- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Hong Kongu përpiqet të rilidhet me botën pas relaksimit të kufizimeve të COVID-19 për udhëtimet

Kategoritë: Azia Lindore, Hong Kong (Kinë), Kina, Singapori, Media e qytetarëve, Politika, Shëndeti, COVID-19
[1]

Aeroporti i Hong Kongut. Autor: SH6188 [2] nga Wikimedia [1]. Foto e publikuar sipas Creative Commons Attribution-Share Alike 4.0 [3]

Në një përpjekje për t'u rilidhur me pjesën tjetër të botës, Hong Kongu po lehtëson kufizimet e pandemisë pë udhëtimet.

Nga data 26 shtator 2022, udhëtarëve që vijnë nuk u kërkohet më t'i nënshtrohen karantinës së detyrueshme në hotele. Në vend të kësaj, ata i nënshtrohen mbikëqyrjes mjekësore treditore dhe marrin një kod shëndetësor me ngjyrë të verdhë që i ndalon ata të vizitojnë vendet publike, duke përfshirë restorantet, baret, palestrat dhe bibliotekat.

Për më tepër, udhëtarët në hyrje duhet të kryejnë teste të shpejta ditore për COVID-19 për shtatë ditë dhe teste PCR në aeroport në ditën e mbërritjes dhe në institutet e posaçme dy, katër dhe gjashtë ditë pasi mbërrijnë.

Një ndryshim i strategjisë mes një krize ekonomike

Relaksimi shihet si një ndryshim nga përafrimi i qytetit [4] me strategjinë e Kinës kontinentale, për zero-COVID. Më parë, qeveria e Hong Kongut kishte prioritet rihapjen e kufirit me Kinën kontinentale. Shumë politikanë pro-qeveritarë lavdëruan udhëzimet e presidentit kinez Xi Jinping [5] për përpjekjet e Hong Kongut kundër shpërthimeve të Omicron në shkurt 2022 dhe kritikuan sugjerimet për të relaksuar kufizimet e kontrollit të pandemisë. Avokati e aktivisti Kevin Yam citoi ligjvënësin pro-Pekinit Junius Ho dhe komentoi:

Përdoruesit e rrjetit bënë një kolazh të zyrtarëve dhe politikanëve të Hong Kong-ut, të cilët folën kundër të jetuarit me COVID (dhe tani duken si budallenj me kufizimet në Hong Kong që relaksohet sot). I preferuari im është ligjvënësi Junius Ho që thotë se thirrjet për të jetuar me COVID-in bien ndesh me Ligjin e Sigurisë Kombëtare

Edward Leung, një ligjvënës pro-qeveritar i Aleancës Demokratike për Përmirësimin dhe Progresin e Hong Kongut, pohoi gjithashtu se të jetosh me COVID është si të bësh miqësi me vdekjen. Lo Chung-Mau, Sekretari aktual i Shëndetësisë, tha se të jetosh me COVID do të ishte një rrugë për në ferr.

Megjithatë, strategjia zero-COVID ka sjellë kosto të mëdha. Hong Kongu ka humbur statusin e një qendre ndërkombëtare të aviacionit [9], pasi udhëtarët shmangin vajtjen për shkak të kufizimeve të detyrueshme të karantinës në hotele. Për më tepër, qindra ekspozita dhe ngjarje ndërkombëtare dhe rajonale, të tilla si Maratona Standard Chartered, e organizuar fillimisht në Hong Kong, u zhvendosën [10] në Singapor. Në renditjen e fundit nga Indeksi i Qendrave Financiare Globale, Singapori ka kaluar Hong Kongun si qendra kryesore financiare e Azisë.

Në përgjigje të krizës ekonomike, Huang Liuquan, një zyrtar i Pekinit në Hong Kong, sinjalizoi [11] se qeveria vendore mund të lehtësojë kufizimet disa ditë përpara se të shpallej ndryshimi konkret i politikës COVID:

Teksa ne do të bëjmë më të mirën për të kontrolluar pandeminë, ne ynojmë të kemi lidhje maksimale me botën e jashtme dhe gjithashtu të reduktojmë procedurat për udhëtarët që vijnë në Hong Kong […] Ky është një qëllim shumë i qartë.

