- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Stigmatizimi LGBTQ+ në Republikën Çeke: Një prirje shqetësuese mes politikanëve vendas

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Republika Çeke, Aktivizmi dixhital, Gratë e çështjet gjinore, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Qeverisja, Të drejtat e LGBT, Të drejtat e njeriut, Të rinjtë, Bodily autonomy around the world

Demonstratë në mbështetje të komunitetit LGBTQ+ në Republikën Çeke dhe në Sllovaki në sheshin qendror Wenceslas të Pragës më 26 tetor. Parrulla kryesore: “Nuk dua të kem frikë të vdes thjesht sepse ekzistoj”. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje.

Republika Çeke përshkruhet shpesh si një shoqëri tolerante, duke përfshirë edhe komunitetin LGBTQ+, veçanërisht në kontekstin e Evropës Qendrore ose Lindore, ku homofobia është ende e përhapur [1] në shumë komunitete. Megjithatë, personat LGBTQ+ vazhdojnë të diskriminohen ligjërisht dhe përballen me stigmatizimin social dhe kulturor.

Republika Çeke lejoi partneritetet e regjistruara për personat e të njëjtit seks në korrik 2006, megjithatë deri në vitin 2020, më pak se 4,000 çifte [2] e kanë përdorur atë, edhe pse do t'u jepte akses në disa të drejta (njoftimi në kartat e identitetit, qëndrimi për partnerët jo të Bashkimit Evropian) dhe institucione. Ndërsa ky ishte një hap i rëndësishëm ligjor, martesat e homoseksualëve ende mohohen, dhe qeveria e politikanë të ndryshëm e kanë hedhur poshtë hapur konceptin. Të mos kesh martesa homoseksuale do të thotë që mijëra fëmijë që jetojnë në familjet LGBTQ+ [3], si dhe prindërit e tyre të të njëjtit seks, jetojnë në boshllëqe ligjore; ku të drejtat e vizitës ose trashëgimisë janë të kufizuara ose të mohuara.

Një nga pasojat e shumta të diskriminimit ligjor është se ai i hap dyert stigmatizimit dhe përforcon nocionin e rremë se personat LGBTQ+ mund të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Ata mund të bëhen shënjestër e gjuhës së urrejtjes në diskursin politik, në akademi dhe në media dhe mund të portretizohen si një kërcënim ndaj asaj që paraqitet si “vlera tradicionale”. Kjo bëhet pa asnjë njohuri për traditat kulturore dhe historike që tregojnë se personat LGBTQ+ kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë çeke. [4]

Komuniteti LGBTQ+ është instrumentalizuar nga politikanët konservatorë dhe zyrtarët si pjesë e një diskursi pan-evropian që demonizon komunitetin dhe e akuzon atë për imponimin e “axhendës” së tij me mbështetjen e legjislacionit, institucioneve dhe programeve të Bashkimit Evropian. Versionet më ekstreme të këtij shënjestrimi mund të shihen në Rusi, Bjellorusi, Hungari dhe deri diku, në Poloni dhe Sllovaki, megjithatë Republika Çeke nuk është imune ndaj deklaratave të tilla.

Për shembull, Tomio Okamura, kreu i partisë së ekstremit të djathtë SPD [5], tha më 29 prill [6] gjatë një debati që fokusohej në martesat e të njëjtit seks në parlamentin çek se ai vetë u rrit në një jetimore dhe se po të ishte adoptuar nga një çift i të njëjtit seks ai do të hidhej nga dritarja.

Kryeministri aktual çek Petr Fiala [7] shkroi në librin e tij të vitit 2017 “Od A do Z” [“Nga A në Z”] se ai kundërshton martesat e të njëjtit seks. Në një kapitull të quajtur “Familja” ai shkruan:

Po mně nikdo nemůže chtít, abych věřil, že lidé stejného pohlaví mají vytvářet manželství a rodinu, která se rovná té přirozené. Odporuje to mé víře, mému rozumu, mému poznání. Tradiční rodinu musí společnost v zájmu svého přežití chránit. Už bychom s tím měli začít, než bude pozdě. Na rodinu mi nesahejte.

Nuk mund të presësh që unë të besoj se personat e të njëjtit seks mund të kenë një martesë dhe një familje që mund të jetë e barabartë me familjen natyrore. Kjo bie ndesh me besimin tim, me arsyen time, me gjithçka që di. Shoqëria duhet të mbrojë familjen tradicionale për hir të mbijetesës së saj. Ne duhet të fillojmë nga kjo, para se të jetë tepër vonë. Mos guxo të prekësh familjen.

I pyetur në shtator 2021 [8] nëse ai kishte ndryshuar mendje që nga viti 2017, Fiala tha:

To, že manželství je záležitost muže a ženy a že tradiční rodina je pro společnost důležitá, je mé hluboké přesvědčení.  

Është bindja ime më e thellë se martesa është midis një burri dhe një gruaje dhe se familjet tradicionale janë të rëndësishme për shoqërinë.

