Pse politika dhe shoqëria tajvaneze janë ende të dominuara nga meshkujt? Intervistë me studiuesen Jhang JhuCin

Teksa Tajvani po përgatitet për zgjedhjet presidenciale dhe legjislative në janar 2024, Global Voices bisedoi me Jhang JhuCin (張竹芩), studiuese dhe ish politikane, për marrëdhëniet gjinore në Tajvan, si në politikë ashtu edhe në shoqëri në përgjithësi.

Jhang është një asistent profesore në Programin Global të Shëndetit në Universitetin Kombëtar të Tajvanit dhe një aktiviste për barazinë gjinore dhe të drejtat e tongzhi/LGBTQ+. Ajo shërbeu gjithashtu si Sekretare e Përgjithshme e Partisë së Gjelbër të Tajvanit nga 2020-2021. Podkasti i saj, Z Green Party (Z色派對), sjell komente mbi gjininë, seksin, seksualitetin dhe çështje të tjera sociale.

Intervista u zhvillua me email pas një takimi në Tajpei. Përgjigjet janë redaktuar për stilin dhe shkurtësinë.

Jhang JhuCin, foto e përdorur me leje

Filip Noubel (FN): Tajvani do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe legjislative në janar 2024. Deri më tani, nuk ka ndonjë grua kandidate presidenciale, megjithëse presidentja aktuale Tsai Ing-wen është një grua. Si e shpjegoni këtë? 

Jhang JhuCin (JJC, emri kinez:): Është me të vërtetë për të ardhur keq që nuk ka asnjë femër si kandidate presidenciale, por për mirë apo për keq, zëvendëspresidentja e Terry Gou [kandidati i pavarur, më parë me Kuomintang ] është një femër, Lai Pei-hsia (賴佩霞). Flitet gjithashtu për kandidatët e tjerë që zgjedhin zëvëndëse femra në kandidaturat e tyre, si i dërguari i Tajvanit në Shtetet e Bashkuara, Hsiao Bi-khim (蕭美琴), si kandidati i mundshëm i Lai Ching-te [për Partinë Demokratike Progresive në pushtet]. Ko Wen-je [kreu i Partisë Popullore të Tajvanit] tha gjithashtu se ai do të zgjidhte një “femër, nga jugu dhe në sektorin e korporatave” si zëvendëse të tij, kështu që kur u takua me Rose Tsou (鄒開蓮), ish-drejtore menaxhuese e Yahoo APAC, për një takim me dyer të mbyllura në udhëtimin e tij në tetor në SHBA, thuhet se ajo mund të jetë zëvëndësja e tij; sigurisht, është edhe Huang Shan Shan (黃珊珊), ish-zëvendës kryebashkiake e Tajpeit, e cila ende konsiderohet si një pretendente për të qenë në ekipin e Ko. Pra, ka ende shpresë për një femër në presidencë edhe pse asgjë nuk është e sigurt.

Të kesh një grua në postin më të lartë është me të vërtetë simbolikisht vendimtare për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, por veprimet e prekshme kanë po aq rëndësi. Aq sa kontributi i presidentes Tsai për statusin e grave në Tajvan, është thelbësore të kujtojmë se anëtarja e kabinetit të mandatit të saj të dytë [2020–2024] arriti një nivel historik të ulët, në vetëm katër për qind. Nuk po them se Tsai nuk kujdeset për përfaqësimin e grave apo barazinë gjinore, por për të arritur barazinë gjinore duhet më shumë sesa të kesh një femër në postin e presidentes.

Prandaj, ajo që është më e rëndësishme është që presidenti i ardhshëm të vazhdojë të krijojë hapësirë ​​për gratë dhe që të gjitha të mbështesin vlerat demokratike. Mësimet duhet të nxirren edhe nga presidentet që angazhohen në sjellje antidemokratike dhe kundër barazisë, si ish-presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye dhe ish-shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam.

Në Tajvan, logjika patriarkale është ende fuqia kryesore organizative, kështu që ne duhet të punojmë më më shumë; ka më shumë gra në pozita të fuqishme për të ndryshuar logjikën patriarkale për një shoqëri më të barabartë.

FN: Tajvani pati momentin e tij #MeToo në vitin 2023, megjithatë mizogjinia është ende pjesë e diskursit aktual politik. Sipas jush, çfarë ka arritur dhe ndoshta ka humbur lëvizja tajvaneze #MeToo? 

JJC:  #MeToo ndodh vetëm për shkak të akumulimit të dhunës që vuajnë gratë, dhunë që është e mundur vetëm për shkak të mizogjinisë dhe patriarkatit të përhapur në shoqërinë tonë. #MeToo është një reaksion i rëndë alergjik ndaj sëmundjes së quajtur mizogjini, jo ilaç për të. Ilaçi janë ndryshimet shoqërore të sjelljes dhe #MeToo në Tajvan vë në lëvizje disa prej ndryshimeve të tilla, por ndryshimet janë të ngadalta dhe hasin në një shtyrje të pashmangshme.

Sistemet efikase të mbështetjes për ndryshimin janë thelbësore për të parandaluar kundërsulmet që përkeqësojnë mizogjininë. Burrat që ndihen të sulmuar nga #MeToo mund të përballen me konfuzionin dhe fajin, duke çuar potencialisht në një mekanizëm mbrojtës të rritjes së ndjenjës kundër grave. Bisedat konstruktive për të adresuar këto shqetësime janë thelbësore për transformimin shoqëror, por një bisedë e tillë mungon në shumë pjesë të Tajvanit. #MeToo, si një lëvizje organike, spontane dhe e decentralizuar, nuk mundet e vetme ta rregullojë shoqërinë. Edhe në SHBA lëvizja #MeToo nuk ka sjellë ndryshime gjithëpërfshirëse dhe madje besohet se ka shtuar ndarjet sociale.

