“Ata njerëz”, komentet e ministres franceze ngrenë pikëpyetje për homofobinë në qeveri

Foto nga Guillaume Paumier, publikuar sipas CC BY 2.0 në Flickr.

Qeveria e presidentit francez Emmanuel Macron (e qendrës së djathtë, liberale), që u rizgjodh president në prill 2022, aktualisht po përballet me reagimet për komentet dhe qëndrimet homofobike të shprehura nga disa prej anëtarëve të saj.

Më 13 korrik 2022, gjashtë organizata franceze kundër homofobisë depozituan një ankesë ligjore kundër Ministres aktuale të Autoriteteve Lokale, Caroline Cayeux, vetëm pak ditë pasi ajo u emërua. Ata denoncuan komentet që ajo bëri si senatore në vitin 2013, kur tha se martesa e të njëjtit seks ishte një “kapricio” dhe shkonte “kundër natyrës“.

Kur u pyet në lidhje me këtë në kanalin televiziv Public Sénat më 12 korrik 2022, Caroline Cayeux tha se ajo “i ka qartazi” ende vërejtjet e saj të së kaluarës ndërsa u përpoq të justifikohej:

Je vais vous dire quand même que j’ai beaucoup d’amis parmi tous ces gens-là et franchement, c’est un mauvais procès qu’on me fait, et ça m’a beaucoup contrariée.

Unë do të them se kam shumë miq mes gjithë atyre njerëzve dhe sinqerisht jam në shënjestër të një gjyqi të padrejtë. Më mërziti shumë.

Ankesa ligjore e depozituar në Prokurorinë Publike të Parisit i referohet një “fyerjeje publike të një grupi njerëzish për shkak të orientimit të tyre seksual nga një person me autoritet publik”, i cili mund të dënohet deri në tre vjet burg dhe një gjobë prej 75,000 euro.

Avokati Étienne Deshoulières, i cili përfaqëson paditësit, tha në transmetuesin France Info:

Une personne de l’envergure d’une ministre ne peut plus, en 2022, dix ans après le vote de la loi sur le mariage pour tous, dire que l’homosexualité est un dessein contre nature.

Një person me statusin e ministres nuk mundet në vitin 2022, dhjetë vjet pasi u votua ligji që autorizon martesat e të njëjtit seks, të thotë se homoseksualiteti shkon kundër natyrës.

Reagimet online nga komuniteti LGBTQ+

Në mediat sociale, anëtarët e komunitetit LGBTQ+ dënuan me shpejtësi deklaratat e ministres duke përdorur hashtagun #CesGensLà (#ThosePeople):

Përdoruesi i Twitter @Le_placard_ vuri në dukje se pavarësisht nga reputacioni i saj progresiv, homofobia është ende shumë e pranishme në shoqërinë franceze:

Çdo ditë, “atyre njerëzve” ju kujtohet se lufta nuk ka përfunduar. Qoftë me vepra apo fjalë, qoftë nga një i panjohur në rrugë apo nga një ministër. Liria dhe barazia jonë është një luftë e përditshme. #UnëJam AtaNjerëz

Personazhi i YouTube Chez Papa Papou, një avokat i LGBTQ+ që publikon video në lidhje me përvojën e tij në një familje homoprindërore, bëri thirrje për dorëheqjen e Caroline Cayeux:

#AtaNjerëz nuk e kuptojnë pse, në vitin 2022, homofobia nuk është ende një faktor skualifikues për t'u bërë dhe mbetur Ministër i Republikës.#DorëheqjeCayeux

Ministrja Cayeux më vonë kërkoi falje dhe shprehu keqardhje, por reagimi nuk u ndal. Zyrtarët qeveritarë u përpoqën të rregullonin dëmin duke theksuar “të drejtën për të bërë një gabim” dhe duke përcjellë faljen e ministres. Por komunikimi i tyre nuk arriti të bindë shumë anëtarë të komunitetit LGBTQ+:

Çfarë do të thuash se debati është mbyllur? Kolegia juaj pështyn në fytyrë miliona njerëzve dhe ju mendoni se ne do të ndalemi me kaq sepse ajo postoi dy fjali të diktuara nga 15 këshilltarët e saj? Kjo është një shaka! Vazhdo, #CayeuxDorëheqje!

[Në përgjigje të:]

– Komentet e Caroline Cayeux u konsideruan homofobike

“Ajo pati mundësinë të sqaronte komentet e saj dje, mendoj se debati tani është mbyllur”, thotë Olivier Véran, zëdhënësi i qeverisë.

Cécile Coudriou, ish-presidente e Amnesty International France, vuri në dyshim shembullin që qeveria po vendos për qytetarët e saj:

Unë jam gjithashtu një nga #AtaNjerëz, krejt natyrshëm dhe ditë pas dite mbroj dinjitetin e personave LGBT+ me Amnesty France dhe Amnesty. Komentet e Caroline Cayeux vërtetojnë se në Francë, shembulli nuk është gjithmonë rregull në nivel qeveritar.

Në një shkrim, kryeredaktori i revistës LGBTQ+ Têtu theksoi se pozicioni i qeverisë ishte “i paqartë”:

Proclamer un gouvernement allié des personnes LGBTQI+ ne consiste pas à y faire entrer des réactionnaires notoires en croisant les doigts pour qu'ils se taisent […] Un gouvernement allié des personnes LGBTQI+, c'est un gouvernement entièrement composé d'allié·es des LGBTQI+. Nous ne sommes ni “ces gens-là”, ni une option.

