- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Egjipt: Shfrytëzimi i Twitter-it për t'i ndihmuar një lagjeje të Kairos

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Egjipti, Aksioni humanitar, Aktivizmi dixhital, Media e qytetarëve, Teknologjia, Zhvillimi, 7 Billion Actions

Ky postim është pjesë e mbulimit tonë special të Revolucionit të Egjiptit 2011 [1].

Pasi e pa ndikimin e fuqishëm të mediumeve sociale mbi revolucionin egjiptian, bloguesi egjiptian dhe shfrytëzuesi i Twitter-it, Mahmud Salem [2] (@SandMonkey [3]) vendosi të bashkëpunojë me një organizatë lokale joprofitabile, me qëllim që t'u ndihmojë të mbledhin mjete financiare, duke e shfrytëzuar fuqinë e Twitter-it, për të ofruar shërbime elementare në një lagje të varfër të Kairos.

Ezbet Kairalla [4] është një nga lagjet më të mëdha të paurbanizuara në Egjipt, me rreth 650.000 banorë. Është një zonë e shpërndarë në rreth 12 kilometra katrorë që gjendet në një rrafshnaltë shkëmbore në pjesën jugore të Kairos. Edhe pse Ezbet Kairalla gjendet brenda kufinjve të Kairos, pjesa më e madhe e shërbimeve elementare mungojnë; jo vetëm kanalizimi dhe mbledhja e mbeturinave, por edhe arsimi joadekuat, dhe shërbime të këqia shëndetësore dhe sociale. Për këtë arsye, ky vendbanim i dendur është vend i përshtatshëm për kriminalitet dhe trazira sociale.

Tweeps visited a kindergarten in Ezbet Khairallah, Cairo. Photo by @pakinamamer (July 30, 2011) [5]

Shfrytëzuesit e Twitter-it vizitojnë një çerdhe në Ezbet Kairallah, Kairo. Fotografia nga @pakinamamer (30 korrik 2011)

Ezbet Khairallah street [6]

Pamje e një rruge në Ezbet Kairallah nga @pakinamamer në Yfrog

Me qëllim që të ndihmojë në përmirësimin e kualitetit të jetesës në Ezbet Kairalla, Khair Wa Baraka (Mirësi dhe Begati [7]), një organizatë e themeluar në vitin 2004, filloi të punojë në programe arsimore, shëndetësore dhe të mjedisit jetësor, veçanërisht pasi hulumtimi i tyre tregoi se çështja më e rëndësishme për këtë komunitet ishte trajtimi i mbeturinave të lëngshme dhe të ngurta (kanalizimi). Ata poashtu ofrojnë karvane mjekësore dhe qendra arsimore.

Me përkrahjen e njerëzve në Twitter, Mirësi dhe Begati mblodhi 2 milionë funta egjiptiane (mbi 330,000 dollarë amerikanë [8]) si dhe ngriti vetëdijen për problemet e kësaj lagjeje. Salem e quajti iniciativën e tij “përgjigju tweet-it” (@tweetbackevent [9]), dhe u mbështet në lidhjet sociale të 20 shfrytëzuesve të fuqishëm të Twitter-it, të cilët së bashku kanë rreth një çerek milionë pasues. Secili prej tyre mblodhi të holla prej donatorëve në këmbim të promovimit të kompanive kontribuese në mesin e pasuesve të tyre. Ata poashtu e promovuan fuqishëm këtë iniciativë dhe u sqaruan njerëzve se si edhe ata mund të ndihmojnë [10].

[11]

Duke dërguar tweet-e nga ngjarja "përgjigju tweet-it". Fotografia nga Rania Helmi, bashkëorganizatore.

Mirësi dhe Begati organizuan edhe një ngjarje për mbledhje të donacioneve më 26 korrik 2011, në hotelin Marriott në Kairo, ku njoftuan [12] se deri në atë moment ishin mbledhur 1,349,000 funta egjiptiane (226,600 dollarë amerikanë).

Shfrytëzuesit e Twitter-it që morën pjesë në ngjarje dërguan tweet-e për secilin donator [13] dhe sa të holla kanë dhënë, qoftë kompani lëngjesh [14], operator i telefonisë celulare [15], apo donatorë që refuzuan ta zbulojnë identitetin e tyre [16]. Ata poashtu krijuan një numër të shkurtë telefonik ku njerëzit mund të paraqiten dhe të dhurojnë 3 funta egjiptianë (0.50 dollarë), dhe përsëri u shfrytëzua Twitter-i për ta përhapur informatën [17].

Organizatorët e “përgjigju tweet-it” besojnë se ky është vetëm një hap fillestar, dhe ashtu siç Salemi shkroi në blogun e tij [8], “do të ketë më shumë iniciativa të këtilla nëse ju e përkrahni iniciativën e parë, e cila për shkak të kohës dhe të risisë që sjell, ka nevojë të skajshme për sponsorimin tuaj.” Mirësi dhe Begati, Ezbet Kairallën e quajti [18], prototip të një “lagjeje të paurbanizuar” që ka nevojë për zhvillim. Ndoshta së shpejti do të shohim më tepër iniciativa për ta ndihmuar zhvillimin e lagjeve të tjera të paurbanizuara.

Ky postim është pjesë e mbulimit tonë special të Revolucionit të Egjiptit 2011 [1].