- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Organizatorët refuzojnë të anulojnë EuroPride-in e Beogradit 2022 duke pretenduar se ndalimi i qeverisë është jokushtetues

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Rusia, Serbia, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e qytetarëve, Politika, Protesta, Të drejtat e LGBT, Të drejtat e njeriut
[1]

Grafiku nga faqja e internetit EuroPride 2022 [2] që njofton se ngjarja në Beograd, Serbi nuk është anuluar.

Ky artikull bazohet në mbulimin [3] origjinal  [4]nga Meta.mk, si pjesë e iniciativës rajonale Western Balkans Anti-Dezinformation Hub. Një version i redaktuar është ribotuar këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

EuroPride [5]është një ngjarje ndërkombëtare pan-evropiane LGBTQ+ e organizuar nga një qytet i ndryshëm evropian çdo vit. Në 2022 është planifikuar të zhvillohet në Beograd nga 12-18 shtator dhe përfshin një festival filmi, konferenca dhe një parada krenarie. Partitë politike serbe të ekstremit të djathtë dhe Kisha Ortodokse Serbe e kanë dënuar [6] këtë ngjarje, duke kërkuar që ajo të ndalohet.

Sfera publike serbe është përfshirë nga gjuha homofobike e urrejtjes [7] dhe dezinformimi [8], ndërsa kundërshtarët e EuroPride kanë organizuar protesta masive kundër manifestimit [9]. Më 27 gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi [10] se aktiviteti do të “anulohet” për të ulur tensionet politike dhe për të mbrojtur pjesëmarrësit nga dhuna e mundshme fizike.

Pas deklaratës zyrtare se parada në rrugë EuroPride 2022 do të anulohej, organizatorët u përgjigjën se shteti nuk mund ta “anulojë” eventin sepse nuk është organizatori i tij. Goran Miletiq, koordinatori i EuroPride 2022, shpjegoi [2] në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit:

Shteti, përkatësisht policia, vetëm mund ta ndalojë EuroPride, jo ta anulojë atë. Ky lloj vendimi do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe Gjykata Kushtetuese kishte revokuar tashmë vendime të ngjashme në 2009, 2010, 2011 dhe 2012. Ngjarjet e mbajtura në ambiente të mbyllura që janë planifikuar për EuroPride 2022 nuk mund të ndalohen. Jemi në pritje të vendimit zyrtar ndaj të cilit do të apelojmë.

EuroPride dhe tensionet me Kosovën ishin çështjet kryesore  të diskutuara në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare [11] të thirrur nga presidenti Vuçiç më 10 shtator. Menjëherë Miletiç deklaroi për N1 TV [12] se institucionet shtetërore nuk kanë bazë ligjore për të ndaluar Pride Walk dhe se ajo do të zhvillohet pavarësisht; për më tepër shteti ka përgjegjësi për të mbrojtur pjesëmarrësit nga çdo dhunë.

Rok za to ističe u utorak u 16 časova, što je 96 sati pred šetnju koja je zakazana za 17. septembar. Naš pravni tim je spreman i uložićemo žalbe MUP-u i Upravnom sudu, ukoliko MUP bude zabranio skup…

Afati për publikimin e ndalimit zyrtar përfundon të martën në orën 16:00, 96 orë para fillimit të paradës së planifikuar për më 17 shtator. Ekipi ynë ligjor është i gatshëm të paraqesë ankesa në Ministrinë e Brendshme (MPB) dhe Gjykatën Administrative në rast ndalimi tubimit nga MPB…

Kortezhi fetar me autokolonën e Ujqërve të Natës dhe glorifikimin e Putinit

Një protestë masive që kombinoi një procesion fetar dhe paradë proteste të quajtur “Liturgji për shpëtimin e Serbisë” u mbajt në Beograd të dielën, më 28 gusht. Veprimtaria anti-EuroPride filloi me  zyrtarët e Kishës Ortodokse Serbe që drejtonin protestuesit në lutje. Më pas ata të gjithë marshuan nëpër qytet duke mbajtur ikona të kishës dhe fotografi të presidentit rus Vladimir Putin, të udhëhequr nga autokolona e klubit të motoçiklistëve Night Wolves (Ujqit e Natës), raportoi N1 TV [13].

Peshkopi Nikanor i Banatit nga kisha ortodokse serbe iu drejtua njerëzve që morën pjesë në liturgji, duke përmendur pikëpamjet e Putinit [16] për komunitetin LGBTQ+. Ai e quajti Putinin “carin e sotëm të planetit Tokë”, i cili ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër “anomalive” që kanë lindur në Serbi. Pas lutjeve, pjesëmarrësit ecën nëpër rrugët e Beogradit dhe u drejtuan drejt Katedrales Ortodokse të Shën Savës.

Ujqërit e Natës Serbe janë pjesë e një rrjeti “klubesh” të motoçikletave të themeluar në Rusi me mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë së Putinit [17], duke përhapur mesazhe që promovojnë interesat imperialiste ruse dhe propagandën që i paraqet regjimet autoritare si mbrojtës të vlerave tradicionale që dyshohet se janë të rrezikuara nga korrupsioni liberal perëndimor. Në Ballkanin Perëndimor ata janë përfshirë në aktivitete që minojnë demokracinë në Serbi [18], Bosnjë [19] dhe Maqedoninë e Veriut [20]. Që nga korriku 2022, organizata ruse që ka modeluar Ujqërit e Natës është subjekt i sanksioneve të BE-së [21].

