
Hanna Hopko (në të majtë) dhe presidentja e ajvanit Tsai Ing-wen. Foto e siguruar nga Hanna Hopko dhe e përdorur me leje.

Hanna Hopko, foto e përdorur me leje.
Hanna Hopko (HH): Si bashkëthemeluese e ICUV – Qendrës Ndërkombëtare për Fitoren e Ukrainës – vizitova Tajvanin për herë të parë në tetor 2022 për të marrë pjesë në Asamblenë e 11-të Globale të Lëvizjes Botërore për Demokraci, e cila mblodhi mbi 200 përfaqësues globalë për të shkëmbyer ide se si të luftohen më së miri regjimet autoritare. Asambleja u bë një platformë e frytshme për negociata, si rezultat i së cilës Tajvani ndau një paketë të re ndihme financiare si dhe një forcim të përgjithshëm të marrëdhënieve të reja të partneritetit midis Republikës së Kinës [emri zyrtar i Tajvanit] dhe Ukrainës. Krahas mbështetjes financiare, pala ukrainase diskutoi gjithashtu mundësitë e reformave të ardhshme demokratike, veçanërisht dixhitale dhe përvojën e përbashkët të popujve tanë në kundërshtimin e regjimeve autoritare të vendeve agresore.
Një mesazh i ngjashëm u dëgjua kudo: Kina ka ambicie për dominim global, që është pikërisht qëllimi i politikës së saj ekspansioniste. Është me të vërtetë Kina dhe Rusia që punojnë së bashku për të përhapur autoritarizmin. Prandaj, që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, Tajvani filloi të ofrojë ndihma humanitare për ukrainasit në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, për të bashkëpunuar me kryetarët e bashkive ukrainase duke siguruar para për qytetet me infrastrukturë të shkatërruar.
Agresioni rus kundër Ukrainës vijon prej dhjetë vjetësh. Kjo është arsyeja pse rëndësia gjeopolitike e fitores së Ukrainës ndjehet shumë fortë në Azinë Lindore, ku shtete demokratike si Japonia, Tajvani dhe Koreja e Jugut e kanë gjetur veten të rrethuar nga regjime autoritare.
Vizita jonë në Tajvan ishte një hap i rëndësishëm për vendosjen e lidhjeve të ngushta dhe që atëherë kemi vazhduar bashkëpunimin tonë: në prill 2023, ICUV organizoi tryezën e parë të rrumbullakët ukrainase-tajvaneze mbi temën e tensionit midis Kinës dhe Tajvanit dhe ndikimin e fitores së Ukrainës në situatën gjeopolitike në Azi.
Diskutimi mblodhi së bashku rreth 40 diplomatë, deputetë ukrainas, përfaqësues të shoqërisë civile, analistë, përfaqësues të fondeve të donatorëve dhe gazetarë nga Ukraina, Tajvani, Japonia, SHBA-ja dhe Evropa.
FN: A jeni dakord që shumica e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë ukrainase kanë një qëndrim pro Pekinit? Pse është kështu?
HH: Shumë pak zyrtarë qeveritarë e kuptojnë vërtetë Kinën. Për vite me radhë, gjithçka që ata bënë ishte të shikonin Pekinin si një partner tregtar që mund të luante një rol pozitiv duke zëvendësuar Rusinë, pas pushtimit në 2014.
Nevojitet më shumë mirëkuptim dhe edukim për këtë çështje dhe më shumë kontakte me demokracitë aziatike si dhe me partnerët evropianë që mund të ndajnë perspektivat e tyre. Kjo është arsyeja pse ne organizuam diskutimin e prillit. Ishte një hap i rëndësishëm për vendosjen e lidhjeve të ngushta, diskutimin e paraleleve midis ekspansionit rus dhe kinez dhe shkëmbimin e përvojave të rezistencës ndaj një pushtuesi të fuqishëm.
Sipas Indeksit të Kinës nga DoubleThink Lab (një indeks me bazë në Tajvan), Pekini është dukshëm i pranishëm në Ukrainë në fushat e mëposhtme: politika e jashtme, teknologjia dhe zbatimi i ligjit. Ndërsa Tajvani ka një përfaqësues tregtar në Kiev, Ukraina nuk ka përfaqësim zyrtar në Tajvan.
FN: Sapo jeni kthyer nga një vizitë në Indi për të shpjeguar pikëpamjet e Ukrainës rreth pushtimit rus në shkallë të plotë. Kush është i gatshëm në Indi të dëgjojë zërin e Ukrainës?
HH: Ishte vizita ime e dytë në Indi; e para u zhvillua në vitin 2009 në Mumbai. Takimi u zhvillua në Delhi pak para Samitit të G20 të shtatorit 2023 . Bisedat atje u fokusuan në Jugun Global, multipolaritetin dhe strategjinë globale të Indisë që kërkon hapa dhe zgjidhje për t'u marrë me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Një gjë është e qartë: sa më shpejt të fitojë Ukraina, aq më e sigurt do të jetë bota. Kjo është arsyeja pse arritja e një paqeje të qëndrueshme ishte një nga temat në shumë takime. Fola me Dr. S. Jaishankar, ministrin e Jashtëm të Indisë, me shpresën për të parë vizitorë të nivelit të lartë që vijnë nga India në Ukrainë.
