- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Një grup neonazist gjeorgjian përdor YouTube si platformën e tij

Kategoritë: Azia Qendrore e Kaukazi, Gjeorgjia, Kombësia e Raca, Media e qytetarëve, Migrimi e emigracioni, Politika, Qeverisja

Foto nga një video [1] publikuar në kanalin YouTube të lëvizjes më 12 shtator 2022.

Ky artikull u publikua për herë të parë [2] në OC Media. Një version i redaktuar ribotohet këtu sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen. Njoftim: Ky artikull përmban referenca për racizmin, antisemitizmin dhe epërsinë e të bardhëve, të cilat disa lexues mund t'i konsiderojnë shqetësuese.

Një grup i njohur neonazist gjeorgjian, Uniteti Kombëtar Gjeorgjian, është rishfaqur në internet muaj pasi “komandanti” i tyre e vetëshpallur, Giga Chelidze, u lirua nga burgu. Chelidze kreu tre vjet e gjysmë burg për blerjen, ruajtjen dhe mbajtjen e paligjshme të armëve të zjarrit. Ai u arrestua [3] në shtator 2018, pas protestave publike për videot e publikuara nga grupi i tij në internet ku anëtarët e Unitetit Kombëtar trajnoheshin në një pyll për të qëlluar.

I ndaluar nga Facebook dhe i privuar nga lideri i tyre pas vitit 2018, Uniteti Kombëtar Gjeorgjian iu drejtua YouTube dhe Telegram për të rekrutuar anëtarë dhe për të lëshuar deklarata antisemite dhe raciste. Muajt ​​e fundit, kreu i Unitetit Kombëtar ka mundur ta bëjë këtë dy herë në javë përmes emisionit të tij në YouTube “Bisedat fashiste”. Në emisionin e tij, Chelidze e ka quajtur marksizmin dhe liberalizmin “viruse të hebrenjve ndërkombëtarë”, të cilët i akuzoi për fillimin e luftës në Ukrainë.

Chelidze pretendon gjithashtu se fuqitë “globaliste” dhe “masonike” kërkojnë të popullojnë Gjeorgjinë me “llumra të huaja […] në mënyrë që gratë gjeorgjiane të martohen me to dhe bastardët e zinj të vijnë këtu dhe kombi gjeorgjian të zhduket”. Në të kaluarën, Chelidze ka thënë [4] gjithashtu se ai ishte një “fashist edhe në gjumë [5]“.

Udhëheqësi i Unitetit Kombëtar njihet që përfshihet në debate me ndjekësit e seancave të pyetjeve dhe përgjigjeve në YouTube rreth asaj se si “përzierja e racave është e gabuar”. “Po, unë jam racist. Unë e dua racën time,” tha ai.

Megjithëse videot shkelin angazhimin [6] e deklaruar të YouTube për të luftuar gjuhën e urrejtjes në internet, platforma nuk ka ndërmarrë asnjë veprim deri më tani për të mbyllur kanalin [7] e grupit neonazist. Me pak më shumë se 500 abonentë, kanali iu bashkua platformës në shkurt 2022 dhe që atëherë ka shpërndarë rreth 90 video. Videoja më e njohur ka marrë më shumë se 5000 shikime.

Google, kompania mëmë e YouTube, ende nuk i është përgjigjur kërkesës së mediave gjeorgjiane për komente mbi aktivitetet e Unitetit Kombëtar Gjeorgjian në platformën e tyre.

Haptazi neonazistë që në fillim

Uniteti Kombëtar Gjeorgjian u themelua në vitin 2016 dhe u bë i njohur në vitin 2018 kur anëtarët e tij treguan [8] armë zjarri në videot e tyre dhe organizuan mitingje [9]. Sipas një raporti [10] të Freedom House, ai është pjesë e një lëvizjeje të ekstremit të djathtë në Gjeorgji të mbështetur nga Kisha Ortodokse Gjeorgjiane. “Ndërsa kisha nuk i miraton në mënyrë eksplicite aktivitete të tilla, veprimet e saj dhe ato të klerit të saj kanë ofruar mbështetje të bollshme jozyrtare, veçanërisht për përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë për të persekutuar komunitetin LGBT+”, thuhet në raport.

