- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Jugosllavia s'ishte aleate e sovjetikëve—pse ekziston koncepti i gabuar në mediat perëndimore?

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Bosnjë Herzegovina, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia, Historia, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Politika
Tito, American Flag, Stalin, Churchill [1]

Një festë e partizanëve jugosllavë që përfshin Josip Broz Tito [2] me flamujt e të gjithë aleatëve të tyre: SHBA, BRSS dhe Mbretërinë e Bashkuar; si dhe portrete të udhëheqësve aleatë (jashtë kornizës) Ruzevelti, Stalini dhe Çërçill [3]. Vis, Kroaci, 9 nëntor 1944. Foto: znaci.net [4], domein publik.

Ndërsa raportonte për ratifikimin e protokollit për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO në Kongresin e SHBA më 22 tetor, faqja amerikane e internetit, The Hill [5] gabimisht shkruante se Jugosllavia ishte një aleat i Bashkimit Sovjetik. Ky gabim historik, që shpesh bëhet në mediat perëndimore, konsiderohet një stereotip fyes nga shumë qytetarë të vendeve post-jugosllave.

Hill është një botim me ndikim në Uashington dhe lexohet nga vendimmarrës të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, artikulli në fjalë u shpërnda në Twitter edhe nga ish-zv/presidenti amerikan, senatori Joe Biden.

Unë mbështes fuqimisht miratimin nga senati të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë të jenë pjesë e një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe dhe ne duhet të mbështesim integrimin Euro-Atlantik të të gjithë rajonit.

Teksa artikulli është korrekt në përgjithësi, pjesa e së shkuarës përfshin këtë fjali:

Më parë, pjesë e aleatit sovjetik Jugosllavisë, Maqedonia e Veriut, u ftua zyrtarisht nga NATO në korrik 2018 për të filluar bisedimet e pranimit dhe 22 vende e kanë ratifikuar pranimin e saj.

Në pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë [8] nuk ishte një aleate sovjetike – përkundrazi, pavarësia e saj nga blloku Lindor dhe ai Perëndimor ishte një tipar kryesor i identitetit të saj kombëtar.

Jugosllavia u krijua në 1943 në kulmin e Luftës së Dytë Botërore nga partizanët jugosllavë [9], rezistenca antifashiste e drejtuar nga komunistët, e cila u mbështet nga aleatët [10]. Ndërsa morën ndihmë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Sovjetik, partizanët jugosllavë çliruan vetë zona të shumta të vendit. Vetëm në këtë kuptim më të gjerë Jugosllavia ishte një aleat zyrtar i Bashkimit Sovjetik – krahas të gjithë aleatëve të tjerë.

Pas luftës, marrëdhëniet midis dy partive komuniste u përkeqësuan. Deri në vitin 1948, jugosllavët hoqën dorë nga Stalinizmi për të krijuar një formë të veçantë të socializmit. Dhe midis 1948 dhe 1955, gjatë periudhës së Informbiro [11], Jugosllavia ishte në kundërshtim [12] të drejtpërdrejtë të sovjetikëve, deri në atë pikë sa të përgatitej për tu përballur me një pushtim nga Pakti i Varshavës.

[13]

Ushtarët gjermanë kalojnë pranë mbishkrimeve antifashiste “Rrofshin aleatët tanë: BRSS, Anglia, Amerika!” pasi ata ripushtuan ishullin kroat të Hvarit më 2 prill 1944. Burimi: znaci.net, [14] domein publik.

Siç dëshmohet nga informacioni i lëshuar nga Biblioteka Presidenciale John F. Kennedy [15], Jugosllavia u mbështet fuqishëm te ndihma amerikane gjatë periudhës së pasluftës – për shembull, duke marrë furnizime ushqimore nga Administrata e Ndihmës dhe Rehabilitimit të Shteteve të Bashkuara [16], e cila parandaloi urinë masive në 1945. Për një pjesë të historisë së saj, SHBA i dha Jugosllavisë statusin e “kombit të privilegjuar” [17] në tregti, që solli rritjen ekonomike të vendit të Ballkanit.

[18]

Harta e Europës me Perden e Hekurt (me të zezë) nga Wikipedia, CC BY-SA.

Si pjesë e aktit të saj balancues midis blloqeve, Jugosllavia ishte një nga themelueset e Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara [19] në vitin 1961. Për dallim nga Gjermania Lindore, Polonia, Çekosllovakia, Rumania dhe Bullgaria, ajo ishte në anën perëndimore të Perdes së Hekurt, [18] e ashtuquajtura vijë që ndante zonën e dominuar nga sovjetikët nga pjesa tjetër e Evropës.

Pohimi i pasaktë që barazon Jugosllavinë me Bashkimin Sovjetik është përmendur herë pas here në mediat perëndimore, kryesisht në sferën e krahut të djathtë. Kur është e qëllimshme, është pjesë e diskursit të sotëm Red Scare [20], i cili degradon reputacionin e aktorëve politikë nga rajoni. Ky ligjërim zakonisht ka për qëllim audiencën konservatore perëndimore që është akoma e ndjeshme ndaj “kërcënimit komunist”.

