- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Hungari: “Sa policë nevojiten për ta arrestuar një person të pastrehë?”

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Hungaria, Aktivizmi dixhital, Ligji, Media e qytetarëve, Protesta, Qeverisja, Të drejtat e njeriut

“Sa policë nevojiten për ta arrestuar një person të pastrehë?” ishte titulli i një postimi të paradokohshëm [1] [hungarisht] në blogun Kettős Mérce [Standardi i dyfishtë], ku ishte vendosur edhe një video [2] ku mund të shiheshin tetë policë duke e arrestuar një person të pastrehë në Qarkun VIII të Budapestit.

Në fakt, ishte Attila Kopiás, i cili blogonte nën emrin KA_Steve [3] [hungarisht] dhe u shtir si i pastrehë, dhe me ndihmën e bloguesve të Kettős Mérce, e inçizoi atë që ndodhi pasi e thirrën policinë dhe e njoftuan se kishte një person të pastrehë në një ulëse në sheshin e Qarkut VIII.

Rasti shkaktoi një debat të madh, pasiqë kryetari i qarkut, nëpërmjet referendumit, ua ka ndaluar personave të pastrehë të qëndrojnë në hapësirat publike në shtator. Bloguesit i ndoqën rastet që ndodhnin në Qarkun VIII dhe publikuan një urdhëresë [4] [hungarisht] për ta ndjekur penalisht një person të pastrehë për shkak të “qëndrimit mbi një gur me disa shokë të tij të pastrehë.”

Dispozita në mënyrë të prerë ndalon “qëndrimin në hapësirat publike si stil i të jetuarit.” Në një intervistë, Attila Kopiás u tha bloguesve të Kettős Mérce,  se ai nuk është përpjekur ta mashtrojë policinë, sepse kur e kanë pyetur atë se a ka qëndruar në vend publik “si stil i të jetuarit, ai është përgjigjur se “i ka ndodhur edhe më parë të flejë në vend publik”.

Ai, për Kettős Mérce, tha:

[…] Nuk kisha përgatitur asnjë strategji, thjesht isha i neveritur nga fakti se njerëzit nuk dënohen për veprimet e tyre, por për gjendjen në të cilën janë. Ideja më erdhi nga nevoja për të bërë diçka kundër këtij sistemi jo të drejtë. Përveç kësaj, nuk mund ta pranoja se në vitin 2011, në Hungari, mund të ndodhë që dikush të arrestohet dhe të prangoset vetëm për shkak së është ulur/shtrirë në një ulëse. […] Mendova se askush nuk do të më diktojë, dhe thjesht doja të shihja se ç'do të ndodhë. […]

Duke e komentuar këtë aksion, KA_Steve parashtron pyetjen se çka e dallon dikë që bën piknik në një vend publik nga një të pastrehë. Si pasojë e kësaj, një version i ‘Piknik në maj’ – që në origjinë është një pikturë nga një artist hungarez i shekullit 19 [5] – filloi të qarkullojë në Facebook, fillimisht e publikuar [6] nga shfrytëzuesi i Tumblr, Prolidepp.

KA_Steve fton për aksion në blogun e tij [3] [hungarisht], ku paraqet mënyra ligjore për ta kundërshtuar dispozitën që i ndëshkon ata që jetojnë në rrugë, i zhvendosin kontejnerët për mbeturina ose lypin.

Attila e shkroi këtë [hungarisht] në Kettős Mérce:

[…] Por unë dua që ata [të pastrehët] ta dijnë se ka njerëz që angazhohen për ta. Ashtu siç do të dëshironim që dikush të angazhohet për ne kur kemi ndonjë problem.