Mbikëqyrja e pandemisë: Si Australia përdori teknologjinë gjatë COVID-19

Foto nga EngageMedia.

Ky artikull nga Samantha Floreani është pjesë e Pandemic of Control, një seri që synon të çojë më tej diskutimin publik mbi rritjen e autoritarizmit dixhital në Azi-Paqësor në mes të COVID-19. Pandemia e Kontrollit është një nismë nga EngageMedia, në partneritet me CommonEdge. Ky version i redaktuar i artikullit është ribotuar në Global Voices nën një marrëveshje partneriteti për përmbajtjen.

Në fillim të vitit 2020, COVID-19 u përhap në Australi. Politika e qeverisë evoluoi për t'u bërë “zero COVID”, e zbatuar përmes vendosjes së maskave, distancimit social dhe shpeshherë izolimit. Papritur, pothuajse çdo aspekt i jetës sonë u zhvendos në internet.

Në kohë krizash, qeveritë shpesh nxitojnë drejt fuqive shtesë, shumë prej të cilave rrezikojnë të drejtat e njeriut dhe rrallëherë rishfaqen pasi të kthehemi në qetësinë relative. Teknologjitë e përhapura të epokës dixhitale, të kombinuara me një pandemi që na kërkon të izolohemi nga njëri-tjetri, hapën rrugën për një të ardhme ku mund të lulëzojë mbikëqyrja dhe kontrolli dixhital. Në pritje të kësaj, mbrojtësit e të drejtave të njeriut u kërkuan qeverive të respektojnë të drejtat e njeriut në çdo përgjigje teknologjike ndaj COVID-19. Avokatja dhe aktivistja për të drejtat dixhitale Lizzie O'Shea thotë:

Ajo që do të na ndihmojë të tejkalojmë këtë virus nuk është detyrimi dhe frika, por mbrojtja dhe zbatimi i politikës së kujdesit dhe solidaritetit.

Teknologjitë dixhitale mund të luajnë një rol të rëndësishëm te reagimi i fortë për shëndetin publik. Pyetja nuk është nëse duhet ta përdorim teknologjinë, por si. Zgjedhjet teknologjike të bëra nga qeveritë vendore dhe federale të Australisë gjatë kësaj kohe flasin shumë për prioritetet dhe ideologjitë e tyre. Dy vitet e fundit pasqyrojnë një prirje: në vend që të përdorin teknologjinë për të rritur kujdesin dhe mbështetjen e popullatës, autoritetet qeveritare në Australi i dhanë përparësi projekteve të zhurmshme politikisht të bazuara në një ideologji të mbikëqyrjes dhe kontrollit.

Ky artikull shqyrton katër përgjigjet e qeverisë ndaj pandemisë COVID-19, të bazuara në teknologji. Këto, së bashku me shmangien e transparencës dhe ngurrimin për t'u angazhuar me ekspertë teknikë dhe shoqërinë civile, përfundimisht rezultuan në “zgjidhje” teknologjike që varionin nga krejtësisht joefektive deri në ndëshkuese.

Dronët policorë dhe mbikëqyrja e lëvizshme 

Në fund të vitit 2020, mediat australiane raportuan se policia e Victoria dhe New South Wales po përdornin drone për të monitoruar dhe zbatuar rregullat e COVID-19 në hapësirat publike. Kjo krijoi shqetësim të madh te publiku për kapacitetet e vëzhgimit, në të cilat policia e Victoria u përpoq të qetësonte publikisht njerëzit. Krahas kësaj, njësitë e vëzhgimit të kamerave të lëvizshme u vendosën nëpër parqe dhe hapësira të tjera publike dhe CCTV u ripërcaktua për kufizimet e COVID-19, teksa publiku u shqetësua dhe zemërua. Shumë kritikuan qasjen agresive dhe ndëshkuese të qeverisë për të monitoruar dhe gjobitur individët që thyen rregullat e izolimit dhe shprehën shqetësimin se qeveritë po e tejkalonin autoritetin e tyre pa kërkesat e duhura mbrojtëse, transparencë ose llogaridhënie.