Për shembull, në tetor 2015, The Hill publikoi një artikull [21] nga një lobist i paguar nga VMRO-DPMNE [22], një parti nacionaliste e afërt me Kremlinin [23], që qeverisi Maqedoninë e Veriut nga 2006 deri në 2017 [24], që përpiqej të shpifte ndaj kundërshtarëve të saj pro-BE dhe pro-NATO se gjoja janë pro-rusë. Aty thuhet se Maqedonia ishte “një vend i ish bllokut sovjetik”, “partia e saj opozitare, LSDM që drejtohet nga Zoran Zaev, është pasardhësja e ish partisë komuniste në pushtet gjatë Luftës së Ftohtë”.

Një artikull i vitit 2016 në të njëjtin botim, i mbushur me tregime që i vënë theksin shqetësimeve të krahut të djathtë për migracionin, e keqpërfaqësoi [25] Zaevin si një “fajtor” për paqëndrueshmërinë e Ballkanit dhe “kryetarin e Partisë Socialiste të LSDM-së që përkrahet nga Rusia”.

Kjo gjuhë i drejtohet audiencave konservatore në Perëndim, për të cilat termi “socialist” është i ngarkuar me konotacione negative dhe është i lidhur në vetvete me BRSS dhe si rrjedhojë edhe me Rusinë. Sidoqoftë, kjo gjuhë nuk ka asnjë ndikim në vetë Maqedoninë e Veriut. LSDM-ja qëndron për Unionin Socialdemokratik i Maqedonisë dhe platforma e saj e majtë është në mënyrë të qartë pro-NATO dhe pro-evropiane. Dëshmi e kësaj është nënshkrimi nga Zaevi i Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018, e cila i dha fund një mosmarrëveshje historike për emrin me Greqinë, dhe rezultati kryesor i së cilës do të jetë hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ndërkohë, një Parti Socialiste [26] aktuale ishte anëtare e koalicionit të VMRO-DPMNE-së me nacionalistët populistë.

Jugosllavia mes blloqeve

Përveç faktit se është gabim, barazimi i Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik ose bllokun e saj shihet nga shumë ish-jugosllavë si një stereotip negativ. Pothuajse tre dekada pas shpërbërjes së federatës në 1992, pavarësia nga Bashkimi Sovjetik është ende një shenjë krenarie për shumë qytetarë të vendeve pas Jugosllavisë. Njerëzit nga rajoni shpesh hyjnë në diskutime pasionante për të mbrojtur veçantinë e përvojës socialiste jugosllave, me hapjen e saj me Perëndimin, lirinë për të udhëtuar dhe punuar jashtë vendit dhe një standard relativisht të lartë të jetesës.

Disa ish-jugosllavë që kanë pasur rastin të vizitojnë Bllokun Sovjetik në atë kohë, do të mburren, duke thënë se “ne ishim amerikanë para atyre!” Ata ngandonjëherë injorojnë faktin se disa nga ato vende të dikurshme, si anëtarët e BE-së Estonia dhe Polonia, kanë bërë përparime të pakonceptueshme në kohët e sotme në Ballkanin Perëndimor.

Debati shkon përtej grindjeve për kafenë apo birrën. Pasionet ndizen kur ish-jugosllavët futen në të njëjtën kategori si evropianët e tjerë qendrorë dhe lindorë nga figurat politike. Një rast ishte kur Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Jeremy Hunt e karakterizoi gabimisht [27] Slloveninë si “një shtet vasal sovjetik” gjatë një vizite në Ljubljanë në shkurt 2019, një gafë që solli reagime të ashpra nga publiku slloven [28] dhe më gjerë.

Jugosllavia nuk ishte pas Perdes së Hekurt (përsëritje)

Shpërthime të ngjashme në internet pati në korrik 2017, kur gazetarja amerikane Joy Reid, që konsiderohet e majtë, gabimisht ngatërroi [31] Bashkimin Sovjetik, Jugosllavinë dhe Çekosllovakinë, ndërsa diskutonte për origjinën e grave të presidentit amerikan Donald Trump. Edhe pse ajo e korrigjoi veten në Twitter, pasojat zgjatën me vite.

Jugosllavia kurrë nuk ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe gjatë viteve të Titos kundërshtoi shumë fuqishëm ndikimin sovjetik. Kjo është pikërisht arsyeja pse njeriu duhet të jetë skeptik ndaj gazetarëve dhe të ndryshohet në skepticizëm vetëm në meritën e vërtetësisë së argumenteve.

Në maj të vitit 2018, një artikull [34] i Business Insider në lidhje me një teori konspirative që Melania Trump është një spiune ruse, keqpërfaqësoi historinë e Sllovenisë, duke sjellë përsëri zemëratë:

Sllovenia ishte një pjesë e Jugosllavisë derisa ai vend u nda. Asnjëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik apo Rusisë. Ku ishte redaktori për këtë shkrim? Unë besoj se reporteri është pushuar nga puna për paaftësi.

Një shembull tjetër ndodhi në gazetarinë sportive: në tetor 2018, një artikull [36] mbi historinë e futbollit kroato-amerikan nga faqja e internetit Protagonist Soccer u korrigjua shpejt pasi një lexues i shkroi [37] se Kroacia nuk ishte kurrë pjesë e Bashkimit Sovjetik:

Faleminderit për këtë shkrim për futbollin kroat. Ju lutemi bëni një korrigjim. Jugosllavia nuk ishte një “komb sovjetik”. Ishte një shtet komunist, por kurrë nuk ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Unë do të doja ta shpërndaja artikullin tuaj, por nuk dua që fokusi të jetë në këtë pikë. Shumë faleminderit.