- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Pse shumë hongkongezë po i bëjnë homazhe Mbretëreshës Elizabetë II?

Kategoritë: Azia Lindore, Europa Perëndimore, Hong Kong (Kinë), Kina, Mbretëria e Bashkuar, Historia, Media e qytetarëve, Politika
[1]

Foto nga inmediahk.net e përdorur me leje

Mijëra banorë të Hong Kongut u rreshtuan jashtë zyrës së Konsullatës së Përgjithshme Britanike më 10 dhe 11 shtator për të nderuar mbretëreshën e ndjerë Elizabeta II, e cila ndërroi jetë më 8 shtator 2022.

Hong Kongu ishte nën sundimin kolonial britanik për më shumë se 150 vjet, nga viti 1841 pas Luftës së Parë të Opiumit [2] midis Britanisë dhe dinastisë Qing deri më 1 korrik 1997, kur sovraniteti i qytetit iu dorëzua Republikës Popullore të Kinës.

Lajmi për vdekjen e mbretëreshës 96-vjeçare shkaktoi reagime të forta emocionale në mediat sociale të Hong Kongut gjatë fundjavës. 12 shtatori ishte një festë publike për Festivalin Kinez të Mesvjeshtës, por në vend të kësaj, mijëra hongkongezë u mblodhën për të ofruar lule dhe për të vendosur mesazhe ngushëllimi jashtë Konsullatës së Përgjithshme Britanike.

Xinqi Su, korrespondentja e Agence France-Presse në Hong Kong postoi në Twitter një video të radhës së gjatë:

Lehtësisht qindra, ndoshta mbi 1000 në radhë tani jashtë konsullatës britanike në Hong Kong, duke pritur në një vapë mbytëse për të vendosur lule për mbretëreshën e ndjerë Elizabeta II. Konsullata vlerësoi se koha e pritjes ishte 2-3 orë.

Në mbrëmje, Konsullata Britanike ishte e rrethuar nga një det me lule:

Njerëzit vazhdojnë të bëjnë homazhe në Konsullatën Britanike të Hong Kongut në mbrëmjen e së hënës, pasi turmat u vunë në radhë për orë të tëra për të nënshkruar një libër ngushëllimi për mbretëreshën e ndjerë Elizabetë.

Mbretëresha Elizabetë II dhe trashëgimia koloniale e Hong Kongut

Disa persona pro Pekinit ishin të mërzitur për lavdërimet e hongkongezëve për mbretëreshën e ndjerë britanike, duke i akuzuar ata për zbardhjen [7] e natyrës represive të historisë koloniale të qytetit.

Disa komentatorë pro Kinës, si @qiaocollective, theksuan goditjen e dhunshme të policisë ndaj trazirave të vitit 1967 për t'u kujtuar njerëzve anën e errët të historisë koloniale të qytetit:

Në vitin 1967, policia koloniale britanike në Hong Kong shtypi brutalisht protestat kineze, të udhëhequra nga grupe të krahut të majtë me lidhje me PKK. Të paktën 22 persona u vranë nga policia. Dy vjet më vonë, Mbretëresha Elizabetë i dha policisë titullin “Mbretëror” për sjelljen.

Në vitin 1967 [10], në sfondin e Revolucionit Kulturor [11] në Kinën kontinentale, organizatat dhe grupet e lidhura me Partinë Komuniste Kineze u përpoqën të “çlironin” Hong Kongun duke mobilizuar protesta në shkallë të gjerë kundër qeverive koloniale britanike në qytet.

Policia u përgjigj me goditje të dhunshme dhe protestat përfundimisht u përshkallëzuan në sulme me bomba në rrugë. Midis 51 viktimave [10], të paktën 22 u vranë nga policia dhe 15 civilë, duke përfshirë dy fëmijë, vdiqën në sulmet me bomba. Nëntë oficerë policie vdiqën në trazira.

Qeveria koloniale zbatoi gjithashtu ligje represive për të shtypur trazirat. Midis këtyre, ishte Ligji kundër fyerjes së autoriteteve ose monarkut, i cili përdorej për mbylljen e botimeve dhe ndëshkimin e atyre që fyenin Mbretëreshën dhe qeverinë koloniale.

Në të vërtetë, pas trazirave të vitit 1967, qeveria koloniale ndaloi përdorimin e Ligjit për Rebelimin për të shtypur kritikët e qeverisë dhe ai u la në harresë. Ironikisht, pas protestave të ekstradimit kundër Kinës të vitit 2019, relikja koloniale u ringjall për të ndëshkuar disidentët në Hong Kong, siç ilustrohet në akuzat për kryengritje [12] të anëtarëve të stafit të Stand News në vitin 2021. Rasti më i fundit është dënimi i pesë personave me 19 muaj burgim për një komplet librash për fëmijë:

5 logopedë në Hong Kong dënohen me 19 muaj burg secili për rebelim për librat për fëmijë

Ndërsa shtypja e dhunshme e protestuesve në vitet '60 përfaqëson anën e errët të trashëgimisë koloniale britanike, ajo ka gjetur pasardhësin e saj në Hong Kongun e sotëm.

