Shpjegimi i Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës: Përpjekjet dhe lufta

Një poster nga Revolucioni Kulturor që bën thirrje që njerëzit të ngrihen dhe të luftojnë kundër revizionistëve të partisë. Foto me domen publik nëpërmjet libcom.org

Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) u mbyll më 22 tetor. Siç pritej, kryesekretari i partisë dhe presidenti kinez Xi Jinping siguroi mandatin e tij të tretë si lideri kryesor i partisë për pesë vjet të tjerë. Global Voices po boton një seri artikujsh që eksplorojnë gjuhën e përdorur gjatë kongresit të 20-të dhe analizon implikimet e saj për Kinën, PKK dhe shprehjen e lirë në vend. Gjeni artikullin e parë këtu.

Në mënyrë tronditëse, kolegët e tij dhe zyrtarët e lartë me përvojë, duke përfshirë Li Keqiang, kryeministrin në largim, Wang Yang, kryetar në largim i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe Li Zhanshu, kryetar në largim i Kongresit Popullor Kombëtar, janë hequr nga lista prej 204 anëtarësh e Komitetit Qendror. Gjashtë burrat e ardhshëm në Komitetin e ri të Përhershëm të Byrosë Politike janë të gjithë besnikë të Xi. Kjo nënkupton që organi më i lartë i partisë do të përbëhet ekskluzivisht nga zëra që pajtohen me Xi Jinping.

Kjo përbërje e re e fuqisë reflektohet në përdorimin e shpeshtë nga Xi të fjalës douzheng 鬥爭 në kinezisht dhe përkthyer si një “përpjekje” ose “luftë” në raportin e tij në Kongresin e 20-të të PKK.

Guxo dhe përpiqu

Fjala kineze, douzheng u përdor në fjalimin e hapjes së Xi Jinping 22 herë. Fryma luftarake është edhe më e fortë nëse merret parasysh një term tjetër fendou 奮鬥, që do të thotë “përpjekje” dhe që ishte 28 herë në të njëjtin fjalim.

Në paragrafin hyrës, Xi theksoi se partia duhet të ketë guximin të luftojë dhe të jetë e aftë për të luftuar (务必敢于斗争、 善于斗争). Në fakt, në seancën përmbyllëse të Kongresit u miratua një rezolutë për të kodifikuar këtë frymë luftarake në kushtetutën e PKK. Në rezolutën e partisë thuhet:

敢於鬥爭、敢於勝利,是黨和人民不可戰勝的強大精神力量。黨和人民取得的一切成就,都是通過鬥爭取得的。大會同意把發揚鬥爭精神、增強鬥爭本領的內容寫入黨章。充實這些內容,對激勵全黨堅定歷史自信 […] 把握新的偉大鬥爭的歷史特點,團結帶領全國各族人民奪取中國特色社會主義新勝利…

“Guxoni të luftoni dhe guxoni të fitoni” është fuqia shpirtërore e pathyeshme e partisë së popullit. Partia dhe populli i fitoi të gjitha arritjet me luftë dhe përpjekje. Kongresi, si rrjedhim, ra dakord të përfshijë “forcimin e shpirtit luftarak dhe aftësisë për të luftuar” në kushtetutën e partisë. Kjo përmbajtje e shtuar do të rriste besimin e partisë në histori… të kuptojë dhe të marrë në dorë tiparet e reja në luftën e madhe historike, të bashkojë dhe të udhëheqë njerëzit e të gjitha grupeve etnike për të arritur arritjen e socializmit me karakteristika kineze në epokën e re…

Për zhgënjimin e Pekinit, përbërja e dukshme e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të PKK, së bashku me theksin tek lufta dhe përpjekjet, bëri që shumë disidentë kinezë jashtë shtetit të besonin se episodi i papritur i përcjelljes së ish-liderit të lartë Hu Jintao nga salla e Kongresit gjatë seancës përmbyllëse, ishte rezultat i luftës së brendshme partiake:

Këndi i ri me peshë të rëndë! Hu Jintao dhe Xi Jinping luftojnë për pushtet. Hu Jintao u largua pa dëshirë. Xi Jinping e bëri atë të largohej.

Por disa kritikë kinezë, si Han Lianchao, paralajmëruan kundër interpretimit të tepërt të dramës përmbyllëse.

