See all those languages up there? We translate Global Voices stories to make the world's citizen media available to everyone.

Egjipt: Shfrytëzimi i Twitter-it për t'i ndihmuar një lagjeje të Kairos

Ky postim është pjesë e mbulimit tonë special të Revolucionit të Egjiptit 2011.

Pasi e pa ndikimin e fuqishëm të mediumeve sociale mbi revolucionin egjiptian, bloguesi egjiptian dhe shfrytëzuesi i Twitter-it, Mahmud Salem (@SandMonkey) vendosi të bashkëpunojë me një organizatë lokale joprofitabile, me qëllim që t'u ndihmojë të mbledhin mjete financiare, duke e shfrytëzuar fuqinë e Twitter-it, për të ofruar shërbime elementare në një lagje të varfër të Kairos.

Ezbet Kairalla është një nga lagjet më të mëdha të paurbanizuara në Egjipt, me rreth 650.000 banorë. Është një zonë e shpërndarë në rreth 12 kilometra katrorë që gjendet në një rrafshnaltë shkëmbore në pjesën jugore të Kairos. Edhe pse Ezbet Kairalla gjendet brenda kufinjve të Kairos, pjesa më e madhe e shërbimeve elementare mungojnë; jo vetëm kanalizimi dhe mbledhja e mbeturinave, por edhe arsimi joadekuat, dhe shërbime të këqia shëndetësore dhe sociale. Për këtë arsye, ky vendbanim i dendur është vend i përshtatshëm për kriminalitet dhe trazira sociale.

Tweeps visited a kindergarten in Ezbet Khairallah, Cairo. Photo by @pakinamamer (July 30, 2011)

Shfrytëzuesit e Twitter-it vizitojnë një çerdhe në Ezbet Kairallah, Kairo. Fotografia nga @pakinamamer (30 korrik 2011)

Ezbet Khairallah street

Pamje e një rruge në Ezbet Kairallah nga @pakinamamer në Yfrog

Me qëllim që të ndihmojë në përmirësimin e kualitetit të jetesës në Ezbet Kairalla, Khair Wa Baraka (Mirësi dhe Begati), një organizatë e themeluar në vitin 2004, filloi të punojë në programe arsimore, shëndetësore dhe të mjedisit jetësor, veçanërisht pasi hulumtimi i tyre tregoi se çështja më e rëndësishme për këtë komunitet ishte trajtimi i mbeturinave të lëngshme dhe të ngurta (kanalizimi). Ata poashtu ofrojnë karvane mjekësore dhe qendra arsimore.

Me përkrahjen e njerëzve në Twitter, Mirësi dhe Begati mblodhi 2 milionë funta egjiptiane (mbi 330,000 dollarë amerikanë) si dhe ngriti vetëdijen për problemet e kësaj lagjeje. Salem e quajti iniciativën e tij “përgjigju tweet-it” (@tweetbackevent), dhe u mbështet në lidhjet sociale të 20 shfrytëzuesve të fuqishëm të Twitter-it, të cilët së bashku kanë rreth një çerek milionë pasues. Secili prej tyre mblodhi të holla prej donatorëve në këmbim të promovimit të kompanive kontribuese në mesin e pasuesve të tyre. Ata poashtu e promovuan fuqishëm këtë iniciativë dhe u sqaruan njerëzve se si edhe ata mund të ndihmojnë.

Duke dërguar tweet-e nga ngjarja "përgjigju tweet-it". Fotografia nga Rania Helmi, bashkëorganizatore.

Mirësi dhe Begati organizuan edhe një ngjarje për mbledhje të donacioneve më 26 korrik 2011, në hotelin Marriott në Kairo, ku njoftuan se deri në atë moment ishin mbledhur 1,349,000 funta egjiptiane (226,600 dollarë amerikanë).

Shfrytëzuesit e Twitter-it që morën pjesë në ngjarje dërguan tweet-e për secilin donator dhe sa të holla kanë dhënë, qoftë kompani lëngjesh, operator i telefonisë celulare, apo donatorë që refuzuan ta zbulojnë identitetin e tyre. Ata poashtu krijuan një numër të shkurtë telefonik ku njerëzit mund të paraqiten dhe të dhurojnë 3 funta egjiptianë (0.50 dollarë), dhe përsëri u shfrytëzua Twitter-i për ta përhapur informatën.

Organizatorët e “përgjigju tweet-it” besojnë se ky është vetëm një hap fillestar, dhe ashtu siç Salemi shkroi në blogun e tij, “do të ketë më shumë iniciativa të këtilla nëse ju e përkrahni iniciativën e parë, e cila për shkak të kohës dhe të risisë që sjell, ka nevojë të skajshme për sponsorimin tuaj.” Mirësi dhe Begati, Ezbet Kairallën e quajti, prototip të një “lagjeje të paurbanizuar” që ka nevojë për zhvillim. Ndoshta së shpejti do të shohim më tepër iniciativa për ta ndihmuar zhvillimin e lagjeve të tjera të paurbanizuara.

Ky postim është pjesë e mbulimit tonë special të Revolucionit të Egjiptit 2011.

Start the conversation

Authors, please lajmërohu »

Guidelines

  • All comments are reviewed by a moderator. Do not submit your comment more than once or it may be identified as spam.
  • Please treat others with respect. Comments containing hate speech, obscenity, and personal attacks will not be approved.