Ndjekja e kontakteve dhe aplikacioni COVIDSafe

Në prill 2020, qeveria federale nxorri ​​​​aplikacionin e gjurmimit të kontakteve COVIDSafe. Ai u shoqërua me një retorikë politike për të bindur njerëzit që ta shkarkojnë atë. Dëgjuam metafora moralizuese të kohës së luftës, pretendime se aplikacioni do të ofronte mbrojtje nga infeksioni “si krem ​​plazhi” dhe thirrje patriotike për t'u bashkuar me “Team Australia“. Publikut australian iu tha se nevojitej marrja e 40 për qind – një shifër që, do të zbulohej më vonë, nuk bazohej në asgjë. Mbi 7 milionë njerëz e shkarkuan aplikacionin, por mosbesimi ndaj aftësive teknike të qeverisë, keqpërdorimi i privatësisë dhe sigurisë si dhe të metat teknike në dizajnin e aplikacionit, kontribuan që shkarkimet të mos arrijnë kurrë objektivin e shpallur.

Aplikacioni është krijuar për të përdorur Bluetooth për të zbuluar dhe regjistruar identifikuesit unikë të telefonëve aty pranë, me kusht që ata të përdorin gjithashtu aplikacionin. Nëse një person doli pozitiv në testin për COVID-19, lista e të gjithë atyre me të cilët kishin kontakt i dërgohej qeverisë, e cila më pas njoftonte ata që mund të ishin në rrezik. Më e rëndësishmja, u zbulua se aplikacioni nuk funksiononte nëse nuk rrinte i hapur. Kjo ishte një e metë thelbësore, pasi është jopraktike ta mbash hapur në çdo kohë.

Një shqetësim tjetër kyç ishte modeli i centralizuar i aplikacionit, i cili kërkonte që qeveria të vepronte si ndërmjetës dhe të trajtonte të gjitha informacionet personale të mbledhura. Duke njohur potencialin për mbikëqyrje masive ose keqpërdorime të tjera të të dhënave, avokatët e privatësisë dhe sigurisë rekomanduan fuqishëm që qeveria të ketë një qasje të decentralizuar. Kjo u injorua.

Përkundër kësaj, avokatët e të drejtave dixhitale ishin të suksesshëm në shtyrjen e qeverisë për të përfshirë mbrojtjen e privatësisë në legjislacionin që rregullon aplikacionin, duke përfshirë kufizimet që parandalojnë përdorimin e të dhënave për qëllime të tjera përveç shëndetit publik.

Pothuajse dy vjet pas lançimit, një raport që vlerësonte efektivitetin e aplikacionit tregoi se ai nuk i shtoi shumë vlerë sistemit konvencional të gjurmimit të kontakteve dhe në disa raste në fakt rriti ngarkesën e punës së gjurmuesve të kontaktit. Zhvillimi i aplikacionit kushtoi 7,7 milion dollarë australianë (5,17 milion dollarë amerikanë) dhe një shtesë prej 60,000 deri në 75,000 dollarë australianë (40,000 deri në 50,000 dollarë amerikanë) në muaj për t'u mirëmbajtur. Që nga dhjetori 2021, qeveria australiane refuzon të japë të dhëna se sa njerëz vazhdojnë të përdorin aplikacionin.

Kodi QR dhe sistemi i regjistrimit 

Në nëntor 2020, nisi një proces i ri për “regjistrimin” (check-in) në dyqane dhe ambiente, duke përdorur telefonat inteligjentë dhe kodet QR. Megjithatë, shfaqja e këtij sistemi ishte kaotike. Secili shtet vendosi kërkesat e veta, të cilat ndryshonin në mënyrë drastike. Në Victoria, për shembull, qeveria fillimisht e bëri të detyrueshme që bizneset të mbledhin të dhënat personale të klientëve të tyre, por kjo nuk u shoqërua me udhëzime ose mbështetje se si ta bënin këtë në mënyrë të sigurt. Kjo rezultoi që shumë biznese të vogla me pak ose aspak përvojë teknike në fushën e sigurisë, nxituan për të transferuar kërkesat në platformat e regjistrimit të palëve të treta. Informacioni personal i miliona australianëve u vu në rrezik për t'u mbledhur, përdorur dhe shitur për qëllime krejtësisht ndryshe nga shëndeti publik, nga një sërë platformash regjistrimi të palëve të treta – shumë prej të cilave janë në pronësi të kompanive, biznesi kryesor i të cilave janë të dhënat.

