A mund të ndihmojnë muzika dhe feminizmi në zgjidhjen e konflikteve kufitare në Azinë Qendrore?

Foto nga kanali në YouTube i Manizha-s që tregon këngën e saj më të fundit, “Tani ose kurrë” rreth një gruaje të re fshatare nga Kirgistani që mëson të luajë hokej mbi akull

Kirgistani dhe Taxhikistani kohët e fundit u përfshinë në një tjetër mosmarrëveshje vdekjeprurëse kufitare që solli një valë masive refugjatësh. Por për këngëtaren ruso-taxhike dhe yllin e Eurovizionit Manizha, Kirgistani është vendi ku vajzat mësojnë të luajnë hokej mbi akull dhe të fuqizohen, siç tregon ajo në videoklipin e saj të fundit muzikor.

Manizha është një fenomen në skenën muzikore post-sovjetike: e lindur në Taxhikistan, asaj iu desh të ikte nga lufta civile me familjen e saj në Rusi, ku u bë një këngëtare hip-hop, duke përzier gjuhët taxhike, ruse dhe anglishten, duke marrë famë ndërkombëtare kur përfaqësoi Rusinë në festivalin e Eurovizionit 2021.

Ajo që e dallon Manizhan nga artistët e tjerë pop në Rusi është se ajo trajton hapur çështjet tabu për shoqërinë taxhike ose ruse: refuzimi i patriarkatit, vendi i grave në shoqëritë tradicionale, pranimi i personave LGBTQ+ dhe njohja e rolit kryesor që luajnë miliona emigrantë të Azisë Qendrore, të cilët mbeten kryesisht të padukshëm në Rusi. Shumë ishin të indinjuar që ajo po përfaqësonte Rusinë në Eurovizion dhe i kërkuan parlamentit që ta ndalonte të këndonte nën flamurin rus, ndërsa kreu i komitetit të kulturës në Dumën e Shtetit kritikoi këngën e saj “Gruaja ruse” se nuk përfaqësonte vlerat ruse.

Më 12 tetor, ajo publikoi një videoklip për këngën “Tani ose kurrë“, ku ajo ndërthur rusishten, gjuhën kirgize dhe anglishten. Personazhi kryesor i videos është një vajzë fshatare nga Kirgistani, e cila, pavarësisht të gjitha punëve të shtëpisë që tradicionalisht u atribuohen grave, gjen guximin dhe energjinë për të mësuar hokej mbi akull dhe bashkohet me ekipin e vetëm të grave të Kirgistanit. Produksionin e videos, të cilin Manizha e drejtoi vetë, e ndihmuan gratë, përfshirë regjisoren kirgize Aya Ibraeva, si regjisore dhe bashkëproducente.

Videoja përshkruan me detaje jetën e përditshme në një rajon malor, kushtet bazë për t'u stërvitur dhe vendosmërinë e lojës së ekipit.

Një skenë nga kënga “Tani ose kurrë” që tregon realitetin e jetës së përditshme për gratë rurale kirgize. Foto nga kanali i Manizha në YouTube.

Siç thotë personazhi kryesor, kjo përvojë e ka fuqizuar që të studiojë kodimin, një profesion ende i dominuar nga burrat në mbarë botën, si një mjet për të mbështetur veten dhe familjen e saj. Por siç përfundon ajo në këngë: “Hokej më ka ndryshuar jetën përgjithmonë, më rezulton se bota është më e madhe se fshati im”.

Teksa Manizha nuk përmend konfliktin e fundit midis Taxhikistanit dhe Kirgistanit, kënga vjen në një moment vendimtar me një mesazh të solidaritetit të grave dhe vështirësive të përbashkëta. Gjeni këtu listën e përpiluar nga Global Voices me hitet kryesore feministe të Manizha-s:

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.