- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Qentë e zgjuar të rrugës në Katmandu adhurohen për një ditë

Kategoritë: Azia Jugore, Nepali, Art e Kulturë, Fotografia, Historia, Media e qytetarëve, Mjedisi, Qeverisja, Zhvillimi, The Bridge
Image by Gopen Rai via Nepali Times. Used with permission. [1]

Foto nga Gopen Rai për Nepali Times, e përdorur me leje

Ky artikull [1] nga Sonia Awale u botua fillimisht në Nepali Times [2] dhe një version i redaktuar ribotohet në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Është sërish ajo kohë e vitit kur ne nepalezët adhurojmë anëtarë të ndryshëm të mbretërisë së kafshëve. Lopët dhe sorrat, demat dhe qentë – të gjithë kanë një ditë këtë javë kushtuar atyre. Në ditën e Kukur Tihar [3] (këtë vit, 24 tetor), njerëzit adhurojnë qentë për të kënaqur Yama [4], perëndinë e vdekjes. Ato janë stolisur me tilaka [5] në kokë dhe mbajnë kurora lulesh në qafë.

Image by Sonia Awale via Nepali Times. Used with permission. [1]

Foto nga Sonia Awale për Nepali Times, e përdorur me leje

Ndaj është ironike që pikërisht në mbrëmjen që adhurohen, ne i trembim qentë me fishekzjarre. Miqtë tanë me gëzof janë të traumatizuar, disa udhëtojnë në distanca të mëdha për t'i shpëtuar zhurmës. Ka pasur histori të qenve që nuk kthehen kurrë në shtëpitë e tyre.

“Ne kemi një praktikë vërtet të gabuar që po ndodh këtu, ne adhurojmë qentë në mëngjes dhe i frikësojmë ata gjatë natës,” thotë aktivistja për të drejtat e kafshëve Sneha Shrestha, e cila punon me organizatën e mirëqenies së kafshëve Sneha's Care [6], e cila strehon kafshë të pastreha dhe të braktisura në rrugët e Katmandusë.

Shrestha ka 170 qen të shpëtuar në strehën e saj dhe thotë se sa herë që ka një dasmë me zë të lartë në lagje, ata tmerrohen.

Image by Gopen Rai via Nepali Times. Used with permission. [1]

Foto nga Gopen Rai për Nepali Times, e përdorur me leje

“Tihar është më koha më e keqe për shkak të fishekzjarreve; ndonjëherë qentë që janë jashtë pa mbrojtje pësojnë atak kardiak,” shton Shrestha.

Kukur Tihar është një nga festivalet më të pazakonta në botë, dhe dokumentarë ndërkombëtarë janë realizuar mbi nderimin nepalez për qentë. Ai frymëzoi “Kukur Tihar Mexico [7]” në të njëjtën javë si në Nepal. Prandaj, më e pakta që mund të bëjmë është të jemi të sjellshëm me qentë që nderojmë.

Lajmi i mirë është se më shumë familje nepaleze janë të prirura për të mbajtur qen dhe për t'i lënë fëmijët e tyre të rriten me kafshë shtëpiake, duke rrënjosur në to virtytet e mirësisë dhe dhembshurisë ndaj të gjitha qenieve të gjalla që në moshë të re.

Megjithatë, mënyra se si nepalezët trajtojnë qentë endacakët dhe të komunitetit mund të jetë shumë e ndryshme nga kafshët shtëpiake. Qentë e rrugës [8] nuk i përkasin domosdoshmërisht individëve, por janë pjesë e komuniteteve që ata ruajnë në këmbim të ushqimit dhe (ndonjëherë) strehimit.

Por ka pasur raste të tmerrshme të mizorisë ndaj qenve të komunitetit, duke përfshirë helmimin nga autoritetet e qytetit për asgjësimin ose parandalimit të përhapjes së sëmundjes së tërbimit. Grupet e mirëqenies së kafshëve vlerësojnë se ka mbi 100,000 qen që jetojnë vetëm në rrugët e Luginës së Katmandusë.

Image by Gopen Rai via Nepali Times. Used with permission. [1]

Foto nga Gopen Rai për Nepali Times, e përdorur me leje

Familjet po blejnë gjithnjë e më shumë këlyshë si simbole statusi dhe një anketë jozyrtare tregoi se Huskit kanë kaluar Golden Labs dhe German Shepherds, si më të shiturit. Megjithatë, ka ende shumë pak që adoptojnë qentë e shpëtuar të rrugës nga strehimoret.

“Marrja e një qeni është ende shumë e lidhur me kotësinë tonë. Nëse vërtet kërkojmë t'i duam, raca nuk duhet të ketë rëndësi, “thotë Shrestha. “Në fakt, nëse nepalezët pretendojmë se jemi krenarë për trashëgiminë dhe prejardhjen tonë, ne duhet të adoptojmë më shumë nga racat tona lokale, ato nuk janë inferiore ndaj racave të pastra në asnjë mënyrë.”

Në të vërtetë, grupet për të drejtat e kafshëve po promovojnë trajtim dhe mirëqenie më të mirë të qenve endacakëve dhe të komunitetit, si dhe u ofrojnë atyre familje të dashura me sloganin, “Adopto, mos bli”.