Megjithatë, është e rëndësishme të kini parasysh se nuk është e drejtë të pritet që një lëvizje që vjen nga trauma, keqtrajtimi dhe shtypja e njerëzve, veçanërisht grave, të sjellë ndryshime themelore shoqërore. Ndryshimi themelor shoqëror kërkon përpjekje të përbashkëta në sektorë të ndryshëm: politika, arsimi, familja, biznesi dhe argëtimi, ndër të tjera. Fajësimi i viktimave dhe të mbijetuarve është i padrejtë. Në vend të kësaj, kundërshtimet duhet të na kujtojnë nevojën për dialog të vërtetë dhe kuptimplotë, veçanërisht kur disa kandidatë aktualë presidencialë kanë një histori të deklaratave mizogjene.

FN: Shumë të rinj tajvanezë – kryesisht meshkuj – ndjejnë presionin e shoqërisë për tu forcuar ekonomikisht, për t'u martuar dhe/ose për të pasur një familje, megjithatë pagat mesatare mbeten relativisht të ulëta sipas standardeve rajonale. A mund ta zbërtheni këtë situatë? A ka zgjidhje reale për të?

JJC:  Unë vetë jam e hutuar nga kjo enigmë; pse është kaq e vështirë të rrisësh pagat? Si dikush me vetëm një kuptim themelor të parimeve makroekonomike, nuk dua të sugjeroj ndonjë zgjidhje. Megjithatë, e vlerësoj mundësinë për të ndarë vëzhgimet e mia.

Djemtë e rinj ankohen për presionin dhe gratë e reja ankohen gjithashtu, sepse niveli kombëtar i pagave ka ngecur për dekada, ndërsa çmimet e banesave dhe shpenzimet e jetesës rriten, por mundësitë e punës vazhdojnë të përqendrohen në zonën më të madhe të Tajpeit, qyteti më i shtrenjtë për të jetuar. Biseda rreth decentralizimit vijon prej dekadash, duke përfshirë zhvendosjen e disa ose të gjitha zyrave të qeverisë në Tajvanin qendror dhe jugor, gjë që mund të nxisë bizneset të lëvizin dhe të arrijnë një zhvillim më të ekuilibruar. Megjithatë, ky plan duket i pamundur për shkak të inercisë, rezistencës, stimujve të ulët dhe kostos së lartë. Zgjidhje të tjera përfshijnë zgjerimin e banesave sociale, rritjen e taksave dhe normave të interesit të hipotekave për njerëzit që zotërojnë shtëpi të shumta, rritjen në mënyrë graduale të kërkesës për pagesën e paradhënies për banesën e tretë dhe vendosjen e taksave luksoze mbi fitimin e kapitalit nga transaksionet afatshkurtra. Megjithatë, zgjidhjet e propozuara ende nuk janë miratuar. Probleme të ngjashme shihen në përpjekjen për të trajtuar stanjacionin e pagave dhe çdo politike efektive do t'i duheshin vite për të dhënë rezultate.

Për më tepër, presioni patriarkal i bën burrat dhe disa gra, të besojnë se burrat duhet të sigurojnë të ardhurat për familjen. Idealisht, një kthesë feministe e marrëdhënieve intime duhet t'i çlirojë njerëzit nga besime të tilla dhe t'i nxisë ata të krijojnë një marrëdhënie, ku të dyja palët kontribuojnë dhe ndajnë përgjegjësinë. Megjithatë, një ideal i tillë do të rriste presionin vetëm kur bota materiale nuk e mbështet një marrëdhënie të tillë barazie – fakti që pagat janë të ulta, çmimet janë të larta, gratë fitojnë më pak dhe rritja e fëmijëve e kthen prapa karrierën e grave. Realiteti material dhe “prangat” patriarkale mund t'i bëjnë të rinjtë të keqpërdorin zemërimin e tyre ndaj grave, veçanërisht kur ka ndonjë përparim në të drejtat e grave, duke përkeqësuar “luftën gjinore” e duke larguar vëmendjen e njerëzve nga shkaku kryesor i vuajtjes së tyre. Qeveria duhet të vazhdojë të punojë për zgjidhjen e problemit material, ndërsa arsimtarët e çdo lloji duhet të nxisin më shumë biseda dhe mësime për të parandaluar zemërimin e gabuar dhe luftën gjinore.

FN: Sipas jush, cilët janë feministët më të shquar që po riformësojnë shoqërinë tajvaneze? Si po e arrijnë këtë? 

JJC:  Ka shumë prej tyre, në fusha të ndryshme: përfaqësues të OJQ-ve, që punojnë pa u lodhur për të promovuar barazinë dhe për të ofruar shërbime, politikanë që përdorin platformën e tyre për të nxitur reformat, arsimtarë që përfshijnë mendimin feminist në mësimdhënien e tyre dhe ka njerëz të shumtë që bëjnë punën e tyre dhe jetojnë me parimet feministe. Të gjithë ata që i përkushtohen vlerave të barazisë duhet të jenë në qendër të vëmendjes.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.