Armenia dhe Azerbajxhani njohin integritetin territorial të njëri-tjetrit

Foto nga Administrata Presidenciale e Azerbajxhanit. Licencuar sipas CC-BY-4.0

Në një përparim historik, udhëheqësit nga Armenia dhe Azerbajxhani u zotuan të njohin reciprokisht integritetin territorial dhe sovranitetin e njëri-tjetrit në samitin e Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Pragë më 6 tetor. Takimi thuhet se zgjati disa orë dhe u ndërmjetësua nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenti francez Emanuel Macron.

Sonte, Armenia dhe Azerbajxhani konfirmuan angazhimin e tyre ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratës së Alma Ata të 1991 përmes së cilës njohin integritetin territorial dhe sovranitetin e njëri-tjetrit.

Takimi u zhvillua vetëm disa javë pas përleshjeve më të fundit kufitare midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, që rezultuan në luftimet më vdekjeprurëse që nga lufta e dytë e Karabakut në vitin 2020. Sipas deklaratave nga të dy vendet, më shumë se 200 personel shërbimi u vranë në shpërthimin e fundit të luftimeve. Më 15 shtator, dy vendet nënshkruan një armëpushim, të ndërmjetësuar nga Rusia.

Një javë më vonë, dy vendet shkëmbyen akuza të reja me deklaratat e lëshuara nga ministritë e Mbrojtjes, duke drejtuar gishtin nga tjetra lidhur me përleshjet më 28 shtator. Armenia pretendoi se tre nga ushtarët e saj humbën jetën. Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se incidenti ishte për faj të Armenisë.

Më pas, më 2 tetor, videot qarkulluan në mediat sociale, “ku dukeshin ushtarët azerbajxhanas duke ekzekutuar disa robër armenë të luftës nga një distancë e afërt”, raportoi Radio Liberty. Kristine Grigoryan, Mbrojtëse e të Drejtave të Njeriut të Armenisë, tha se video është filmuar më 13 shtator, gjatë përshkallëzimit të fundit, sipas hetimeve të brendshme dhe raportimeve nga OC Media. Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se Zyra e Prokurorit Ushtarak do të hetojë pamjet sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria. Më herët, një video tjetër u shfaq, “duke treguar gjymtimin e një ushtareje armene nga trupat azere gjatë të njëjtave luftime.” Sipas raportimit të Radio Liberty, kishte edhe video që shfaqnin ushtarë armenë duke fyer kufomat e ushtarëve dhe civilëve azerë. Përfaqësuesi special i BE-së për Kaukazin e Jugut dhe krizën në Gjeorgji, Toivo Klaar, bëri thirrje për hetim të videove:

Sot më janë dërguar disa video që tregojnë me sa duket krimet e luftës të kryera kundër azerëve. Gjithashtu këto duhet të hetohen dhe autorët autentikë duhet të mbajnë përgjegjësi. Konflikti ka lënë plagë të thella në të dyja palët dhe për të shëruar nevojitet përgjegjësia.

Ambasada Britanike në Azerbajxhan shprehu shqetësimin e saj në një postim në Facebook:

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price bëri thirrje për hetime të plota dhe të paanshme për videot:

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet e fundit të ushtarëve azerë që ekzekutojnë të burgosur armenë të paarmatosur. Ne bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të paanshëm. Ata që janë përgjegjës për çdo mizori duhet të mbajnë përgjegjësi.

Perspektiva të zymta por të mundshme për paqe

Në prill 2022, presidenti Ilham Aliyev tha se Azerbajxhani nuk do ta njohë “integritetin territorial të Armenisë nëse Jerevani nuk nënshkruan një marrëveshje dypalëshe paqeje në përputhje me propozimet e bëra nga Bakuja”. Propozimi bazohej në një plan prej pesë pikash që përfshinte zotimet për të njohur integritetin territorial të secilit vend, përcaktimin e kufirit, vijimësinë e linjave të transportit midis dy territoreve dhe një marrëveshje për tu përmbajtur nga kërcënimet.

Presidenti Ilham Aliyev, nga ana e tij, përsëriti rëndësinë e parimeve gjatë një konference për shtyp më 6 tetor në Pragë.

“Sot, gjatë takimit me Presidentin e Francës, pashë se këto pesë parime po pranohen. Këto janë parime të bazuara në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të interesuara për normalizimin e marrëdhënieve me njëri-tjetrin”, tha presidenti Aliyev, duke shtuar se “puna në tekstin e marrëveshjes së paqes duhet të fillojë në bazë të këtyre parimeve.”

Në Armeni, plani me pesë pika mori komente të ndryshme. Ndërsa vendi e pranoi planin në parim, ai gjithashtu ofroi gjashtë pika shtesë.

Ndërkohë, në Pragë, takimi midis liderëve të Armenisë dhe Azerbajxhanit solli gjithashtu një marrëveshje për “një mision civil të BE-së në kufirin e tyre të përbashkët”. Sipas një deklarate të lëshuar nga Këshilli Evropian, kryeministri armen, Nikol Pashinian ra dakord të “ndihmojë një mision civil të BE-së përgjatë kufirit me Azerbajxhanin”, ndërsa Azerbajxhani tha se “ra dakord të bashkëpunojë me këtë mision për aq sa i takon”. Misioni do të nisë në tetor dhe do të zgjasë afërsisht dy muaj.

Gjithashtu më 3 tetor, ministrat e jashtëm armenë dhe azerë u takuan në Gjenevë për të nisur punën mbi traktatin e paqes. Të nesërmen, Azerbajxhani thuhet se i ktheu Armenisë 17 robër lufte.

Javët në vijim do të tregojnë se sa të përkushtuara janë dy vendet për të arritur paqen, pavarësisht frikës së afërt për një luftë tjetër.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.