Një kuzhinier i ri në Baku e kthen banesën e tij në restorant

Foto nga Parvana Mustafayeva. Përdoret me leje sipas marrëveshjes së ndarjes së përmbajtjes.

Ky artikull u publikua për herë të parë në JAM News. Një version i redaktuar ribotohet këtu sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen.

Yagub Zeynalzade është një kuzhinier 26-vjeçar nga Azerbajxhani. Ai u trajnua në Kroaci dhe Itali. Pasi punoi në një restorant italian, Yagub u kthye në Azerbajxhan, ku shndërroi banesën e tij në qendër të Baku në një restorant. Ai jeton dhe pret klientët e tij në një banesë të përbërë nga një dhomë dhe një papafingo.

Gatimi, i trashëguar nga gjyshja

Interesimi i Yagubit për gatimin iu përcoll nga gjyshja e tij që e rriti. Shumë nga verat e fëmijërisë i kaloi në Dashkesan ku jetonte gjyshja. Në një intervistë për Jam News, Yagub tha: “Jo shumë kohë më parë kuptova se gatimi është rrënjosur tek unë. Ndikimi i gjyshes sime është i pashlyeshëm.”

Por pavarësisht të gatimeve të mira e të pafundme që bënte gjyshja, më në fund jeta në Dashkesan filloi t'i mërzitej. Ai vendosi të largohej nga kjo zonë komforti dhe të jetonte vetë, për të kuptuar se çfarë ishte në gjendje të bënte pa ndihmën e askujt. Kjo është kur filloi jeta solo e Yagub në Baku.

Ishte atje që Yagub dëshironte një transformim personal. Kur mbërriti për herë të parë në Baku, mori me qira një apartament me një mik. Por pikëpamjet konservatore të Yagubit penguan fillimin e një jete të re. “Unë isha radikal dhe i papajtueshëm me pothuajse të gjithë, i izoluar dhe josocial. Dhe kisha një grup shumë të vogël miqsh.”

Yagub la banesën dhe ndoqi studimet në një medrese. “Ky edukim pati një ndikim të thellë tek unë. Pasi mësova fenë, në një farë mënyre mësova të vërtetën time. Kjo më qetësoi dhe fillova të eksploroja fusha të tjera. Doja të njihja njerëz të rinj.”

Në një moment, Yagub kishte shtatë punë, duke u përpjekur të shlyente borxhet e tij. “Më vonë kuptova se doja të hapja biznesin tim. Kështu filloi projekti im, të cilin e quajta Project Flat.”

Project Flat ose hapësirë e lirë

“Mu deshën dy muaj që të paketoja gjërat e mia dhe të vendosesha në këtë shtëpi të vogël. Gradualisht iu përkushtova kësaj hapësire. Më duhej të filloja diku. Unë kisha vetëm 40 manat [rreth 25 USD] dhe fillova Project Flat atë ditë. Gjysmën e asaj shume e mbajta për vete, me gjysmën tjetër bleva ëmbëlsira, bëra çaj dhe ftova mysafirë. Ky ishte aktiviteti im i parë. Muzikë, argëtim. Deri më tani nuk kam pasur probleme me fqinjët”, thotë Yagub.

Ai thotë se qëllimi i projektit ishte krijimi i një rrjeti njerëzish përmes aktiviteteve.

“Unë u njoha me ta dhe ata u njohën me njëri-tjetrin. Vendosa të ftoj njerëz që do të frymëzojnë njëri-tjetrin. Është edhe një projekt biznesi edhe social. Edhe pse nuk kishte të ardhura të konsiderueshme, fitoja njerëz. Dhe unë, që nuk njihja askënd këtu, gradualisht fillova të kem një komunitet.”

Yagub e quan këtë hapësirë, të cilën ai e ktheu në restorant, gjithashtu një “hapësirë e lirë” – një vend ku të rinjtë mblidhen, hanë ushqimin që e gatuajnë vetë, duke u sjellë lirshëm.

