Bashkimi Evropian vazhdon të zvarrisë liberalizimin e vizave për Kosovën

Newborn monument in Prishtina, capital of Kosovo.

Monumenti “Newborn” në Prishtinë. Foto nga John Worth, CC BY 2.0, e disponueshme gjithashtu nëpërmjet Wikimedia Commons.

Ky artikull u botua fillimisht nga Faktoje.al, një organizatë që kontrollon faktet në Shqipëri, si pjesë e nismës rajonale Western Balkans Anti-Dezinformation Hub. Një version i redaktuar ribotohet nga Global Voices, me lejen e tyre.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian u takuan më 23 qershor për të diskutuar procesin e zgjerimit të BE. Megjithatë, pas takimit, nuk pati asnjë lëvizje për vendimin për të lejuar udhëtimin pa viza në zonën Shengen për qytetarët e Kosovës.

Shtetasit e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës në Ballkanin Perëndimor kanë vite që gëzojnë udhëtimin pa viza në zonën Shengen. Edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia nuk kanë nevojë për viza që qytetarët e tyre të udhëtojnë.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën filloi më 19 shkurt 2012. U deshën gjashtë vite dhe në vitin 2018, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian ranë dakord që Kosova kishte përmbushur dy kërkesat e fundit për liberalizimin e vizave. Në katër vjet që nga ajo kohë, Këshilli Evropian nuk e ka miratuar heqjen e vizave. Pengesë kryesore mbetet ndër të tjera edhe kundërshtimi i Francës dhe Holandës, pasi qeveritë e të dyja vendeve frikësohen se mund të ketë një fluks emigrantësh nga Kosova sapo të bëhet liberalizimi i vizave.

Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varhelyi deklaroi më 27 qershor, pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, se nevojitet një udhërrëfyes i ri për liberalizimin e vizave për Kosovën:

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën, së bashku me shtetet anëtare, të krijojnë një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat policore duhet të angazhohen në terren për të ndihmuar Kosovën. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t'i japim Kosovës të gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”.

Por Komisioni Evropian reagoi shpejt përmes zëdhënëses së tij, Ana Pisonero duke garantuar se nuk ka udhërrëfyes të rinjdhe se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave:

“Komisioni vazhdon të qëndrojë pas vlerësimit të korrikut 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave të vitit 2012… Vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është një vendim i vonuar, i cili është në pritje në Këshill.”

Vonesa në liberalizimin e vizave ka kontribuar në përhapjen e shumë spekulimeve, të cilat, kur merren në vlerë nominale, shpesh përbëjnë dezinformatë. Disa shpjegime të tilla të paargumentuara përshtaten brenda teorive para-ekzistuese të konspiracionit që tashmë janë pjesë e folklorit politik në Ballkan, duke përforcuar narrativa që e portretizojnë Perëndimin si të pasinqertë dhe me axhenda të fshehura.

Nga e majta në të djathtë: Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron. Foto nga Bashkimi Evropian, për përdorim publik.

Bëhet fjalë vetëm për vizat?

Këshilli Evropian në fakt rikonfirmoi se duhet të arrihet urgjentisht përparim i prekshëm për çështjet e pazgjidhura dhe mosmarrëveshjet rajonale, veçanërisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ku përmes dialogut mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008. Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe vazhdon ta quajë atë si Krahinë të saj Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Në fillim nuk kishte fare kontakt mes dy palëve; megjithatë, në vitet në vijim është rritur dialogu dhe bashkëpunimi mes tyre.

Analisti nga Kosova Gazmir Raci thotë për Faktoje se BE-ja tashmë e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave me dialogun Kosovë-Serbi, sepse në konkluzionet e samitit është përmendur vetëm dialogu dhe rëndësia për progres:

“Kushti i vetëm është dialogu, pasi kancelari gjerman Olaf Scholz tha në Beograd dhe Prishtinë se BE-ja nuk do të pranojë shtete që nuk kanë njohur njëri-tjetrin, apo shtete me probleme mes tyre. Duhet të zgjidhim problemet mes nesh, të marrim liberalizimin e vizave dhe më pas statusin e kandidatit. Por kjo nuk është e drejtë, sepse asnjëherë nuk kemi pasur dialogun si kusht për liberalizimin e vizave”.

Një argument tjetër i artikuluar kryesisht nga komentuesit në rrjetet sociale, por jo vetëm nga ata, është se Kosova nuk po merr liberalizimin e vizave për shkak se ka popullatë shumicë myslimane. Këtë teori e hedh poshtë Raci, i cili thotë:

“Edhe pse është folur edhe për këtë, unë nuk besoj në tezën se nuk liberalizohen vizat për Kosovën sepse është një vend me shumicë myslimane. Është një argument që nuk qëndron, sepse edhe Bosnja dhe Hercegovina ka popullsi myslimane, por ka përfituar nga liberalizimi i vizave”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.