Fund pandëshkueshmërisë, shprehje e lirë e mendimit!

Dita ndërkombëtare për dhënien fund të pandëshkueshmërisë për krimet ndaj gazetarëve shënohet më 2 nëntor. Fotografi nga IFEX.

Ky është opinioni i Annie Game, Drejtore Ekzekutive e IFEX, rrjeti global që promovon dhe mbron lirinë e shprehjes dhe informacionit. Ai ribotohet përmes një marrëveshje partneriteti midis Global Voices dhe IFEX. Artikulli fillimisht u publikua këtu.

Imagjinoni një botë ku nuk mungon pandëshkueshmëria, ku të gjithë janë të lirë të ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes dhe informacionit dhe të aftë për të hyrë, gjeneruar dhe shkëmbyer ide dhe informacion në çdo mënyrë që ata zgjedhin, pa frikë. Ne e imagjinojmë.

Në këtë ditë ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve, është e rëndësishme të njihet lidhja thelbësore midis të drejtës për lirinë e shprehjes dhe të drejtës për informacion. Gazetarët janë shumë shpesh shënjestra direkte kur e drejta po sulmohet, dhe në fund të fundit, ne të gjithë jemi viktima.

Dy javë më parë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për të shpallur 28 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare për Qasje Universale në Informacion. Kjo ishte një fitore domethënëse, pas një dekade përpjekjesh të vazhdueshme nga grupe të shumta të shoqërisë civile, përfshirë shumë anëtarë afrikanë të rrjetit IFEX.

Disa njerëz – megjithëse ndoshta askush i përfshirë në luftën për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes – mund të ketë pritur këtë lajm jo dhe aq mirë. Por ata duhet të mendohen përsëri, sepse e drejta jonë për informacion është e pandashme nga e drejta jonë për t'u shprehur, dhe të dy janë gjithnjë e më shumë nën kërcënim.

Kërcënimet ndaj informacionit po vijnë në shumë forma, nga sulmet ndaj gazetarëve, deri te dezinformimi i qëllimshëm, deri te pengimi i gazetave, dhe ndikimi i tyre është i gjerë: duke parandaluar njerëzit që të marrin informacionin që u nevojiten për t'u përfshirë në çështjet për të cilat interesohen, duke përkeqësuar polarizimin politik dhe duke minuar demokracinë.

Le të marrim një shembull të fundit të profilit të lartë të fuqisë së shprehjes dhe lidhjes së saj në qasjen në informacion.

Muajin e kaluar, rreth 6 milion njerëz dolën në rrugë në përgjigje të krizës së ndryshimeve klimaterike. Krijimtaria e protestave të tyre frymëzoi shumë; shprehje në veprim, e mbështetur te faktet. Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thurnberg na nxiti të “dëgjojmë shkencëtarët”. Por, sikur zërat që duhet të dëgjojmë t'i heshtin, drejtpërdrejt ose indirekt?

Zërat mund të heshten përmes censurës, ose të mbyten në një det dezinformimi. Por në një numër në rritje të rasteve, taktika e heshtjes së përdorur është vrasja. Vrasje pa pasoja. Vrasje e pandëshkuar.

Një studim gjithëpërfshirës i publikuar në gusht 2019 zbuloi se vrasjet e aktivistëve të mjedisit janë dyfishuar gjatë 15 viteve të fundit. Në 90% të rasteve, askush nuk është dënuar – një nivel tronditës i pandëshkueshmërisë.

Ndërsa shënojmë një ditë tjetër ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve, kjo formë vdekjeprurëse e censurimit nuk është larg mendimeve tona.

Lista e UNESCO-s me gazetarët që janë vrarë nëpër botë – mbi një mijë që nga viti 2006 – është një kujtesë e qartë. Përqindja e grave viktima gjithashtu është rritur, me gazetaret që përballen me sulme të rritura specifike gjinore.

Nga 207 gazetarët e vrarë mes janarit 2017 dhe qershorit 2019, më shumë se gjysma raportonin për krimin e organizuar, politikën lokale dhe korrupsionin.

Të drejtës së tyre për t'u shprehur iu dha fund, përgjithmonë, për t'i ndaluar ata që të shpërndanin informacionin.

Sa herë që një krim i tillë mbetet i pandëshkuar, ata që do të ndajnë informacione të interesit publik me të drejtë pyesin veten: a ia vlen jeta ime? A ja vlen ta vë në rrezik familjen time? Dhe nëse vendosin se nuk ia vlen, kush mund t'i fajësojë ata? Efektet e mosndëshkimit janë të pafundme.

Kjo është arsyeja pse, për mbi tetë vjet, rrjeti IFEX ka bërë fushatë për t'i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve dhe të gjithë atyre që ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes.

Nuk është punë që jep rezultate të shpejta. Ndërsa shprehja e përshtatshme: është një maratonë, jo një sprint. Puna nuk mbaron me gjetjen e autorëve; shtetet duhet të mbajnë llogari për lejimin ose nxitjen e një klime të pandëshkueshmërisë, ku lulëzojnë krime të tilla.

Ne përqafojmë çdo fitore, të madhe dhe të vogël. Lajmi i mirë është që në IFEX po shohim strategji të reja krijuese, bashkëpunuese dhe të fuqishme dhe përparim të prekshëm.

Në 12 muajt e fundit, ne kemi parë të vërtetën të dalë më në fund në dritë në Gambia në lidhje me vrasjen e vitit 2004 të gazetarit Deyda Hydara; një vendim i rëndësishëm nga Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut që shpalli qeverinë e Kolumbisë fajtore në vrasjen e vitit 1998 të Nelson Carvajal Carvajal; dhe vendimi historik i Komisionit Ndëramerikan për të shqyrtuar sulmin brutal në maj 2000 që gati i mori jetën gazetarit investigativ Jineth Bedoya Lima.

Vetëm dy javë më parë, ne mirëpritëm vendimin e Kirgistanit për të rihapur çështjen 12-vjeçare të vrasjes së gazetarit Alisher Saipov, pas presionit të vazhdueshëm nga IFEX dhe anëtarët e saj lokalë, Instituti i Politikave të Mediave dhe Shoqata e Gazetarëve Publike.

Imagjinoni, këto raste paraqesin një ndëshkim të kombinuar prej 66 vjetësh.

Kështu që, përgjegjësit e dhunës ndaj gazetarëve ose ata që mendojnë të dëmtojnë gazetarët – ta dëgjojnë këtë me zë të lartë dhe të qartë: shumë kohë pasi vëmendja e botës mund të jetë zhvendosur, mund të mendoni se ia keni hedhur vrasjes. Jo. Ne, të përkushtuar për të luftuar pandëshkueshmërinë jemi insistues. Ne nuk heqim dorë. Kështu që nuk mund të rrini të qetë, asnjëherë.

Për ne, kultura e pandëshkueshmërisë për sulmet ndaj gazetarëve paraqet një nga kërcënimet më të mëdha për lirinë e shprehjes në të gjithë botën. Përparimi që kemi bërë drejt dhënies fund të mosndëshkimit nuk do të ishte kurrë i mundur pa rezistencën, këmbënguljen e atyre që luftojnë.

Ne duhet ta përdorim lirinë tonë të shprehjes, për ta mbrojtur atë. Ne duhet ta përdorim atë për të denoncuar krimet ndaj gazetarëve dhe t'i japim fund pandëshkueshmërisë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.