- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

“Dolma Diaries ” përpiqet të mposhtë stereotipet dhe armiqësinë në çdo episod

Kategoritë: Azia Qendrore e Kaukazi, Europa Perëndimore, Armenia, Azerbaixhani, Gjeorgjia, Gjermania, Art e Kulturë, Filmat, Historia, Lajme të mira, Lufta e konflikti, Media e qytetarëve, Muzika, Politika, Të rinjtë

Foto nga Dolma Diaries [1].

Dolma Diaries [1] është një seri e shkurtër në internet e prodhuar nga një ekip nga Gjermania, Azerbajxhani, Armenia dhe Gjeorgjia. Por është më shumë se thjesht një seri në internet. Seriali-komedi i bën njerëzit të marrin në konsideratë narrativat para-ekzistuese rreth historisë, konfliktit, kulturës dhe perceptimeve të njerëzve për njëri-tjetrin kur bëhet fjalë për normat e ngulitura thellë kulturore, historike dhe shoqërore. Më e rëndësishmja, ajo vjen që të bëjë në mënyrë të pandërgjegjshme audiencën të marrë parasysh paragjykimet rreth konfliktit të Karabakut [2]. Episodi pilot është i mbushur me shaka dhe nuanca që e bëjnë filmin më kuptimplotë, veçanërisht për ata që njohin kontekstin rreth tensioneve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Global Voices bisedoi me Oliver, Sergey, Beka dhe Anar nga ekipi i Dolma Diaries për të mësuar më shumë rreth projektit si dhe planet e tyre të ardhshme.

Global Voices: Si lindi projekti?

Sergey: Kishte shumë ide. Ne mblodhëm skenaristë nga rajoni. Ideja ishte përdorimi i humorit. Sillni fytyrë njerëzore për të gjithë palët e interesuara në rajon. Por ishte një situatë tjetër kur filluam të punonim për skenarin.

Oliver: Ky ishte viti 2016, pak pas luftës katërditore [3] të prillit. Shoqëria civile ishte e frustruar që nuk kishte ndikim në konflikt. Përplasjet e prillit sollën urrejtje në internet. Dhe pikërisht atëherë na lindi ideja për të shkruar skenarin.

Filluam të shkruanim skenarin në vitin 2017 në Berlin, por u takuam edhe në Tbilisi dhe online. Dhe kishte një shkrimtar nga çdo vend. Një nga Armenia, Azerbajxhani, Gjermania dhe Gjeorgjia.

Katër krijuesit janë një grup ndryshe, që kanë arritur sukses mbresëlënës në projekt. Beka me profesion është muzikant, me banim në Mynih. Ai shkroi kolonën zanore për filmin. Hamleti (aktori armen) është një pianist klasik që jeton në Berlin, ndërsa Anar është student në Universitetin Humboldt, ku studion shkencat sociale.

GV: Sa kohë u desh për të shkruar skenarin?

Oliver: E përfunduam brenda një viti. Ne morëm financime nga Ministria e Jashtme gjermane. Ne kishim një skenar gati për tetë episode në fillim të 2018. Dhe episodi aktual pilot është 2/3 e episodit të parë.

GV: Kur e keni filmuar episodin e parë?

Oliver: Verën e 2021. Edhe një herë, ishte një kontekst tjetër. Ishte pas luftës së vitit 2020 [4]. Kjo është arsyeja pse ne ndryshuam skenarin. Fillimisht nis në një apartament krejtësisht të rrënuar, me tre djem të ulur në qoshe duke u dukur si boksierë dhe më pas shfaqet pronari dhe pyet se çfarë po ndodh. Por pas imazheve të luftës, ky skenar nuk u duk i përshtatshëm, kështu që ne e ndryshuam atë në muzikë me zë të lartë në apartament. Ne hoqëm edhe disa shaka të tjera që ishin shumë qesharake, por që nuk ishin të përshtatshme.

Episodi-pilot fillon me një pronar që ngjit shkallët për në apartamentin ku jetojnë Gio, Azer dhe Armen (emrat e aktorëve në film) si pjesë e një programi bursash që u është dhënë. Nga banesa dëgjohet muzikë e fortë rap nga Armenia dhe Azerbajxhani.

GV: Çfarë lloj reagimesh keni marrë deri tani? Vura re se nuk kishte komente urrejtjeje të postuara nën video. Pse mendoni se ka qenë kaq pozitive?

Oliver: Mendoj se një arsye pse kemi marrë kaq shumë reagime dhe komente pozitive është sepse ishim shumë të kujdesshëm. Edhe pse kjo i hoqi një pjesë të argëtimit. Për shembull, ne nuk e përmendim Karabakhun [5].

Në skenën hapëse të episodit pilot, pronari gjerman i ul të tre para një tavoline dhe i pyet se çfarë kanë. Menjëherë pas kësaj, pronari e gjen veten duke dëgjuar tre interpretime shumë të dallueshme të rrëfimit historik.

Oliver: Fillimisht, skena e historisë ishte shumë më specifike përsa i përket pretendimeve territoriale, por në versionin aktual, ne bëmë se cili vend është më i vjetër, gjë që në një farë mënyre nuk pasqyron problemin aktual, por gjithashtu shmang disa çështje që mund të shkaktojnë një diskutim të nxehtë. Dhe ndërsa mendojmë se historia është në thelb të këtij konflikti, ne u përpoqëm ta bënim atë në një mënyrë, që ishte neutrale. Ne vendosëm që të bënim shaka me territorin ndërkohë që njerëzit luftonin dhe vdisnin për të nuk ishte e përshtatshme, ndërsa zgjedhja për të bërë shaka se cili vend është më i vjetër ishte diçka me të cilën mund të argëtoheshim pa u lënduar.