Roli i Indisë në sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe ndëshkimit si përgjegjëse për Rusinë është kaq i rëndësishëm për “Një Tokë. Një Familje. Një e ardhme. Koncepti [tema që zgjodhi India për samitin], për të rivendosur një rend global të bazuar në rregulla dhe për të parandaluar luftërat e reja, duke përfshirë rajonin Indo-Paqësor. Siç e kemi parë, Rusia është përgjegjëse për kthimin e urisë në një armë për shkak të krizës së ushqimit, karburantit dhe plehut që krijoi. Në këtë drejtim, çmilitarizimi i Detit të Zi është kritik.
Ne ngritëm gjithashtu në samit çështjen e ekocidit: agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar tashmë 54 miliardë dollarë dëme mjedisore. Ndërkohë, 495 000 hektarë të tjerë tokë, përfshirë parqet kombëtare dhe rezervat e biosferës, mbeten nën pushtimin rus.
Ambasadori ynë i ri në Indi, z. Polischuk sapo filloi misionin e tij. Shpresoj se do të intensifikojmë edhe bashkëpunimin tonë dypalësh në fusha të ndryshme. Është e rëndësishme të shohim Indinë më të angazhuar në arritjen e paqes së qëndrueshme përmes drejtësisë dhe duke kërkuar përgjegjësi nga agresorët.
Formula e Paqes [një plan 10-pikësh i propozuar nga presidenti Zelenskyy] mbetet i vetmi plan realist dhe gjithëpërfshirës për të rivendosur integritetin territorial të Ukrainës dhe për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Pikat e tij u pasqyruan gjithashtu në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara “Parimet e Kartës së OKB-së në themel të një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë“, miratuar më 23 shkurt 2023.
Formula e Paqes po fiton gradualisht mbështetjen e shumicës botërore, sepse është universale në natyrën e saj dhe mund të përdoret jo vetëm për t'i dhënë fund agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, por edhe për t'i dhënë fund konflikteve të tjera ushtarake në planet dhe për të kapërcyer problemet globale. Kjo është arsyeja pse ne presim pjesëmarrjen e vendeve të Jugut Global në këtë proces.
Hopko shkroi në X (ish Twitter) për vizitën e saj:
Important visit to India. All conversations on Global South, multipolarity, G20 and India’s global strategy requires steps/ solutions on russian aggression against Ukraine. The faster Ukraine wins – the safer world will be. How to reach Sustainable peace was one of the topic at… pic.twitter.com/N1KJ6uaEFH
— Hanna Hopko (@HopkoHanna) September 1, 2023
Vizitë e rëndësishme në Indi. Të gjitha bisedat për jugun global, multipolaritetin, G20 dhe strategjinë globale të Indisë kërkojnë hapa/zgjidhje për agresionin rus kundër Ukrainës. Sa më shpejt të fitojë Ukraina – aq më e sigurt do të jetë bota. Si të arrihet paqe e qëndrueshme ishte një nga temat
FN: Ku i shihni mundësitë më realiste për të forcuar marrëdhëniet Ukrainë-Tajvan si dhe marrëdhëniet e Ukrainës me Jugun Global në muajt e ardhshëm?
HH: Ne punojmë me administratën civile-ushtarake në Kherson dhe qytetin e Mykolaiv për të ofruar ndihmën humanitare të dhënë nga Tajvani. Rrjeti ANTS [një rrjet i lidhur me ICUV] është mirënjohës ndaj Ministrisë së Jashtme të Tajvanit për ndihmën për qytetet e Ukrainës.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme të punohet me grupet e mendimit tajvanez dhe me komunitetin e ekspertëve për t'u fokusuar në dixhitalizimin, sigurinë – sigurinë detare në veçanti – dhe çështjet e zhvillimit ekonomik.
Në të vërtetë, më 17 korrik, Rusia u tërhoq nga Iniciativa për drithërat e Detit të Zi (BSGI) dhe filloi të sulmonte portet e Ukrainës që ruanin grurin e destinuar për eksport. Brenda një viti të punës së BSGI, Ukraina eksportoi 33 milion ton produkte bujqësore në 45 vende, gjashtëdhjetë për qind e vëllimeve shkon në vendet e Afrikës dhe Azisë. Këto shifra do të ishin shumë më të larta nëse Rusia nuk do të kishte penguar sistematikisht funksionimin normal të BSGI.
Për shkak të bllokimit të bregut të detit nga Rusia, përpunimi i mallrave nga portet detare të Ukrainës është ulur me 61.5 për qind. Bllokada ruse e eksportit të prodhimeve të Ukrainës nga deti kërcënon drejtpërdrejt sigurinë globale të ushqimit. Rritja e çmimeve botërore të drithërave si pasojë e kësaj bllokade shkon në favor të Rusinë si eksportuese. Por, edhe në këto kushte të vështira, Ukraina është e gatshme të mbetet garantuese e sigurisë globale ushqimore. Ne jemi gati të vazhdojmë eksportimin e prodhimeve në tregjet globale. Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve, veçanërisht atyre në Afrikë dhe Azi, të cilat janë më të prekura nga rritja e çmimeve të produkteve, të ndërmarrin veprime të përbashkëta globale kundër terrorizmit ushqimor të Rusisë.