Image by Gopen Rai via Nepali Times. Used with permission. [1]

Foto nga Gopen Rai për Nepali Times, e përdorur me leje

Strehëzat e kafshëve dhe organizatat e mirëqenies, si dhe shpëtimtarët e rinj individualë kanë qenë vendimtare në përhapjen e mesazhit, kryesisht përmes mediave sociale. Personazhet e njohur me qindra mijëra ndjekës mund të bëjnë më shumë duke adoptuar qente4 endacakë dhe duke dhënë një shembull të mirë.

Qeni nepalez i rrugës tani njihet si një racë më vete dhe ADN-ja e tij është gjurmuar te qeni i parë i zbutur. Një studim gjenetik i vitit 2015 i botuar në revistën [9] Proceedings of the National Academy of Sciences tha se kishte prova të forta për të treguar se qentë ishin zbutur [10] për herë të parë në Nepalin, Tibetin dhe Mongolinë moderne të paktën 15,000 vjet më parë. Ata evoluan nga ujqërit gri të Euroazisë dhe u zhvendosën me migrimin njerëzor parahistorik nëpër Azi.

Racat e përziera lokale nepaleze janë jashtëzakonisht besnike dhe për shkak se ato janë më pak të prirura ndaj sëmundjeve kongjenitale, zakonisht janë më të shëndetshme dhe kanë jetë më të gjatë se racat e pastra. Qentë janë të zgjuar, të bindur dhe përgjigjen kur i trajton mirë. Prandaj, nuk është për t'u habitur që ka një kërkesë në rritje që qentë nepalezë të rrugës të adoptohen jashtë vendit.

Image by Gopen Rai via Nepali Times. Used with permission. [1]

Foto nga Gopen Rai për Nepali Times, e përdorur me leje

“Nepalezët preferojnë racat e pastra, por perëndimorët e kanë njohur vlerën e këtyre qenve të rrugës këtu, që shpesh nuk preferohen,” thotë Lesley Mapstone nga Temple Dog Rescue në Kanada, që mbështet organizatat e mirëqenies së kafshëve në Nepal.

Ajo shton: “Racat lokale nepaleze janë unike dhe të rralla, ato janë më miqësore sepse tashmë kanë një strukturë sociale, janë gjithashtu më të shoqërueshme dhe shkojnë mirë me njerëzit sepse janë rritur në rrugë dhe gjithashtu janë të trajnuar mirë. Çfarë ka për të mos dashur?”

Mapstone ka qenë në Nepal nëntë herë që nga viti 2017 dhe kalon gati gjysmë viti në vend duke ndihmuar në promovimin e adoptimit të disa qenve endacakë nepalezë, kryesisht në Kanada. Për momentin, megjithatë, ka një ndalim të përkohshëm të transportit të tyre për shkak të statusit të parregullt të vaksinimit.

Këtu është një intervistë [11] e Srijana Thakuri e Sree Rescue Animal Nepal e cila thotë se “duhet shumë kohë dhe përpjekje për të shpëtuar qentë, por njerëzit nuk hezitojnë t'i vrasin”.

Vaksinimi i qenve kundër tërbimit është lënë pas dore prej kohësh nga pushteti vendor. Organizatat e mirëqenies së kafshëve si Sneha's Care, KAT Centre dhe Street Dog Care po ndihmojnë tani bashkitë si Lalitpur për të sterilizuar dhe menaxhuar qentë e komunitetit.

Tërbimi [12] është një problem, por në vend të vaksinimit të qenve, qytetet në të gjithë Nepalin shpesh përdorin shfarosjen kur ka një shpërthim.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm t'i japim qeverisë ekspertizën tonë teknike, por ata janë më pak të shqetësuar,” raporton Sneha Shrestha, duke kujtuar një herë kur ajo u kërkoi zyrtarëve 10,000 doza të vaksinave kundër tërbimit për qentë dhe ju dhanë 500.

Nepali duhet të rrisë prodhimin vendas të vaksinave kundër tërbimit nëse do të përmbushë objektivin e OBSH-së për eliminimin deri në vitin 2030. Por, si thotë Shreshta, “me ritmin aktual, duket e pamundur.”

Image by Gopen Rai via Nepali Times. Used with permission. [1]

Foto nga Gopen Rai për Nepali Times, e përdorur me leje

Ndoshta nuk është për t'u habitur që një qeveri që neglizhon shqetësimet e shëndetit publik të qytetarëve të saj, do t'i trajtonte edhe kafshët po kaq keq. Por dhembshuria që një komb tregon ndaj kafshëve është shpesh një tregues se si i trajton njerëzit e tij.

Lesley Mapstone thotë: “Për mua, pjesa më e preferuar e Nepalit janë qentë e rrugës, përveç nepalezëve. Kërkesa ime modeste për të gjithë: nëse vërtet po kërkoni të merrni një qen, t'i doni dhe t'i mbroni për gjithë jetën, adoptoni një qen vendas. Dhe jini të sjellshëm me ta.”

Ajo mund të kishte shtuar: Jini të sjellshëm me ta çdo ditë, jo vetëm për Kukur Tihar.