Në fund, qeveritë lokale krijuan mekanizmat e tyre që bizneset të regjistroheshin për një kod zyrtar QR për të funksionuar me një aplikacion për smartphone të drejtuar nga qeveria. Ndërsa kjo e përmirësoi problemin fillestar, nuk bëri asgjë për të zgjidhur numrin e panumërt të njerëzve të cilëve ju ndanë të dhënat e tyre përkohësisht dhe tani marrin mesazhe të padëshiruara me tekst.

Kjo gjithashtu nuk eliminoi shqetësimet në lidhje me mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave nga organet qeveritare të grumbulluara nëpërmjet sistemit të check-in-it. Në të paktën në gjashtë raste, policia ka përdorur të dhënat për qëllime të zbatimit të ligjit, një veprim i dënuar nga Komisioneri Australian i Privatësisë.

Aplikacionet e izolimit në shtëpi 

Në tetor 2021, shteti i Australisë Jugore njoftoi testimin e një aplikacioni për karantinën në shtëpi nëpërmjet smartphone. Aplikacioni është krijuar për të ndjekur pajtueshmërinë me rregullat e karantinës në shtëpi përmes softuerit të gjeolokimit dhe njohjes së fytyrës. Pas testit, shtete të tjera të Australisë gjithashtu njoftuan se do të provonin aplikacionin.

Ekspertët e teknologjisë, avokatët e të drejtave të njeriut dhe shoqëria civile shprehën shqetësimin në lidhje me përdorimin e teknologjive të tilla pushtuese pa mbrojtje të fortë të privatësisë. Digital Rights Watch dhe Human Rights Law Center i shkruan një letër të përbashkët ministrave lokelë australianë të shëndetësisë, duke u kërkuar atyre të zgjerojnë të njëjtin standard të mbrojtjes legjislative që u vendos për aplikacionin COVIDSafe për çdo përgjigje tjetër teknologjike ndaj COVID-19.

Përfundimi 

Pavarësisht thirrjeve për ndihmë nga komunitetet e prekura për rritje të mbështetjes, qeveritë i dhanë përparësi përgjigjeve që theksonin një qasje ndëshkuese, të bazuar në mbikëqyrje. Duke vepruar kështu, qeveritë lokale australiane keqpërdorën licencën sociale – autoritetin informal që i është dhënë qeverisë nga njerëzit, bazuar në besimin për të na udhëhequr në kohën e një krize të madhe shëndetësore – për axhendën e tyre politike.

Tani, duke u kthyer dy vjet më parë, nuk është e qartë nëse këto qasje për liritë civile ia vlenin apo ishin efektive. Megjithatë, është e qartë se qeveritë lokale australiane iu qasen përdorimit të teknologjive dixhitale nga një perspektivë ideologjike, duke u mbështetur shumë te kontrolli dhe mbikëqyrja dhe duke anashkaluar një politikë të kujdesit dhe mbështetjes.

Është e rëndësishme që të mësojmë nga kjo përvojë në mënyrë që të mund të përdorim teknologjinë dixhitale në një mënyrë më efektive dhe më respektuese të të drejtave në të ardhmen. Ashtu siç paralajmëruan avokatët në fillim të vitit 2020, përfshirja e të drejtave të njeriut në çdo përgjigje teknologjike ndaj një krize është thelbësore jo vetëm për suksesin e saj, por edhe për të siguruar që ne të kemi një shoqëri në të cilën jemi të lumtur të jemi pjesë pasi të kthehemi në kohët e qetësi relative. Australia do të bënte mirë ta merrte parasysh këtë.

Samantha Floreani punon me të drejtat e njeriut, teknologjinë dhe feminizmin. Ajo aktualisht është Drejtuese e Programit në Digital Rights Watch ku mbron të drejtat e njeriut në epokën dixhitale. Ajo ishte më parë një Specialiste e Privatësisë dhe Teknologjisë te Salinger Privacy, anëtare e Bordit të Fondacionit Australian të Privatësisë dhe Drejtore e Programit Code Like a Girl.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.