Sergey: Mendoj se arsyeja që nuk ka komente negative është sepse është shumë mirë i balancuar. Është shumë i kujdesshëm dhe ndoshta edhe tepër i kujdesshëm. Ne kishim shumë gjëra në fillim, shaka qesharake, të vështira që përfundimisht u bënë pak më neutrale. Gjithashtu, mendoj se këtë herë filmi ka arritur një audiencë më progresive. Dhe kjo është sepse është në YouTube. Nëse ky film do të transmetohej në televizion, atëherë do të kishte më shumë negativitet.

Koha gjithashtu – duke e bërë të gjithën të pakëndshme pasi krijon dilemë, sigurisht, paqja është e mirë, por nuk po ndodh, ashtu siç flasim, gjëra të këqija po ndodhin atje. Pra, kjo është e vetmja gjë negative në histori.

Anar: Jam dakord me Sergey, se platforma ka vërtet rëndësi. Gjithashtu rastësia e njerëzve në film – asnjëri prej aktorëve nuk është i njohur – e bëri audiencën ta pëlqejë filmin më shumë sesa ta urrejë atë.

GV: A është përballur ndonjëri prej aktorëve me sulme personale pasi u transmetua episodi pilot?

Beka: Unë nuk u sulmova. Kam miq nga të dyja palët dhe reagimet e deritanishme ishin vetëm pozitive.

Anar: E njëjta. Nuk kam marrë asnjë kërcënim. Ndoshta në disa platforma të tjera, por personalisht jo.

Hamleti, aktori armen, gjithashtu tha se nuk është përballur me ndonjë kërcënim.

Oliver: Ne gjithashtu e kuptojmë se koha nuk është e mirë. Kështu që e kuptoj pse ndjehet paksa e pakëndshme të bësh diçka më të lehtë në një kohë lufte. Por unë mendoj se njerëzit mund të ngatërrojnë komentet, të cilat kanë të bëjnë më shumë me bashkëjetesën paqësore, me episodin aktual. Sepse në episod nuk po e banalizojmë paqen dhe po themi se tani është e gjitha paqësore. Ne japim një paraqitje të shkurtër të bashkëpunimit sipas rrethanave dhe kjo aventurë në Berlin sapo ka filluar. Dhe më pas, në skenën e fundit të episodit pilot është ky moment i shkurtër në të cilin aktorët buzëqeshin me njëri-tjetrin duke sinjalizuar se ndoshta mund të jetojnë bashkë në këtë apartament, por kush e di. Nuk dua të jap ndonjë informacion më shumë, por do të ketë pengesa në episodet e ardhshme.

Komenti i Oliverit për bashkëpunimin i referohet takimeve në Zoom që djemtë kanë me prindërit e tyre. Kur Armen dhe Azer flasin me familjen e tyre, ata prezantojnë shokët e dhomës, por gënjejnë për kombësinë e tyre.

GV: Cili është mesazhi që po përpiqeni të jepni përmes këtij filmi?

Oliver: Ne nuk po tallemi me luftën apo vuajtjet. Mesazhi ynë kryesor nuk është as “le të bëjmë paqe”, por se ka njerëz në anën tjetër. Kjo ide që dikush nga Azerbajxhani do ta shikonte këtë, dhe pas disa episodeve të pëlqejë personazhin armen. Dhe në mënyrë të ngjashme kur e shikon një armen, pas disa episodeve fillon të pëlqejë personazhin azer, i cili është mjaft qesharak dhe ka një interes dashurie në Berlin. Mendoj se kjo perspektivë njerëzore është shumë e nevojshme tani. Sidomos në kontekstin e 30 viteve të fundit, ku masakrat dhe mizoritë kanë [çuar] në pamundësinë për të parë anën tjetër njerëzore.

Anar: Nuk mendoj se filmi duhet të ketë një mesazh të madh. Ka të bëjë më shumë me ndjenjat që jep dhe rezultatet që sjell. Nuk duhet ta përshkruajmë me fjalë, në nënndërgjegje mendoj se njerëzit e ndjejnë këtë dhe mendoj se ky është rezultati kryesor. Mesazhi im i përgjithshëm është se të gjitha vendet luftuan njëri-tjetrin. Unë nuk njoh asnjë vend që nuk ka luftuar me fqinjin e tij. Por të gjitha konfliktet përfundojnë një ditë. Ne flasim për paqen si një vlerë boshe. Unë mendoj se njerëzit harruan kuptimin dhe vlerën e paqes.

Oliver: Jam dakord. Ndryshe nga projektet e tjera të arritjes së paqes, këtu mesazhi është më i nënndërgjegjeshëm. Ne nuk themi të kemi paqe, por është më e fshehtë.

GV: Çfarë vjen më pas? 

Oliver: Me gjithë reagimet që kemi marrë, jemi optimistë se do të marrim fonde për xhirimin e episodeve të mbetura. Sa dhe kur, natyrisht, nuk është e qartë. Por shpresa ime është që ndoshta mund të xhirojmë më shumë episode pranverën e ardhshme. Tre deri në pesë episodet e ardhshme janë shumë të avancuara. Ato mund të kryhen shpejt, pothuajse nesër. Ne gjithashtu do të duhet të ndryshojmë gjërat dhe të përshtatemi me kontekstin.

Sergey: Gjëja e mirë e nxjerrjes së këtij projekti pilot tani është se ne e dimë se çfarë të përmirësojmë kështu që ishte një përvojë e mirë. Ne jemi duke u fokusuar kryesisht në evolucionin e një marrëdhënieje dhe në zbulimin e tipareve njerëzore tek njëri-tjetri dhe të habitemi, dhe në fund e gjejmë veten si njerëz të ndryshëm.