Gjithsesi, shumë biznesmenë thonë se lehtësimi është i vonuar, qëndrim ky i artikuluar nga aktivisti dhe investitori David Webb në Twitter:

Pak si vonë: Konferenca e sotme e #HK COVID nuk kishte asnjë referencë për atë që po bëjnë konkurrentët tanë. Të ardhurit do të mirëpriten me një test PCR, do të trajtohen si me lebrozë për 3 ditë dhe duhet të paraqiten për testimin PCR edhe 3 herë në ditët 2/4/6.

Në postimin e tij në Twitter, Webb theksoi më tej se kufizimet lokale për COVID, duke përfshirë kufirin e grumbullimit të katër personave në natyrë, kontrollin e kodit shëndetësor të largimit nga shtëpia dhe të kodit shëndetësor për restorante dhe ambiente publike, kufiri i ngrënies për tetë persona, mbajtja e maskave jashtë, mes shumë kufizimeve, do të pengonin udhëtarët të vinin në Hong Kong.

Disa grupe biznesi, duke përfshirë Shoqatën [10] e Industrisë së Ekspozitave dhe Konventave të Hong Kongut dhe Eurocham, kërkuan heqjen e plotë të kufizimeve të COVID:

Grupet ndërkombëtare të biznesit thanë se vetëm hapja e plotë mund të ndryshojë drejtimin e Hong Kongut. “Nuk duhet të ketë kufizime, jo karantinë dhe jo teste,” tha zv/kryetari i Eurocham, me 20% të anëtarëve të dhomës që kanë lënë Hong Kongun.

Për më tepër, situata fiskale e qytetit është “më e keqe se sa pritej”, pasi deficiti [17] i tij ka të ngjarë të jetë mbi 100 miliardë HKD këtë vit (mbi 127,000,000 dollarë amerikanë). Kufizimet e zgjatura të kontrollit të pandemisë kanë transformuar gjithashtu zakonet e konsumit të qytetit dhe kanë dëmtuar bizneset e vogla lokale. Banorët e qytetit tani preferojnë të mblidhen në ambiente private dhe konsumimin e ushqimeve me vete [18] në vend që të darkojnë jashtë. Shumë restorante – veçanërisht dim sum tradicionale kineze dhe restorante të mëdha – u detyruan të mbyllnin [19] bizneset e tyre në Hong Kong:

Heqja e kufizimeve të udhëtimit më e mirë vonë se kurrë, erdhi për fat të keq në një kohë kur shumë biznese të vogla dhe të mesme tashmë ishin dëmtuar. Mbi një duzinë restorantesh ikonë u detyruan të mbyllen brenda një viti, siç thotë një kuzhinier: “Pasi të jetë zhdukur, është shumë e vështirë të rindërtohet”

Ndërkohë, efekti më i dukshëm i relaksimit është udhëtimi jashtë vendit [21]. Banorët e Hong Kongut po nxitojnë [21] të rezervojnë biletat si pjesë e të ashtuquajturës valë “udhëtimi hakmarrës [22]“, që do të thotë rritje e udhëtimeve pas pandemisë, ndërsa njerëzit e mbyllur në shtëpi nxitojnë të shkojnë me pushime. Tani që banorët nuk do të kenë nevojë të shpenzojnë kohë dhe para shtesë për karantinën e hoteleve kur të kthehen, banorët e Hong Kongut po nxitojnë të kompensojnë pauzën e tyre dyvjeçare të udhëtimit:

Një tjetër pikë e përmendur nga ekonomistët është rreziku i një goditjeje afatshkurtër për ekonominë e Hong Kongut, pasi relaksimi nxit një rritje të turizmit jashtë vendit pa një rikthim të udhëtimeve hyrëse për të kompensuar, pasi udhëtarët e shohin testimin aktual 0+3/javë si shumë të rreptë.

Hong Kongu këmbënguli [4] për politikën zero-COVID për të rihapur kufijtë e tij me Kinën kontinentale. Megjithatë, pas dy vjetësh, qyteti nuk mund të arrijë standardin zero raste të Pekinit për COVID-19. Aktualisht, banorët e Hong Kongut ende duhet të kalojnë një karantinë të detyrueshme shtatë-ditore hoteli për të hyrë në Kinë. Tani që qyteti ka vendosur të lehtësojë kufizimet e tij, kjo do të nënkuptonte një shkëputje të vazhdueshme me Kinën kontinentale derisa Pekini të ndryshojë strategjinë e tij të kontrollit të pandemisë.