Chelidze pohoi [11] menjëherë pas kësaj se anëtarët kishin armë, duke përfshirë pushkë gjuetie, pushkë Winchester, pistoleta dhe armë gjysmë automatike.

Në atë kohë, agjencitë hetimore pohuan se i gjetën [12] atij vetëm armë trullosëse.

Në maj 2018, Uniteti Kombëtar njoftoi [13] krijimin e “Gardës Popullore” ose “detashmenteve të bluzave të zeza” që do të vendoseshin kundër protestave antiqeveritare të udhëhequra nga grupet liberale në Tbilisi dhe shënoi Ditën e Pastërtisë Familjare me përshëndetje naziste në Tbilisi.

Sipas raportimit [4] të Eurasianet:

Uniteti Kombëtar Gjeorgjian huazon shenjat e tij nga një batalion i Luftës së Dytë Botërore me emigrantë gjeorgjianë dhe robër lufte që luftuan me nazistët kundër sovjetikëve dhe është regjistruar zyrtarisht si një grup jofitimprurës [14]. Grupi madje ka milicinë e vet, që duket se numëron më së shumti dy duzina të rinj dhe të reja, të cilët e quajnë veten “këmisha të zeza” si trupat tronditëse të Benito Musolinit.

Dita e Pastërtisë së Familjes është një festë e krijuar nga Kisha Ortodokse Gjeorgjiane në vitin 2014. Përkon me Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë më 17 maj.

Chelidze u arrestua për pak kohë në tetor 2017 jashtë zyrave të Federatës Gjeorgjiane të Futbollit, ndërsa anëtarët e grupit të tij dhe grupeve të tjera të ekstremit të djathtë, protestuan kundër futbollistit gjeorgjian Guram Kashia. Kashia u bë një shënjestër [15] e grupeve të krahut të djathtë ekstrem pasi mbajti një shirit ylberi në një lojë futbolli si mbështetjeje për të drejtat e komunitetit LGBT.

Chelidze, një ish-mbështetës i vetëshpallur i Partisë Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet, regjistroi Lëvizjen Socialiste Nacionaliste – Uniteti Kombëtar Gjeorgjian si një organizatë jofitimprurëse në vitin 2016.

Fillimisht, grupi ishte i përfshirë kryesisht në përkthimin e letërsisë fashiste në gjeorgjisht. Fushata e tyre e parë publike ishte një peticion në internet që kërkonte ndalimin e Fondacionit të Gjeorgjisë për Shoqërinë e Hapur të George Soros – një pjesë e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, e cila ofron mbështetje për grupet e shoqërisë civile.

Megjithatë, ndryshe nga grupet e tjera të djathta ekstreme në vend, Uniteti Kombëtar Gjeorgjian gjithmonë e ka pozicionuar veten hapur si fashist dhe ka përdorur simbole dhe gjeste neonaziste.

Grupi i ekstremit të djathtë ju ndaloi në mënyrë eksplicite anëtarëve pirjen e duhanit, abuzimin me alkoolin, homoseksualitetin dhe “përzierjen e racave”.

Në prill 2017, ata mirëpritën [16] kryeministrin hungarez Viktor Orbán në Tbilisi dhe e lavdëruan atë për luftën e tij kundër Sorosit dhe liberalizmit. Ndërsa lajmet për vizitën e Orbanit u përhapën, ish-studentët dhe mbështetësit e Universitetit të Evropës Qendrore [17] (me bazë në Budapest deri në vitin 2019) krijuan një aktivitet [18] në Facebook për protestën, ndërsa grupet lokale konservatore, të ekstremit të djathtë, ultranacionaliste dhe neonaziste organizuan të tyren kundër [19].