Megjithatë, historia koloniale britanike është më shumë se sistemi i saj politik represiv. Pas trazirave të vitit 1967, qeveria britanike prezantoi një sërë reformash sociale në qytet. Në fakt, vizita e parë e Mbretëreshës Elizabetë në Hong Kong në vitin 1975 simbolizonte transformimin e regjimit kolonial nga represiv në dashamirës. Itinerari i Mbretëreshës në këtë vizitë ishte projektuar me kujdes për t'u lidhur me fushatat e bazës dhe për të rikrijuar imazhin e qeverisë koloniale.

Një nga ndalesat e saj ishte Oi Man Estate (愛民邨), një kompleks banimi publik i përfunduar në 1975. Emri kinez do të thotë “Duaji njerëzit”:

Mbretëresha Elizabetë II takohet me banorët e Oi Man Estate, një pronë publike banimi në Hong Kong. (1975)

Shumë hongkongezë ende e kujtojnë Mbretëreshën për mbështetjen e saj ndaj organizatave bazë gjatë vizitës së saj të parë. Vizita e saj në një tregu në 1975 është shpërndarë gjerësisht gjatë fundjavës pas lajmit për vdekjen e saj:

Vizita e parë e mbretëreshës në Hong Kong në maj 1975. Vitet kaluan dhe njerëzit ende flisnin për të. U prehtë në paqe.

Duke qenë se shumica e protestuesve në trazirat e vitit 1967 ishin të rinj, qeveria koloniale prezantoi një politikë të re sociale për të parandaluar përfshirjen në aktivitete kriminale, duke u ofruar të varfërve më shumë mundësi për lëvizje sociale. Përveç forcimit të sektorit të shërbimeve sociale, qeveria prezantoi arsimin gjashtëvjeçar falas dhe të detyrueshëm në vitin 1971 dhe e zgjati atë më tej në nëntë vjet në 1978.

Politika sociale rivendosi paqen në qytet. Deri në vitin 1975, Mbretëresha ishte e sigurt dhe pa asnjë frikë të takonte të rinjtë:

Mbretëresha dhe Princi Philip vizituan Universitetin e Hong Kongut në 1975 si mbrojtësit tanë. Trashëgimia e tyre do të jetë gjithmonë pjesë e historisë sonë institucionale dhe do të ruhet në Arkivin tonë të Universitetit.

Imazhi autoritar i “Madhërisë së saj” u shndërrua në imazhin e “Shefja, Zonja e Vjetër” – një titull që banorët vendas ia atribuojnë Mbretëreshës, duke reflektuar reputacionin e saj si një monarke e butë dhe e vëmendshme brenda qytetit, siç theksohet nga ish-avokati dhe aktivisti nga Hong Kongu @kevinkfyam:

Mbretëresha Elizabetë II ka ripërcaktuar rolin e një monarku kushtetues për botën moderne dhe post-moderne. Për njerëzit e #Hongkong-ut, ajo përfaqësonte një epokë më të thjeshtë, më të lirë për qytetin, e njohur me dashuri si “事頭婆” (përafërsisht “Shefja, Zonja e Vjetër”). PREHU NE PAQE.

Shumë të lindur në mes të reformës sociale dhjetëvjeçare në vitet '70 besonin me vendosmëri se suksesi ekonomik i Hong Kongut mund t'i atribuohej sundimtares koloniale. Herbert Chow, një biznesmen i njohur i cili së fundmi u largua nga qyteti për në Mbretërinë e Bashkuar është një prej tyre që mendon kështu:

Si dëshmitar i monarkisë britanike që nga viti 1964 dhe i udhëheqjes kineze që nga viti 1997, nuk mund të mos mendoj se ku do të ishte Hong Kongu sot në arenën globale nëse Britania nuk do ta kishte drejtuar Hong Kongun për 150 vjet para 1997! U prehtë në paqe Mbretëresha e të gjithë hongkongezëve të vërtetë

Nostalgjia për periudhën kolonialiste britanike

Shumë kanë vënë re ndjenja nostalgjie ndërsa qytetarët vajtojnë Mbretëreshën dhe e interpretuan këtë si një akt proteste kundër shtypjes së shoqërisë civile në Hong Kong. Gazetari i pavarur Timothy McLaughin vuri në dukje:

Transmetimi i NowTV nga mbrëmë në Hong Kong ndaloi dhe zmadhoi këtë shënim të lënë jashtë konsullatës britanike. Një prekje proteste ndërsa mbahet zi për Mbretëreshën.

Karikaturisti nga Hong Kongu @hkguy1988 shpjegoi ndjenjën në terma më konkretë:

Dashuria u dha, dashuria u kthye. Lamtumirë, Mbretëresha Elizabetë.

Karikaturisti politik @badiucao interpretoi kuptimin e zisë kolektive në një vizatim:

Lulet për mbretëreshën në Hong Kong janë më shumë se vetëm zi. Është gjithashtu një protestë e heshtur kundër ribashkimit me Kinën dhe shtypjen nga ajo.