Kinë: “A keni kujtime prej kohës para se të kidnapoheni?”

A girl plays the violin at a train station in Beijing

Një vajzë luan në violinë për para të ima në stacionin e trenave në Beixhing. Pamje nga dokumentari i filmuar në nëntor të viti 2010.

Në qoftë se ndonjëherë e keni vizituar ndonjë qytet kinez, do të shihni fëmijë që lypin ose që luajnë në instrumente muzikore në afërsi të stacioneve të trenave ose në rrugë ku ka lëvizje të mëdha të njerëzve, për para të imëta. Ajo që keni parë është një problem serioz dhe i rëndë në Kinë – kidnapimi dhe shitja e fëmijëve.

Në fillim të vitit 2009, shërbimi për siguri publike në Kinë ka implementuar një fushatë kundër kidnapimit. Në fund të vitit 2010, të dhënat zyrtare (nuk do të thotë se janë të sigurta) treguan se janë zbuluar 9,165 raste të femrave të trafikuara dhe 5,900 raste të fëmijëve të trafikuar, janë shpëtuar 9,388 fëmijë dhe 17,746 femra, dhe janë shkatërruar 3,573 banda kriminale që kanë bërë kidnapime.

Numri i vërtetë i fëmijëve të kidnapuar me gjasë është shumë më i madh se sa numri i atyre që janë shpëtuar. Sipas disa vlerësimeve, në Kinë bandat kidnapojnë rreth 70,000 fëmijë për çdo vit.

Ç'është ajo që i jep shtytje kidnapimit të fëmijëve? Duke iu falënderuar politikës për të pasur vetëm një fëmijë, dhe traditës kineze që bën shtypje për të pasur djem, fëmijët e vjedhur, zakonisht shiten nëpër familje të reja. Nga ana tjetër, vajzat e kidnapuara zakonisht shiten në zona ku ka tepricë të burrave të pamartuar. Mirëpo, shumë të tjerë shiten për të bërë performancë në rrugë, për të lypur ose për prostitucion.

Tregimi i historisë së tyre

Problemi i kidnapimit të fëmijëve është tema e një dokumentari të ri të quajtur “Të jetuarit me zemër të vdekur: Kërkimi i fëmijëve të kidnapuar kinezë” nga Çarls Kaster (Charles Custer).

Kaster është një amerikan që është shumë i interesuar për Kinën. Momentalisht i vendosur në Beixhing, ai e drejton blogun e suksesshëm ChinaGeeks, që ofron përkthime dhe analizë të blogosferës kineze. Për dokumentarin e tij, Kaster dëshiron të shkojë përtej statistikave dhe analizës. Duke u fokusuar tek ana personale dhe emocionale e historive, ai dëshiron që këtyre problemeve sociale t'u bashkangjesë fytyra të vërteta.

Në fund të vitit të kaluar, Kaster lansoi një apel për mbledhje të mjeteve në Kikstarter për ta inçizuar dokumentarin. Pas përgjigjeve bujare të më shumë se 100 njerëzve, projekti me sukses arriti të mbledhë mbi 8,500 dollarë amerikanë, dhe që atëherë, pjesën më të madhe të kohës së lirë Kasteri e ka kaluar duke i ndjekur, intervistuar dhe filmuar prindërit dhe fëmijët e kidnapuar.

Këtë muaj, ekipazhi i filmit ka përgatitur një version të ri së bashku me disa fragmente të mëparshme të dokumentarit:

Qëllimi i tyre është që pas shikimit të dokumentarit, shikuesit e huaj të mund t'i kuptojnë kinezët si njerëz. Do të kenë mundësi të shohin, për shembull, se si ndjehen prindërit e fëmijëve të kidnapuar nëpërmjet pyetjeve, “Kur e zbuluat se vajza juaj ka humbur? A mund të na thoni diçka më tepër për karakterin e vajzës suaj dhe hobit e saj? Cilat metoda i keni përdorur për ta kërkuar atë, përveç që rastin e keni paraqitur në polici dhe në shkollë? Si planifikoni ta vazhdoni kërkimin?” Ose si ndjehen fëmijët e kidnapuar si të rritur: “A keni kujtime prej kohës para se të kidnapoheni? A e mbajnë mend “prindërit” tuaj të tashëm se prej kujt ju kanë blerë? Dhe si ndjehen tani ata për atë që e kanë bërë?”

Nëse edhe juve ju brengos ky problem, mund ta shihni se si Kasteri përparpon me dokumentarin e tij në ueb-faqen që ia ka kushtuar këtij filmi: www.livingwithdeadhearts.com, ose mund të mësoni më tepër për fëmijët e kidnapuar në seksionin special të ChinaGeeks.org. Nëse dëshironi ta jepni përkrahjen tuaj, vizitoni shoqatat bamirëse kineze Baby Come Home dhe Xinxing Aid, të cilat u japin përkrahje fëmijëve të kidnapuar dhe atyre që janë në rrugë në mënyra të ndryshme.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.