Shqiptarët të acaruar me BE-në që nuk hapi negociatat- por për kryeministrin “dielli doli përsëri”

Flamujt e Shqipërisë dhe BE-së në Gjirokastër, fotografuar në korrik 2006 nga përdoruesi i Flickr, Nomad Tales, CC BY-NC-ND.

Bashkimi Europian (BE) dështoi në hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë një goditje fortë politikanëve pro-BE në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimet e zhvilluara në javën që përfundoi më 19 tetor, presidenti francez Emmanuel Macron ishte në krye të disa shteteve në kundërshtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të ecnin përpara me aspiratat e tyre të anëtarësimit. Atij iu bashkua Danimarka dhe Holanda në refuzimin e Shqipërisë, por vetë Franca refuzoi vetëm Maqedoninë e Veriut.

Të gjitha shtetet e BE-së duhet të bien dakord përpara se të jepet miratimi për të filluar bisedimet e anëtarësimit.

Mungesa e konsensusit u prit negativisht, jo vetëm nga politikanët dhe publiku në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe nga burokratët në Bruksel.

Kreu i Komisionit Europian, ekzekutivi i BE-së, Jean-Claude Juncker tha se ishte “një gabim i madh historik”, ndërsa Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk duhen fajësuar.

Dua t'i dërgoj një mesazh miqve tanë maqedonas dhe shqiptarë: mos u dorëzoni! Ju e bëtë pjesën tuaj dhe ne jo. Por nuk kam asnjë dyshim absolutisht se ju do të bëheni anëtarë të plotë të Bashkimit Europian

Në Shqipëri, kriza politike po vlon që nga muaji shkurt, kur deputetët e opozitës lanë mandatet e tyre dhe dolën në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Një hetim nga Zëri i Amerikës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative pretendon se zyrtarët qeveritarë bashkëpunuan me bandat kriminale në një skemë blerjeje votash në zgjedhjet e vitit 2017. Deputetët e opozitës hoqën dorë nga mandatet e tyre dhe dolën në rrugë duke kërkuar që kryeministri Rama të japë dorëheqjen dhe bëri thirrje për krijimin e një qeverie kalimtare për të mbikëqyrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Opozita shqiptare, e përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, fajësuan Ramën për mos hapjen e bisedimeve për negociatat me BE-në dhe bënë thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke ndjekur shembullin e Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, i cili njoftoi zgjedhje të parakohshme.

Opozita në Shqipëri fajëson kryeministrin për dështimin e negociatave me BE-në, bën thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Por kryeministri Rama tha se “jo”-ja nga BE-ja erdhi për shkak të problemeve të brendshme të Bashkimit Europian dhe jo sepse Shqipëria dështoi të plotësonte kushtet:

“Do të ketë një seri komunikimesh me presidentin francez dhe vendet e tjera anëtare, në mënyrë që të kuptohet më mirë përparimi në këtë proces”, tha Rama.

“Siç e shikoni, dielli ka dalë përsëri, dita vazhdon”, shtoi Rama, duke u munduar të ulë tonet për pasojat e  vendimit negativ të BE-së.

Rama: Do komunikoj me Makronin

Në fakt shqiptarët, por edhe ata që ndjekin procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, nuk ishin shumë të lumtur në Twitter:

Vendimi i liderëve të BE-së për të mos hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut është një gabim thelbësor dhe shkurajues për reformat. Sidoqoftë, të dy vendet duhet të jenë të përqendruar në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky është gabimi më i madh që BE-ja ka bërë gjatë këtyre viteve, Shqipëria është një vend në reformim, që më shumë se kurrë kishte nevojë për këtë vendim për të qenë pozitiv, që të kishte një dorë mbi supe për të kryer reformat më shpejt.

Gjithsesi, të tjerë përdorues në Twitter vunë theksin se integrimi në BE është “rruga e vetme” për Shqipërinë.

Shqipëria sot ka nevojë për një Pakt për Europën, për të përmbushur kushtet e Bundestagut dhe për të vazhduar reformat e saj. Ndoshta ne do të jemi më të gatshëm kur negociatat do të diskutohen përsëri vitin e ardhshëm, përpara samitit të Zagrebit, në maj 2020. Integrimi në BE është rruga e vetme për Shqipërinë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.