- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Me zhvillimin e turizmit në Shqipëri, shtohet rreziku i shfrytëzimit seksual të fëmijëve, paralajmëron një studim i ri

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Shqipëria, Media e qytetarëve, Të drejtat e njeriut, Të rinjtë, Udhëtime

Durrësi ështe një nga qytetet bregdetare turistike në Shqipëri. Foto nga Genti Behramaj, CC BY-SA 4.0 [1], nëpërmjet Wikimedia Commons [2].

Teksa turizmi po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë, një OJF paralajmëron se me industrinë e udhëtimit dhe turizmit që është një kontribues kryesor në shfrytëzimin ekonomik dhe seksual të fëmijëve, të rinjtë e vendit mund të jenë në rrezik.

Në raportin e publikuar së fundmi, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri [3] (CRCA/ECPAT Albania) shprehu shqetësimin se autoriteteve si në sektorin e turizmit, ashtu edhe në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve u mungon informacioni dhe njohuria mbi lidhjet midis industrisë së udhëtimit dhe turizmit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Raporti është i pari të kryer në Shqipëri mbi shfrytëzimin seksual të fëmijëve në industrinë e turizmit.

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në udhëtime dhe turizëm vë në rrezik fëmijët më vulnerabël. Kërkimi ynë më i fundit “Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në udhëtime dhe turizëm në Shqipëri” tregon se deri në 40% e fëmijëve jetojnë në varfëri, 14% e tyre në varfëri ekstreme!

Turizmi kontribuon në zhvillimin e ekonomisë së një vendi, veçanërisht në sektorë të tillë si udhëtimi, kultura, gastronomia dhe hoteleria. Vetëm në vitin 2021, Shqipëria priti [6] më shumë se 5.6 milionë vizitorë të huaj, shumica e tyre nga Bashkimi Evropian.

Por siç zbulon studimi i CRCA/ECPAT Albania:

“Varfëria e fëmijëve mbetet një nga çështjet kryesore për ushtrimin e të drejtave të fëmijës, duke prekur të paktën 40 për qind të fëmijëve. Zhvillimi i sektorit të udhëtimeve dhe turizmit në Shqipëri dhe rritja e turistëve vendas dhe të huaj ka rritur rreziqet e shfrytëzimit seksual të fëmijëve në turizëm. Vitet e fundit, Shqipëria ka regjistruar një rritje [7] të krimeve seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë shfrytëzimin seksual të fëmijëve në prostitucion, ndërkohë që trafikimi për qëllime të shfrytëzimit ekonomik dhe seksual vazhdon të prekë një numër të lartë fëmijësh.

Sipas CRCA/ECPAT Albania, është evidente se asnjë kompani shqiptare në fushën e udhëtimeve dhe turizmit nuk ka nënshkruar Kodin e Sjelljes për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Seksual në Udhëtime dhe Turizëm [8]. Vetë sektori nuk është angazhuar asnjëherë në luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe nuk jep asnjë informacion për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual.

Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Albania, deklaroi në një aktivitet publik [9] më 21 shtator, ku zbuloi rezultatet e studimit në Tiranë:

“Rekomandimet kryesore të studimit fokusohen në krijimin e ligjeve, politikave dhe programeve të reja nga industria e udhëtimeve dhe turizmit dhe sistemi i mbrojtjes së fëmijëve, që synojnë të vendosin mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në qendër të të gjitha nismave, ndërkohë që agjencitë ligjzbatuese dhe operatorët turistikë duhet të rrisin nivelin e informimit dhe trajnimit të stafit për këtë çështje, duke përfshirë anëtarësimin e hoteleve në Kod.”

Termi i zakonshëm i përdorur për shfrytëzimin seksual të fëmijëve në kontekstin e udhëtimit dhe turizmit është “turizmi seksual i fëmijëve”. Në raportin e saj, CRCA/ECPAT Albania paralajmëron se kjo terminologji nuk përcakton natyrën kriminale të shfrytëzimit seksual të fëmijëve, përkundrazi nënkupton se këto krime janë një formë “turizmi”. Organizata kërkon përkufizimin e çështjes sipas Kodit, që thotë:

Shfrytëzimin seksual i fëmijëve në kontekstin e udhëtimit dhe turizmit nuk është një formë tjetër e turizmit, është një krim – dhe duhet emërtuar si i tillë. Shkelësit që abuzojnë dhe shfrytëzojnë fëmijët nuk janë ‘turistë seksi’ – ata janë kriminelë.