Ana Brnabić, kryeministrja e Serbisë, është një nga personat e paktë të deklaruar LGBTQ+ në vend. Ajo vuri në dukje se shteti nuk dëshiron t'i shkelë të drejtat e askujt të garantuara me Kushtetutë, megjithatë vuri në dukje pasojat e mundshme për Serbinë nga organizimi i EuroPride 2022, siç bën të ditur televizioni serb N1 [22]. Ajo tha:

To je više molba nego što im kažemo: ‘nemojte da šetate’. To je u skladu sa Ustavom, ali je drugo pitanje kakve posledice ima po našu državu. Radi se o tome šta je u ovom trenutku moguće i kako čuvamo našu stabilnost. Meni je žao što je tako, ali nama je ovaj septembar ‘savršena oluja’. Ima tu i stranog faktora koji se svemu tome raduje.”

Është më shumë një lutje sesa një urdhër: “Mos ec”. Është në përputhje me kushtetutën, por një çështje tjetër është se cilat do të jenë pasojat për vendin tonë. Çështja është: çfarë është e mundur në këtë moment dhe si ta ruajmë stabilitetin tonë? Më vjen keq për situatën, por për ne ky shtator është si një “stuhi e përsosur”. Ka një faktor të huaj në këtë, që është shumë i lumtur që kemi këtë situatë”.

Ndikimi keqdashës rus po rrit tensionet

Gazeta e përditshme Danas raportoi [23] se analisti politik serb Dushan Janjiq komentoi në TV serb Prva se prania e klubit të motoçiklistëve Night Wolves në protestën e 28 gushtit kundër EuroPride tregon se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU [24] ishte pas tyre.

Ai tha gjithashtu se lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj janë një mundësi që Serbia të heqë qafe ndikimin e Kremlinit duke “korrigjuar” politikën e saj të jashtme dhe varësinë e saj nga eksportet e energjisë ruse. Ai la të kuptohej se, për të parandaluar kthesën pro-BE, forcat pro-Kremlinit nxisin konflikte të brendshme duke mbështetur ngjarje përçarëse si procesioni i liturgjisë.

Në vitin 2020, protesta të ngjashme klerikale të nxitura nga Kisha Ortodokse Serbe çuan në rënien e qeverisë pro-Bashkimit Evropian në Malin e Zi.

Protestat homofobike të ngjashme [25] me ato në Beograd u zhvilluan edhe në qytete të tjera serbe dhe shihen gjerësisht si një nxitje për partitë opozitare më radikale të krahut të djathtë. Ndërsa ndajnë ideologji të ngjashme nacionaliste serbe me qeverinë e Partisë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiçit, ato duan të zëvendësojnë administratën e tij duke synuar votuesit konservatorë me retorikë më ekstremiste.

Qeveria serbe me të vërtetë ka balancuar veprimet midis synimit të saj për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe politikës për të mbajtur “një aleancë tradicionale” me Rusinë. Ka pasur tension të dukshëm: në fund të gushtit, zv/presidentja Zorana Mihajloviç tha [26] se ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kishte manipuluar faktin se Serbia nuk vendosi asnjë sanksion ndaj Rusisë dhe e kishte keqinterpretuar këtë vendim sikur Serbia mbajti anën kundër Ukrainës.

Siç raporton [27] N1, Ministria e Punëve të Jashtme ruse i tha Mihajloviçit se ajo nuk ishte e njohur mirë me realitetin e marrëdhënieve midis të dy vendeve, duke deklaruar: “Ne kemi një mirëkuptim të plotë të ndërsjelltë me Serbinë për çështjet aktuale në axhendën ndërkombëtare”.

Ndërkohë përdoruesit e mediave sociale kanë shpërndarë video nga një aktivitet në mbështetje të “vlerave familjare” në Serbi që u mbajt në Moskë.

Protesta sot në Moskë si mbështetje për vlerat tradicionale në Serbi. Vetëm në rast se dikush kishte dyshime se kush qëndron pas gjithë kësaj.

Qeveria serbe mbetet e palëkundur në vendimin e saj

Ndërkohë, Vuçiç tha se tashmë është miratuar vendimi për anulimin e EuroPride. Nuk do të ketë ndryshime në lidhje me vendimin dhe, ai shtoi se “Nuk do të ketë as përleshje, as përplasje”, duke paralajmëruar se kushdo që do të veprojë dhunshëm do të arrestohet, transmetoi [30] N1 TV më 30 gusht.

Vendimi për organizimin e EuroPride 2022 në Beograd u mor në shtator 2019  nga Shoqata e Organizatave Evropiane të Krenarisë (EPOA [31]). Mijëra njerëz nga e gjithë Evropa pritet të mbërrijnë në kryeqytetin serb për të marrë pjesë në këtë aktivitet.

Presidentja e EPOA-s, Kristine Garina tha [32] se as ata dhe as organizatori vendas Belgrade Pride [33] nuk do të anulojnë EuroPride-n e Beogradit dhe se e drejta për ta organizuar atë është një e drejtë themelore e njeriut, ndërsa ndalimi i saj paraqet shkelje të neneve 11, 13 dhe 14 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut [34], të cilën Serbia e ka ratifikuar.

Garina tha gjithashtu se EuroPride nuk ka marrë asnjë financim nga qeveria serbe, ndërsa do të sjellë të ardhura shtesë të konsiderueshme turistike për ekonominë serbe. Kjo do të tregojë gjithashtu se Serbia është një vend progresiv dhe mikpritës evropian.

Ndërkohë, shërbimi i BBC [35] në gjuhën serbe raporton se personat që morën pjesë në protestat homofobike kanë njoftuar se do të mblidhen sërish në Beograd në ditën e planifikuar të Pride Walk.