Turqit përballen me refuzimet e shtuara të vizave nga BE

Foto nga Henry Thong. Përdorur sipas Unsplash License.

Gazetari i njohur Ruşen Çakır iu bashkua listës së gjatë të shtetasve turq të cilëve u janë refuzuar aplikimet për vizë Shengen muajt e fundit. Në një video nga Medyascope, një platformë e lajmeve në internet e themeluar nga Çakır, gazetari tha se aplikoi së bashku me gruan dhe djalin e tij në konsullatën franceze në Stamboll, por të treve iu refuzua viza më 6 shtator.

Gazetari nuk mori asnjë shpjegim se përse u refuzuan aplikimet. Vizat Shengen janë viza turistike afatshkurtra që lejojnë njerëzit të udhëtojnë në zonën Shengen të Bashkimit Evropian. Raportet tregojnë se një numri në rritje të gazetarëve po u refuzohen aplikimet për viza.

Gjithashtu është refuzuar aplikimi i gazetarit të njohur turk @cakir_rusen për vizë për në zonën Shengen, përmes Francës. Kohët e fundit ka pasur një sërë rastesh kur gazetarëve iu refuzohet viza, ndërsa ata dëshirojnë të udhëtojnë në Evropë për mbulimin e lajmeve.

Në gusht, prezantueses sportive turke Sinem Okten iu refuzua viza Shengen dy herë, fillimisht nga konsullata gjermane dhe më pas nga ajo franceze. Ndërsa konsullata gjermane nuk dha asnjë shpjegim se pse u refuzua viza e Okten, konsullata franceze arriti në përfundimin se Okten nuk arriti të provonte se kishte fonde të mjaftueshme për qëndrimin e saj në Francë, sipas një dokumenti të parë nga Reuters.

Sipas editorialistes Barcin Yinanc, ka disa arsye për vonesat. Në rubrikën e saj për T24, një agjenci turke e lajmeve, Yinanc pretendoi se heqja e kufizimeve për COVID-19 dhe rritja e papritur e aplikimeve për viza po mbingarkojnë shërbimet konsullore. Për më tepër, problemet e brendshme ekonomike dhe politike të Turqisë po detyrojnë shumë turq të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit. Reputacioni gjithnjë e më autoritar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet në Turqi po e distancon më tej Turqinë nga BE-ja.

Në një intervistë me Reuters, Shkurta Januzi, kryeredaktore në SchengenVisaInfo.com, tha: “Në përgjithësi, shkalla e refuzimit për aplikimet për viza Shengen është rritur në mbarë botën… megjithatë, kur krahasohet me vende të tjera si Rusia, shkalla e refuzimit të Turqisë ka rritje shumë më të madhe dhe konsistente”.

Në korrik, sipas SchengenVisaInfo.com, Turqia apeloi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me rritjen e refuzimeve të vizave. Në pretendimin e saj, përfaqësuesit e vendit thanë se numri i kërkesave për viza të refuzuara u rrit nga 4 për qind në 2014 në 12.7 për qind në 2020.

Sipas të dhënaveShengen Visa Info, nga 272,072 aplikime të bëra në shtetet anëtare në 2021, 45,047 aplikime u refuzuan.

Qeveria në Turqi i përshkroi vonesat dhe refuzimet si të qëllimshme. Në një intervistë të gushtit 2022 me programin lokal të lajmeve, Haber Global, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, pohoi se BE dhe Shtetet e Bashkuara synonin ta vendosnin Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në një pozicion të vështirë para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

BE i mohon akuzat. Në një intervistë për shërbimin turk të Deutsche Welle, kreu i Bashkimit Evropian në Turqi, ambasadori Meyer-Landrut, tha se vonesa nuk ishte as politike dhe as ekskluzive për qytetarët turq. “Ky është rasti për shumë vende. Sigurisht që këto vonesa janë për të ardhur keq. Konsullatat po përpiqen të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të reduktuar kohën e pritjes dhe për të rritur kapacitetin e tyre.”

Qytetarët më të pasur turq thuhet se po i drejtohen Shtetësisë me Investim, e njohur gjithashtu si Pasaporta e Artë, sipas një faqeje interneti për informacionin e vizave Shengen, pavarësisht kritikave për paligjshmërinë e programit.

Sipas Këshillit të Evropës:

Skemat e nënshtetësisë së investitorëve, ose skemat e “pasaportës së artë”, lejojnë një person të fitojë një shtetësi të re bazuar në pagesë ose investim dhe në mungesë të një lidhjeje të vërtetë me vendin natyralizues. Këto skema janë të ndryshme nga skemat e qëndrimit të investitorëve (ose “vizat e arta”), të cilat lejojnë shtetasit e vendeve të treta, në varësi të kushteve të caktuara, të marrin një leje qëndrimi për të jetuar në një vend të BE-së.

Në mars, pas pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia, Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të zbatojnë masa më të rrepta kundër këtyre skemave në një përpjekje “për të tkurrur dhe rregulluar industrinë e shtetësisë dhe vizave shumë miliarda euro”, raportoi Reuters.

Teksa akuzat ngrihen në nivel shtetëror dhe bëhen premtime për përshpejtimin e kohës së aplikimit dhe përpunimit, janë qytetarët ata që duhet të përballojnë kostot – si financiarisht, pasi tarifat e ambasadës dhe komisionet e agjentëve të vizave mund të arrijnë në rreth 140 euro – dhe emocionalisht.

Turqia dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje ripranimi në vitin 2013 bazuar në një grup prej 72 kërkesash të përmendura në “Udhërrëfyesin drejt një regjimi pa viza me Turqinë”, sipas Drejtorisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme për Çështjet e BE-së. Që atëherë, Turqia ka përmbushur 66 nga këto kërkesa. Standardet e paplotësuara janë “ligji kundër terrorizmit, legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale, zbatimi i marrëveshjes së ripranimit BE-Turqi, marrëveshja e bashkëpunimit me Europol, zbatimi i rekomandimeve të GRECO për antikorrupsionin dhe bashkëpunimi gjyqësor me të gjithë anëtarët e BE-së”, sipas një raporti të vitit 2021 nga Komisioni Evropian.

Në prill 2016, ministri i BE-së i Turqisë, Volkan Bozkir, tha se udhëtimi pa viza për qytetarët turq që planifikonin të vizitonin vendet anëtare të BE-së, do të finalizohej në qershor të atij viti. Por gjashtë vjet më vonë, nuk është bërë asnjë përparim, përveçse qytetarët e vendeve anëtare të BE-së tani mund të vizitojnë Turqinë pa vizë. Në qershor, ministri i jashtëm Mevlut Cavusoglu dhe homologia e tij norvegjeze Anniken Huitfeldt nënshkruan një marrëveshje që lejon qytetarët norvegjezë të hyjnë në Turqi pa pasaportë. Ky veprim zemëroi qytetarët e frustruar turq. Shumë ndanë pakënaqësitë e tyre në Twitter kur Huitfeldt ndau lajmin.

Ndërkohë, sipas një raporti të vitit 2021 nga Këshilli Evropian, “në kontekstin e dialogut BE-Turqi për liberalizimin e vizave, asnjë standard i ri i liberalizimit të vizave nuk u plotësua”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.