Nga lufta e klasave e Maos deri te lufta ekzistenciale e Xi

Përdorimi politik i termit kinez douzheng e ka origjinën nga përkthimi i idesë marksiste të luftës së klasave, e cila është një koncept për të përshkruar një proces politik të luftës së proletariatit kundër shfrytëzimit të kapitalistëve. Që nga krijimi i Republikës Popullore të Kinës, PKK, nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit, ka përdorur idenë e “luftës së klasave” për të nisur fushatat e saj politike, duke përfshirë Lëvizjen e Reformës së Tokës (1948-1950) dhe Fushata e anti-të djathtëve (1957–1959). Nën teorinë e “luftës së vazhdueshme të klasave nën socializëm”, Mao mobilizoi bazën për të luftuar kundër “revizionistëve” nga brenda PKK, e cila përfundimisht çoi në Revolucionin Kulturor (1966-1976), një trazirë politike dhjetëvjeçare ku dhjetëra miliona intelektualë dhe zyrtarë u persekutuan dhe u spastruan.

Pas vdekjes së Maos në shtator 1976, Deng Xiaoping, ideator i Reformës së Dyerve të Hapura të Kinës, zëvendësoi teorinë e luftës së klasave të Maos me pragmatizëm të orientuar drejt ekonomisë. Hu Jintao ndoqi pragmatizmin e Deng, duke mbështetur parime të tilla si “pikëpamja shkencore mbi zhvillimin“, “shoqëria harmonike”  dhe “Pa kthesë Z” (不折騰).

Megjithatë, ideologjitë e Maos kanë depërtuar që nga viti 2012 pasi Xi Jinping ringjalli termin “luftë” përmes fushatave të tij ideologjike për të heshtur kritikët në internet, për të kontrolluar të gjitha organet e medias dhe për të nisur fushata mbarëkombëtare kundër korrupsionit, të cilat rezultuan në dënimin e më shumë se 4.5 milionë zyrtarëve partiakë dhe qeveritarë në 10 vitet e fundit.

Në raportin e fundit të Kongresit Xi, termi douzheng është shtrirë më tej në të gjitha fushat e politikës, duke përfshirë luftën kundër separatistëve, ekstremistëve fetarë, terroristëve, kontrollin dhe ndërhyrjen e huaj, korrupsionin, burokracinë, luftën për të forcuar fuqinë ushtarake, etj. Xi e përfundoi mesazhin e tij politik si “një luftë e bashkuar për të ringjallur kombin kinez dhe për të ndërtuar një vend socialist modern në të gjitha aspektet” në fjalimin e tij.

Prandaj, shumë disidentë kinezë jashtë shtetit, parashikuan një luftë të pafundme që synonte grupe të ndryshme shoqërore. Këtu është një bisedë e përhapur gjerësisht midis dy përdoruesve kinezë të Twitter, @laoyang dhe @winston:

@laoyang: Xi Jinping është i aftë në goditjen e popullsisë së nivelit të lartë [të pasurit dhe të fuqishmit], Li Qiang është i mirë në goditjen e klasës së mesme, Cai Qi është i mirë në goditjen e popullsisë së nivelit të ulët [në bazë dhe të dëbuar], ata formojnë një kombinim të tillë ëndrrash.

@winston: Mao Ce Dun: “Një gëzim kaq i madh për të luftuar parajsën, tokën dhe njerëzit”. Kjo është arsyeja pse ai i torturoi kinezët për 30 vjet (duke vendosur popullsinë e nivelit të lartë në kasolle lopësh dhe duke i dërguar të varfërit në fshatra). Tani Xi Jinping e futi taktikën e luftës në kushtetutën e partisë. Kinezët e nënshtruar kontinentalë përgatituni të përjetojnë torturat që kishte kaluar brezi i babait tuaj.

Li Qiang është kreu i PKK i qytetit të Shangait. Shumë besuan se ai mori vendin e tij në komitetin e përhershëm të Byrosë Politike për mbështetjen e politikës zero të Xi për COVID-19. Sa për Cai Qi, ai nisi një fushatë për të dëbuar popullsinë e varfër nga Pekini në vitin 2017, kur ishte shefi i partisë së qytetit. Pas kësaj, ai u ngjit shpejt në shkallët politike brenda PKK. Katër anëtarët e tjerë, Zhao Leji, Wang Huning, Ding Xuexiang dhe Li Xi janë gjithashtu besnikë të Xi.

Ndërsa fuqia e Xi Jinping brenda PKK është plotësisht e konsoliduar, thelbi i “luftës” së ardhshme tingëllon gjithnjë e më shumë si një përpjekje për kontroll total shoqëror, siç sugjeruan disa analistë politikë:

“Ata të gjithë besojnë se Kina, me sistemet e saj të mëdha të mbikëqyrjes dhe kontrollin social ndëshkues, tani i ngjan Bashkimit Sovjetik të Stalinit dhe Kinës së Mao Ce Dunit. Sipas tyre, edhe Rusia dhe Irani kanë më shumë hapësirë për mospajtim.”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.