kongut” nga rrjetet kineze. Bojkotet e klasës nga studentët e Hong Kongut u etiketuan si “akte pro-pavarësisë së Hong Kongut” si në llogaritë publike zyrtare, ashtu edhe në ato komerciale.

Edhe komentet pro-Hong Kong që bëhen jashtë Firewall-it të Madh në Twitter, Facebook dhe Instagram, pasi zbulohen nga banorët e Kinës kontinentale e raportohen në platformat e mediave sociale kineze, përdoruesit individualë mund të përballen me presion të jashtëzakonshëm, veçanërisht nëse ata kanë lidhje sociale dhe biznesi me Kinën. Shembulli më i njohur është saga e NBA-së [7] në lidhje me postimin në Twitter të Daryl Morey për Hong Kongun.

Manjati nga Hong Kongu, Li Kar Shing është viktima më e papritur e etiketimeve të tilla politike. Në mediat sociale kineze, përfshirë Weibo dhe WeChat, ai u akuzua për sponsorizimin e protestave të pavarura të Hong Kongut nga një numër njerëzish online pro-Pekinit dhe mediat kineze sociale. Ajo që ai kishte mbrojtur [8] në spotin e tij politike ishte zgjidhja paqësore e konflikteve aktuale. Sidoqoftë, pikëpamjet që kritikojnë të dyja palët – protestuesit dhe qeverinë – u konsideruan jo korrekte politikisht në sytë e qeverisë kineze.

Për më tepër, aktet e dhunshme pro-Pekinit ishin vlerësuar në mediat sociale të Kinës kontinentale si vepra heroike. Për shembull, Muret Lennon [9], një hapësirë e artit publik, e cila u ngrit spontanisht nga banorët lokalë për lirinë e të shprehurit, janë etiketuar “vende pro-pavarësisë së Hong Kongut” dhe ata që kanë ndërmarrë veprime për të shkatërruar muret janë përshkruar si heronj. Që nga gushti, shumë protestues janë sulmuar nga banditë pro-Pekinit pranë mureve Lennon. Më 20 gusht, një gazetare u godit me thikë në stomak [10] në tunelin Tseung Kwan O. Gazetarja ishte në gjendje kritike. Dy javë më parë, më 29 tetor, një adoleshent u godit me thikë [11] nga një turist kinez në qafë dhe në stomak në Murin Lennon në Tai Po. Sulmuesi raportohet se hoqi posterat pro-demokracisë nga muri dhe bërtiti: Hong Kongu është “pjesë e Kinës” para se të sulmonte viktimën e tij që po shpërndante fletushka.

Sidoqoftë, “pavarësia e Hong Kongut” nuk është as axhendë e protestuesve, të cilët kanë dalë në rrugë që nga marsi 2019. Pesë kërkesat e tyre janë tërheqja e plotë e projekt-ligjit për ekstradimin, i cili do të autorizonte Hong Kongun për ekstradim të të dyshuarve për krime në territorin e Kinës kontinentale për gjykim, hetim të pavarur për operacionet e policisë, rrëzimin e të gjitha akuzave për rebelime ndaj protestuesve, amnisti për protestuesit e arrestuar dhe të drejtën e votës për Legjislaturën dhe Shefin Ekzekutiv. Asnjë nga këto kërkesa nuk përfshin thirrjet për pavarësi të Hong Kongut.

Kur u shfaq saktësisht korniza e “pavarësisë pro-Hong Kongut”? Ekipi hulumtues analizoi të dhënat nga projekti i tyre ekzistues i mbledhjes së të dhënave në rrjetin social Weiboscope [12] dhe zbuloi se termi “pro-pavarësisë së Hong Kongut” nuk ishte përdorur para 21 korrikut, sepse ishte një term politikisht i ndjeshëm. Nën sistemin kryesor të censurës kineze, termat e ndjeshëm politikisht janë të bllokuar ose censuruar dhe vetëm media dhe qeveria kineze dhe organizatat e lajmeve të afërta me partinë mund të përdorin këto terma.

Sidoqoftë, më 22 korrik, termi, “pro-pavarësia e Hong Kongut” nisi të përdoretj dhe u bë popullor në Weibo. Më poshtë është një grafik që tregon afatin kohor të frekuencave të tre termave kyç në lidhje me protestat në Hong Kong: Pavarësia e Hong Kongut (港); Kërkon (訴求); I arratisur (逃犯).

Mes 1 majit dhe 30 shtatorit, ekipi hulumtues mblodhi 210,000 postime në Weibo të cilat përfshinin termin “pavarësia e Hong Kongut”. Të dhënat tregojnë se termi arriti kulmin më 22 korrik nga një mesatare prej 100 postimesh çdo ditë para 22 korrikut në më shumë se 2000 në atë ditë.

