Malet e Maqedonisë së Veriut janë plot me qen të braktisur të cilët po kërcënojnë rrëqebullin e rrezikuar

Një hibrid i qenve shtëpiake-ujq që endet nëpër malet e Maqedonise së Veriut. Foto nga Shoqata Ekologjike Maqedonase, e përdorur me leje.

Ky artikull bazohet në shkrimin origjinal të Meta.mk. Një version i redaktuar ribotohet sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Malet në Maqedoninë e Veriut janë plot me qen të braktisur që paraqesin kërcënim jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët e egra. Një nga macet e egra më të rrezikuara në botë, rrëqebulli i Ballkanit, e quan këtë territor shtëpinë e tij dhe tani po përballet me kërcënime të reja që vijnë nga shtimi i qenve endacakë. Tufat e qenve të uritur po hanë gjahun e rrëqebullit dhe mishngrënësve të tjerë në natyrë dhe për shkak të ngjashmërive gjenetike, ata gjithashtu po shumohen me ujqër dhe po hollojnë grupin e gjeneve të ujkut.

Edhe pse ata shihen si grabitqarë, vetë qentë janë gjithashtu viktima në këtë rast – ata u braktisën nga pronarët e tyre, duke mos u lënë atyre zgjidhje tjetër veçse të kërkonin ushqim për të mbijetuar dhe për t'u bërë shumë agresivë. Faji në këtë rast është edhe shteti, pasi defektet sistematike në institucionet shtetërore dhe mosrregullimi i politikave komunale për kafshët endacake e kanë përkeqësuar situatën.

Një hibrid qen-ujk në të njëjtën tufë që endet në Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoninë e Veriut. Foto nga Shoqata Ekologjike Maqedonase, e përdorur me leje.

Vëzhgimi në terren me përdorimin e kurtheve fotografike nga Shoqata Ekologjike Maqedonase (MES) zbuloi qen thellë në pyll. Qentë janë parë edhe në qafat malore si Gjavato, Bukovë dhe në parqet kombëtare të Mavrovës dhe Malit Sharr. Rezultatet për pasojat e këtij fenomeni në jetën e egër u prezantuan në Forumin “Qentë e braktisur – kërcënim për jetën e egër”, të mbajtur më 29 gusht në Shkup.

Folësit në Forumin “Qentë e braktisur – kërcënim për jetën e egër” organizuar nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë në Shkup, 29 gusht 2022. Foto nga Meta.mk, e përdorur me leje.

Sipas koordinatorit të programit të organizatës, Dime Melovski, qentë enden dhe kërkojnë ushqim. Ata janë gjithashtu nën stres të vazhdueshëm dhe përbëjnë një kërcënim për kafshët e tjera. Ai shpjegoi:

Problemi me qentë e braktisur në natyrë është përshkallëzuar vitet e fundit. Ata përbëjnë një kërcënim për mbijetesën e rrëqebullit, pasi ata hanë ushqimin e tij. Vetëm gjysma e rrëqebujve të rinj arrijnë pjekurinë seksuale dhe kjo situatë është më e rënduar nëse rrëqebullët femra me këlyshë, që nuk janë në gjendje të gjejnë ushqim, mbeten pa të. Për një popullsi prej 40-50 rrëqebujsh që jetojnë në territorin e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, ky përbën një rrezik të madh.

Disa pjesëmarrës shprehën gjithashtu shqetësimin se këta qen të braktisur mund të paraqesin rrezik për alpinistët në male.

Në një deklaratë të mëparshme të publikuar nga portali investigativ Prizma, studiuesit e shoqatës treguan se rrëqebulli, i cili zakonisht peshon 20-30 kilogramë, nuk mund të hajë gjahun e madh si dreri në një vakt dhe shpesh e lë një pjesë të mishit për më vonë. Siç vuri në dukje Melovski, në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur më pak se 50 rrëqebuj të egër.

Grumbullimi i tufave të qenve paraqet rreziqe të reja për speciet e maceve, sepse ato shpesh ushqehen me mbetjet e mishit të drerit të vrarë nga rrëqebulli. Femrat që rrisin këlyshët janë veçanërisht të pambrojtura, sepse ato janë më të vogla në madhësi dhe nuk mund të luftojnë qentë.

Autoritetet vendore lëshojnë qentë endacakë në natyrë

Dihet se vitet e fundit qentë endacakë janë transportuar dhe lëshuar në natyrë nga shërbimet komunale lokale. Disa komuna të cilave u mungojnë financat, personeli apo dëshira për të trajtuar në mënyrë adekuate çështjen e qenve endacakë kanë ndjekur këtë “zgjidhje” për shumë kafshë shtëpiake të braktisura në territorin e tyre.

Qen endacak në Jasen në Maqedoninë e Veriut. Foto nga Shoqata Ekologjike Maqedonase, e përdorur me leje.

Sipas aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve, një nga arsyet kryesore të shtimit të rasteve të pronësisë së papërgjegjshme është gjoba e vogël prej 15 eurosh. Kjo tarifë e ulët nuk përputhet me pasojat e rënda të braktisjes së kafshëve dhe për më tepër, nuk po zbatohet siç duhet.

“Më shumë se gjysma e komunave të këtij vendi nuk kanë marrëveshje me një strehë kafshësh, një vend ku do të strehoheshin dhe trajtoheshin kafshët e braktisura, edhe pse ligjet e identifikojnë si një nga elementët kyç në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Dimitar Terzievski nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Terzievski thotë se me sterilizimin efikas të 75 për qind të kafshëve, rezultatet do të jenë të dukshme për një kohë të shkurtër.

Një hibrid midis qenit shtëpiak dhe ujkut. Foto nga Shoqata Ekologjike Maqedonase, e përdorur me leje.

Numri më i madh i qenve të braktisur që jetojnë në natyrë janë ata të gjuetisë, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Ata kanë një instinkt natyror për gjueti dhe ishin në gjendje të përshtateshin shumë shpejt.

Nga ana tjetër, gjysma e qenve që përfundojnë në strehimoren e kafshëve Laika në Shkup janë ose të racës së pastër, ose njëri prej prindërve është i racë e pastër. Sipas drejtorit të saj Voislav Dimitrovski, zgjidhja është e qartë:

Zgjidhja e problemit të qenve të braktisur nuk mund të shihet në plane dhe programe individuale. Ai duhet të jetë sistematik dhe të mbulohet nga një program kombëtar, i cili do të detyrojë të gjitha palët e interesuara.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.