Shije të panjohura

Yagub thotë se Project Flat nuk është vetëm një restorant dhe një shtëpi, por është pjesë e diçkaje që mund të bëhet një rrjet afatgjatë restorantesh.

“Ka potencial në rajone dhe fshatra dhe unë mundohem ta gjej. Unë ose telefonoj ose vizitoj direkt. Disa nga produktet atje, nuk njihen gjerësisht këtu. I blej, gatuaj ushqim prej tyre dhe përpiqem t'ua prezantoj njerëzve. Kur flisja me vendasit e fshatrave për agroturizmin, modelin zviceran etj., atyre u dukej si një përrallë. Ata nuk janë të interesuar për perspektiva të paarritshme, por ndihmojnë aty-këtu. Kështu që unë bleva produktet e tyre.”

Në fillim Yagub e bëri këtë për interesa personale. Kur udhëtonte nëpër rajone për punë, bleu produkte interesante dhe i sillte me vete në Baku. Ai përgatiti pjata të panjohura dhe qerasi miqtë e tij, të cilët më pas diskutonin për këto përvoja të reja kulinare.

“Sigurisht që doja ta ktheja këtë proces në para. Për të vazhduar këtë punë që më pëlqen dhe për ta bërë këtë punë fitimprurëse. Kështu që unë i blej këto produkte, i vendos në menu dhe i shes. Në këtë mënyrë, unë i ndihmoj ata që janë në fshatra duke blerë produktet e tyre dhe u ofroj njerëzve shije të reja, u tregoj atyre historinë e këtyre pjatave.”

Ushqimi zgjidhet nga kuzhinieri, jo klienti

Project Flat, restoranti i shtëpisë së Yagub Zeynalzade, tërheq klientët kryesisht përmes faqes së tij në Instagram.

“Ata shkruajnë, janë të interesuar. Bizneset e vogla janë në vështirësi. Ne jemi ende duke hedhur themelet, gjithçka është e re dhe një koncept i ri është gjithmonë i vështirë për t'u arritur. Është gjithashtu e vështirë për shkak të mungesës së një rroge të qëndrueshme. Ndodh që çdo ditë të ketë klientë për një javë të tërë dhe ndonjëherë mungojnë dhjetë ditë”.

Yagub thotë se në këtë koncept, ushqimi nuk përgatitet sipas zgjedhjes së një pjate nga klientët. Klienti i beson kuzhinierit, i cili ka të gjitha synimet për të kënaqur klientin.

Vend i vogël, shumë funksione

Funksionet e restorantit të shtëpisë së Yagub Zeynalzade nuk janë të kufizuara në banesë dhe restorant. Është gjithashtu një studio. Këtu bëhen fotografi e video dhe krijohen përmbajtje për platforma të ndryshme të kuzhinës.

“Me kalimin e kohës ne afruam vullnetarë. Ata po mësojnë gatimin këtu. Dy prej tyre tashmë janë duke punuar me ne. Por ky është një vend i pazakontë për të punuar. Qëllimi im në krijimin e kësaj hapësire ishte që njohuritë e mia të kuzhinës t'ua transmetoja të tjerëve. Përveç meje janë katër vajza me arsim kulinarie. Njëra tashmë ka përfunduar programin dhe tani po mëson tre vajza të tjera.”

Në këtë shtëpi-restorant Yagub ekspozon edhe produkte të përgatitura nga të rinjtë për t'i mbështetur. Në kënde të ndryshme të banesës mund të shihni punime artizanale.

“Ditët e fundit kanë ndodhur gjëra interesante. Miqtë kanë sjellë domate, speca, patëllxhanë nga parcelat e tyre të kopshtit, një mysafir tjetër ka sjellë rrush. Është mirë që jemi njohur tashmë. Gjithmonë ka prodhime të freskëta vendore. Ndonjëherë dikush sjell ushqim që ka përgatitur, ne e provojmë bashkë, ndajmë mendimet tona. Ky është një koncept i parë në llojin e tij dhe pritshmëritë e mia janë të larta. Besoj se në të ardhmen do të bëhem edhe më produktiv”, pohon Yagub.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.