Më 21 korrik, Fronti i të Drejtave të Njeriut organizoi një tubim duke filluar nga Causeway Bay në Wan Chai në ishullin e Hong Kongut. Pas protestës paqësore, një numër i madh i protestuesve vazhduan të marshojnë drejt Zyrës Ndërlidhëse të Pekinit [13] në Qarkun Perëndimor. Njëri nga protestuesit arriti të hidhte bojë dhe të ngjyrosë emblemën kombëtare të Kinës [14] jashtë ndërtesës së Zyrës Ndërlidhëse. Në të njëjtën natë, një grup i madh personash pro-Pekinit shkuan në stacionin e metrosë Yuen Long, duke sulmuar protestuesit që u kthyen nga protestat paqësore në Territoret e Reja. Shumë u plagosën rëndë.

Të nesërmen, media e lidhur me qeverinë dhe Partinë Komuniste (PKK) të Pekinit pati komente për protestën jashtë Zyrës Ndërlidhëse dhe në veçanti ngjyrosjen e emblemës kombëtare, duke e cilësuar si një akt “pro-pavarësisë së Hong Kongut”. Termi dikur i ndjeshëm politikisht tani përdorej gjerësisht në mediat sociale kineze.

Rritja e dytë u regjistrua më 9 gusht kur më shumë se 6000 postime përmendën termin kryesor “pavarësia e Hong Kongut”. Kjo ishte e lidhur me konferencën e parë për shtyp të Zyrës së Kinës për Çështjet e Hong Kongut dhe Makaos më 29 korrik, që shprehu mbështetjen e saj të fortë për qeverinë dhe veprimet policore të Hong Kongut.

Më 5 gusht, protestuesit drejtuan greva të gjera dhe greva e punonjësve të aviacionit solli anulimin e më shumë se 200 fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kong-ut. Më 9 gusht, rregullatori i aviacionit të Kinës [15] ndërhyri dhe kërkoi nga transportuesi i Hong Kongut, Cathay Pacific të largojë punonjësit që morën pjesë në protesta.

Kulmi arriti më 13 gusht pasi gazetari i Global Times, të lidhur me PKK-në, Fu Guohao u përball [16] me protestuesit në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut. Disa e kapën Fu Guohao në aeroport pasi ai bënte fotografi nga afër të protestuesvee. Ata gjetën në çantën e shpinës së Fu një bluzë blu me logon “mbështetje policisë së Hong Kongut” – turmat pro-Pekinit që sulmuan protestuesit e Hong Kongut më 11 gusht kishin veshur bluza të tilla. Protestuesit i kërkuan që të identifikohej dhe Fu bërtiti: “Unë mbështes policinë e Hong Kongut, tani mund të më rrihni!” Disa protestues e qëlluan me grushta, ndërsa të tjerët u përpoqën ta mbronin.

Përballja e Fu-së me protestuesit, i cili u përshkrua më vonë si një “performancë e jashtëzakonshme [16]”, erdhi pas konferencës për shtyp të Zyrës së Pekinit për Çështjet e Hong Kongut dhe Makaos, më 12 gusht, gjatë së cilës një përfaqësues i Pekinit deklaroi se protestat e Hong Kongut kanë treguar shenja terrorizmi [17]. Konferenca për shtyp u zhvillua pas protestave në mbarë qytetin më 11 gusht kur protestuesit antiqeveritarë u shtypën brutalisht nga policia e Hong Kongut nga njëra anë dhe u sulmuan nga turmat pro-Pekinit nga ana tjetër.

Incidenti me Fu Guohao u bë viral brenda natës në mediat sociale kineze. Në pjesën më të madhe të komenteve, Fu u vlerësua si një hero që mbronte dinjitetin kombëtar, ndërsa protestuesit e Hong Kong-ut ishin kundër kombit kinez.

Sidoqoftë, teksa 70-vjetori i Republikës Popullore të Kinës po afrohej më 1 tetor, skenari i “pavarësisë së Hong Kongut” u zbeh në mediat sociale kineze.

Kush ishte i përfshirë në krijimin e një skenari të tillë “pro-pavarësisë së Hong Kongut”? Sipas të dhënave, afërsisht 13 për qind e postimeve që përmbanin fjalët “Pavarësia e Hong Kongut” u ripostuan drejtpërdrejt nga People's Daily dhe Global Times. Nëse përfshini edhe postimet e kopjuara, përqindja do të ishte edhe më e lartë.

Ekipi hulumtues do të vazhdojë të mbledhë të dhënat për një analizë më të hollësishme të operacioneve të informacionit të Kinës në lidhje me protestat e Hong Kongut. Sidoqoftë, gjetjet fillestare sugjerojnë se Partia Komuniste kineze dhe aparatet e mediave shtetërore kanë luajtur një rol kryesor në përhapjen e informacionit duke inkuadruar protestat si një lëvizje ” pro-pavarësisë së Hong Kongut”. Përpjekje të tilla kanë për qëllim të mashtrojnë opinionin publik të Kinës se pakënaqësia është pjesë e një komploti politik separatist për të minuar “integritetin e territorit kinez” – një frazë që përdoret vazhdimisht mes patriotëve kontinentale kinezë në internet.