- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Sulmet e përsëritura kibernetike në Ballkanin Perëndimor theksojnë nevojën për një qasje të organizuar ndaj sigurisë

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Irani, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Media e qytetarëve, Qeverisja, Teknologjia

Shërbimet e e-Albania [1] u pezulluan nga sulmi kibernetik.

Ky artikull u botua fillimisht nga Faktoje.al [2], një organizatë që kontrollon faktet në Shqipëri, si pjesë e nismës rajonale Western Balkans Anti-Dezinformation Hub. Një version i redaktuar ribotohet nga Global Voices, me lejen e tyre.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkoi në Bruksel për konferencën [3] e parë ndërqeveritare me BE-në, më 19 korrik 2022, në një kohë kur faqet e internetit dhe shërbimet e institucioneve publike po përballeshin me një sulm kibernetik, i cili sipas Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit [4], filloi pasditen e së premtes së 15 korrikut.

Shqiptarët nuk ishin në gjendje të përdornin shumë shërbime qeveritare pasi serverët kryesorë dolën jashtë funksionit [5]. I pyetur në Bruksel nëse Rusia qëndron pas sulmit, Rama tha se nuk mund të thotë nëse Rusia ishte apo jo pjesë e kësaj loje. Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Rama deklaroi në një konferencë për shtyp [6] më 21 korrik se dyshime të forta bien mbi dy shtete, por nuk përmendi asnjë emër:

“Ne ende nuk i kemi të gjitha provat për të përcaktuar një nga dy vendet e dyshuara fort, shpresoj ta bëjmë në të ardhmen, kjo është pjesa më delikate e hetimit”.

Rama sqaroi në korrik se sulmi më në fund është zmbrapsur dhe ndërkohë janë rikthyer masivisht shërbimet për publikun në platformën e-Albania [7].

Eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, thotë për Faktoje se ky është një sulm i mirëorganizuar dhe i sponsorizuar nga një shtet armiqësor ndaj Shqipërisë. “Patjetër që hapat drejt integrimit evropian dhe të qenit pjesë e NATO-s janë një nga shkaqet kryesore”, thotë ai.

Pothuajse dy muaj më vonë, