Beteja për të pasur një zë të pavarur rusofon në Moldavi

Një foto nga faqja e internetit e Newsmaker që tregon pjesëtarët e redaksisë.

Në Moldavi, si rumanishtja ashtu edhe gjuha zyrtare, rusishtja janë mjete kyçe për komunikim – veçanërisht për mediat lokale. Global Voices intervistoi Gala Vasilieva, kryeredaktore e Newsmaker, një platformë mediatike në gjuhën ruse, që synon kryesisht popullsinë rusofone të vendit, për të kuptuar se si lufta e Rusisë në Ukrainë po ndikon në ndjekjen e medias në Moldavi. Intervista u zhvillua në Kishinjev në rusisht.

Global Voices (GV): Si ka ndikuar lufta në politikën dhe peizazhin mediatik të Moldavisë?

Gala Vasilieva: Për herë të parë në këto vite, ne kemi një qeveri pro-evropiane, me prirje të djathtë dhe jo koalicion që e ka shprehur qartë qëndrimin e saj: Ajo dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe bën gjithçka që mundet si një vend i vogël i vendosur midis Rumanisë, Ukrainës, dhe një kufiri me Transnistrinë [një republikë e vetëshpallur që kontrollon 12 për qind të Moldavisë dhe që mbështetet nga Moska, por nuk njihet ndërkombëtarisht]. Ndërsa lufta filloi në Ukrainë në shkurt, pati një valë të madhe refugjatësh dhe ne dëshmuam një solidaritet të paparë: moldavët ofruan strehim, ushqim dhe transport. Kishte gjithashtu një interes të madh për informacionin rreth Ukrainës. Më vonë, ne pamë gjithashtu fushata të gjuhës së urrejtjes kundër refugjatëve në mediat sociale që përfundimisht depërtuan në diskursin e përgjithshëm mediatik. Në fakt, ne kryem një hetim për ato video që akuzonin refugjatët ukrainas si mosmirënjohës dhe zbuluam se disa nga njerëzit që i bënin ato video nuk ishin nga Moldavia. Ne e dimë këtë për shkak të termave specifikë që ata përdorën në rusisht në ato video që ne nuk i përdorim këtu. Më duhet të them se kjo fushatë ishte e suksesshme kryesisht në zonat ku njerëzit priren të ndjekin mediat nga Rusia.

Siç shpjegon Vasilieva, një nga shqetësimet kryesore që prek shoqërinë moldave në përgjithësi është inflacioni:

Vasilieva: Rreth 40 për qind e njerëzve në Moldavi e justifikojnë, në shkallë të ndryshme, agresionin e Rusisë. Një nga arsyet për një shifër kaq të lartë është sfida socio-ekonomike me të cilën përballen njerëzit këtu me një inflacion prej 30 për qind dhe rritjen e çmimeve të energjisë. Njerëzit fajësojnë për këtë normë inflacioni qeverinë aktuale moldave, dhe konkretisht axhendën e Kishinjevit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por në realitet inflacioni shkaktohet kryesisht nga lufta, diçka që shumë refuzojnë ta pranojnë, apo edhe ta konsiderojnë. Njerëzit shikojnë Ukrainën ku qeveria ka vendosur një kufi në çmimet e gazit dhe arrijnë në përfundimin se, nëse gazi është i shtrenjtë në Moldavi, është faji i qeverisë, kështu që është më mirë t'i jepet përparësi marrëdhënieve me Rusinë për të ardhmen.

Një linjë tjetër e thyerjes, siç detajon ajo, është ndarja gjuhësore. Newsmaker u krijua për të plotësuar këtë zbrazëtirë:

Vasilieva: Ka njerëz në Moldavi që nuk e kuptojnë rumanishten, për ta rusishtja është porta e marrjes së informacionit, kryesisht përmes televizionit dhe internetit. Pakicat tona etnike flasin kryesisht rusisht, po ashtu edhe njerëzit në Transnistria, megjithatë qeveria jonë nuk ka një politikë adekuate për t'i integruar ato, për të ofruar mësim cilësor të rumanishtes. Ne futemi në situata absurde kur mbështetja për mësimin e rumanishtes, si për shembull në Gagauzia [rajoni në Moldavi i banuar kryesisht nga Gagauzët, një grup etnik turk dhe shpesh rusofon], nuk vjen nga qeveria jonë, por nga grantet e donatorëve të huaj!

Kjo është arsyeja pse Newsmaker u krijua, fillimisht vetëm në rusisht, sepse ne donim të kishim një burim vërtet të pavarur në rusisht që nuk do të përfshihej në propagandë. Interesante, ne bëmë një sondazh dhe zbuluam se gjysma e audiencës sonë janë folës amtare të rumanishtes, megjithatë ata na lexojnë sepse ne ofrojmë diçka mjaft të rrallë në Moldavi: përmbajtje analitike. Nisur nga kjo, vendosëm të krijonim një botim rumun, por pjesa rusofone mbetet ajo më e lexuara. Problemi në Moldavi nuk është mungesa e lirisë së shprehjes, ndryshe nga ajo që po ndodh në Rusi, por mungesa e shkrim-leximit mediatik. Përmbajtja televizive monitorohet nga organe të ndryshme shtetërore dhe stacionet televizive penalizohen kur shkelin ligjin, por interneti është i lirë të prodhojë dhe të shpërndajë çdo gjë.

Sot, njerëzit në Transnistri na lexojnë shumë sepse shumica e tyre nuk flasin rumanisht, përveç kësaj Newsmaker ka një fokus të veçantë në këtë rajon dhe në Gagauzia, kështu që ne bëhemi de fakto i vetmi burim informacioni për Moldavinë në përgjithësi në rusisht. Ne gjithashtu e dimë se njerëzit në Transnistria kopjojnë materialin tonë dhe e ndajnë atë në grupe të Viber, që është shumë popullor në këtë rajon. Brenda Rusisë, faqja jonë e internetit është e bllokuar nëse nuk keni një VPN dhe në Transnistria të gjitha mediat kontrollohen nga qeveria.

Por ndërsa është shumë i nevojshëm, Newsmaker po përballet me një kohë të vështirë si pasojë e luftës, thekson kryeredaktorja.

Vasilieva: Ne jemi një media komerciale dhe shfaqim në faqen tonë emrat e atyre që na mbështesin: grante kryesisht nga organizata moldave dhe të huaja. Ne e kishim 20 për qind të buxhetit tonë të mbuluar nga reklamat, por që nga fillimi i luftës ai segment ra në 10 për qind. Ne nuk publikojmë përmbajtje që në fakt janë të maskuara si reklamuese ose lobuese, ndryshe nga ajo që praktikohet gjerësisht në mediat e tjera moldave. Përveç kësaj, konkurrenti ynë është Sputnik rus [një platformë mediatike shumëgjuhëshe pro-Kremlinit që vepron jashtë Moskës, e cila është bllokuar që nga shkurti 2022] që ka një buxhet gjigant në krahasim me atë që ne mund të përballojmë dhe që mund të paguajë mirë dhe ka akses te teknologjia më e lartë.

Vasilieva paralajmëron se e ardhmja socio-politike mbetet e pasigurt:

Kemi protesta të drejtuara nga politikani dhe biznesmeni populist Ilan Shor, i cili ka deklaruar hapur se paguan transportin për në kryeqytet dhe ushqimin për ata që pranojnë të protestojnë para qeverisë. Ato protesta zbulojnë në fakt shkallën e varfërisë në Moldavi: shumë njerëz mund të fitojnë deri në 200 dollarë amerikanë në muaj dhe megjithatë mund të bëjnë 20 dollarë në ditë nëse marrin pjesë në protestë. Ata e bëjnë këtë nga dëshpërimi.

Në fillim të luftës, njerëzit paketonin valixhet në rast se duhej të iknin. Shumë prej tyre i kanë ende gati ato valixhe dhe tani po i zëvendësojnë rrobat e verës me rroba dimërore në rast se lufta në Ukrainë përshkallëzohet dhe arrin në Moldavi. Disa presin gjithashtu që Rusia të vijë si “çlirimtare”. Në fund, gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet lufta në Ukrainë. Njerëzit janë të lodhur: kishim pandeminë, tani një luftë në kufi dhe çmimet e gazit po rriten. Nëse ndërprerjet e energjisë elektrike ndodhin në dimër,  nuk e dimë se si do të reagojnë njerëzit.

Demonstratë e organizuar nga Ilan Shor kundër qeverisë aktuale. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.