Senatori Pavel Fischer [9], i cili kandidon për herë të dytë për presidencën çeke, ka përshkallëzuar diskursin e tij kundër LGBTQ+. Së pari, ai pretendoi se nuk do të emëronte kurrë [10] një anëtar të komunitetit LGBTQ+ si Gjyqtar Kushtetues. Pastaj ai e barazoi birësimin e fëmijëve nga çiftet e të njëjtit seks me trafikimin e fëmijëve. Komenti i fundit [11] është bërë vetëm pak orë para vrasjes së dy personave LGBTQ+ në Bratislavë më 12 tetor:

Kdybychom připustili, že dáme naroveň manželství a stejnopohlavní svazky, posilujeme tím obavy, že se děti budou shánět na trhu a že se s nimi bude obchodovat. Nikdo mě zatím neubezpečil, jak bychom garantovali, že se to nebude dít.

Nëse lejojmë të barazojmë martesën me bashkimet e të njëjtit seks, do të forconim frikën se fëmijët do të bëheshin mall dhe do të trafikoheshin. Askush nuk më ka siguruar ende se kjo nuk do të ndodhë.

Një diskurs i tillë, i transmetuar nga mediat kryesore dhe sociale, rrit stigmatizimin e anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ në të gjitha fushat: arsim, akademi, vendin e punës, sportin dhe më gjerë.

Diskriminimi i përcaktuar: Transgjinorët çekë

Presidenti çek Miloš Zeman ka deklaruar publikisht [12] në qershor 2021 gjatë një emisioni televiziv [13] se “Më neveriten personat transgjinorë” (“Transgjinor lidé jsou mi bytostně odporní”).

Projekti HateFree Culture [14], një nismë vullnetare që lufton gjuhën e dhunshëm, reagoi duke thënë [15]:

Prezidentovy výroky jsou nejen nepravdivé, ale také nebezpečné. Jeho slova normalizují nenávist ve společnosti a posouvají hranici toho, „co se neříká.

Deklaratat e presidentit janë jo vetëm të rreme, por edhe të rrezikshme. Ato e bëjnë urrejtjen në shoqëri normale dhe ndryshojnë kufijtë e asaj se “çfarë nuk thuhet”.

Është e rëndësishme të theksohet se ndryshimi i gjinisë nuk është vepër penale në Republikën Çeke. Shumë persona transgjinorë nuk i nënshtrohen asnjë operacioni dhe ndjekin terapinë hormonale. Megjithatë, nëse një shtetas çek dëshiron që ndryshimi i gjinisë së tij/saj të njihet zyrtarisht dhe të shënohet në letrat e identitetit, kërkohet operacioni i ndryshimit të gjinisë. Por ka edhe dy kërkesa ligjore: sterilizimi dhe divorci nëse personi është i martuar. Ky sterilizim është i detyrueshëm në disa vende evropiane [16], duke përfshirë Sllovakinë, Shqipërinë, Letoninë dhe Finlandën.

Por jo të gjithë janë të heshtur apo indiferentë

Demonstratë në mbështetje të komunitetit LGBTQ+ në Republikën Çeke dhe në Sllovaki në sheshin qendror Wenceslas të Pragës më 26 tetor. Pankarta kryesore: “Sterilizimi i detyruar i personave transgjinorë përbën gjenocid. Republika Çeke është ende duke kryer gjenocid”. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje.

Ndërsa media sociale mund të jetë një mjet i gjuhës së urrejtjes, ajo shërben gjithashtu si një mënyrë për të ofruar hapësira mbështetëse për komunitetin LGBTQ+ dhe aleatët e tij të shumtë. Aktivizmi online përfaqëson shpresën më të madhe për arritjen e shikueshmërisë dhe, në këtë mënyrë, për të fituar barazi ligjore dhe siguri për të gjithë.

Një nga shembujt më të mirë është kanali YouTube i hapur nga Lenka Králová V Tranzu [17]. Králová, ka lindur në vitin 1981 dhe ka vendosur të jetë transgjinore në vitin 2019. Ajo është anëtare e grupit aktivist Trans*parent [18] dhe në kanalin e saj flet për problemet me të cilat përballet komuniteti transgjinor në Republikën Çeke. Disa nga videot e saj kanë mbi 150,000 shikime [19], një numër i konsiderueshëm për segmentin çek të YouTube. Në emisionin e saj, ajo fton transgjinorët e të gjitha moshave të flasin për historitë e tyre, prindërit, partnerët dhe më shumë. Ajo gjithashtu organizon diskutime me ekspertë të tillë si seksologë, avokatë, gazetarë dhe terapistë.

Një nga aleatët më të dukshëm në fushën politike ka qenë Partia e Piratëve Çeke dhe kryebashkiaku i Pragës, Zdeněk Hřib [20], i cili merr pjesë rregullisht në demonstrata dhe ngjarje në mbështetje të komunitetit LGBTQ+. Ai mori pjesë në tubimin e 26 tetorit dhe ndau mesazhin e mëposhtëm:

Praga është vendi që mirëpret të gjithë njerëzit paqësorë! Kjo ka qenë baza e të menduarit tonë gjatë katër viteve që punuam për qytetin tonë [Pragën] dhe unë u përpoqa maksimalisht ta mbështes këtë ide me vepra.

Në të njëjtën kohë, personat LGBTQ+ po bëhen më të dukshëm në reklamat çeke. Në vitin 2022, kompania e hekurudhave [23] publikoi një spot publicitar: Supozimi se njerëzit janë heteroseksualë që në fillim zhbëhet në skenën e fundit.