Të pretendosh të jesh një qeveri aleate për njerëzit LGBTQI+ nuk do të thotë të emërosh konservatorë të njohur duke shpresuar që ata ta mbajnë gojën mbyllur […] Një qeveri aleate për njerëzit LGBTQI+ është një qeveri e përbërë tërësisht nga aleatë LGBTQI+. Ne nuk jemi “ata njerëz”, as nuk jemi një opsion.

Ministrat e tjerë përballen me reagime ndaj pozicioneve homofobike 

Në një letër të hapur drejtuar kryeministres Elisabeth Borne, 17 organizata jofitimprurëse kërkuan dorëheqjen e tre anëtarëve të tjerë të qeverisë, përveç Caroline Cayeux.

Ministri aktual i Brendshëm Gérald Darmanin, i cili u emërua në vitin 2020, është nën vëzhgim për mbështetjen e tij të mëparshme të “Manif pour tous”, një lëvizje protestash kundër martesave të të njëjtit seks në Francë. Në vitin 2013, ai shkroi në Twitter se si kryetar bashkie, nuk do të celebronte asnjë dasmë mes dy burrave ose dy grave.

Ministri i sapoemëruar i Tranzicionit Ekologjik, Christophe Béchu, po përballet gjithashtu me reagime. Në vitin 2013, kur ishte senator, ai e krahasoi martesën e të njëjtit seks me inçestin. Disa vjet më vonë, si kryetar bashkie, ai hoqi posterat e një fushatë ndërgjegjësimi për SIDA-n nga qyteti i tij, me pretendimin se ishin pranë një shkolle dhe se po “provokonin qëllimisht“.

Sébastien Lecornu, Ministër i Forcave të Armatosura që nga maji 2022, po kritikohet edhe për kundërshtimin e tij në të kaluarën ndaj martesave të të njëjtit seks. Në vitin 2012, si kandidat për kryetar bashkie, ai deklaroi: “Komunitarizmi homoseksual më acaron po aq sa homofobia”.

Rekordi i Francës për çështjet LGBTQ+

Franca sapo kujtoi 40 vjetorin e dekriminalizimit të homoseksualitetit, i cili daton në 4 gusht 1982. Në vitin 1999, Parlamenti francez krijoi paktin e solidaritetit civil (PACS), duke njohur ligjërisht bashkimet civile midis individëve të të njëjtit seks, përpara se të prezantonte ligjin në vitin 2001 masat kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual. Në vitin 2013, Franca ishte vendi i 9-të në Bashkimin Evropian që lejoi martesat e të njëjtit seks.

Përveç sinjalit shqetësues që këto emërime të fundit në ministri po i dërgojnë komunitetit LGBTQ+, disa janë të shqetësuar se historia e Emmanuel Macron në çështjet LGBTQ+ nuk ishte aq e mirë gjatë mandatit të tij të parë presidencial (2017–2022).

Gjatë mandatit të parë pesëvjeçar të Macron-it, dy ligje të rëndësishme për të drejtat e LGBTQ+ – ligji që jep akses në riprodhimin e asistuar mjekësor për çiftet lezbike dhe ligji që ndalon përdorimin e të ashtuquajturës “terapia e konvertimit” – u vonuan vazhdimisht dhe u miratuan vetëm pas fushatave nga grupet që ushtronin presion. Personat transgjinorë janë ende të përjashtuar nga riprodhimi i asistuar nga mjekësia. Aktivistët denoncojnë gjithashtu mungesën e progresit në lidhje me të drejtat e personave interseks, pasi Franca refuzoi të ndalonte gjymtimet gjenitale të fëmijëve interseks, një praktikë që është dënuar nga Defender of Rights (autoriteti i pavarur kushtetues i Francës përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale) si dhe Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, aktet e dhunës kundër LGBTQ+ në Francë po rriten me rreth 15 për qind çdo vit dhe janë dyfishuar që nga viti 2016, sipas Ministrisë së Brendshme. Ndër këto krime, shpifja dhe fyerja janë më të shpeshtat, të ndjekura nga dhuna fizike.

Rekordi i Emmanuel Macron në mandatin e tij të parë presidencial u sanksionua nga një rënie në renditjen e Francës në Indeksin e Rainbow, rishikimi vjetor i ILGA-Europe për të drejtat e LGBTQ+ në vendet evropiane. Nga 49 shtete, Franca shkoi nga vendi i 6-të në 2018-ën në vendin e 9-të në 2019-ën dhe në vendin e 13-të në 2020 dhe 2021.

Ndërsa çështjet LGBTQ+ mungonin në axhendën e rizgjedhjes së Emmanuel Macron në vitin 2022, qeveria e tij tani po përpiqet të trajtojë krizën duke njoftuar emërimin e afërt të një Ambasadori për të drejtat e LGBTQ+ si dhe krijimin e një fondi prej 3 milionë euro për të mbështetur qendrat LGBTQ+ në të gjithë Francën.

Tani, nëse kjo sinjalizon ndryshime kuptimplote apo thjesht një akt komunikimi politik, ose pinkwashing mbetet për t'u parë. Por shumë aktivistë LGBTQ+ dyshojnë në sinqeritetin e qeverisë dhe janë të shqetësuar për të ardhmen e të drejtave LGBTQ+ në Francë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.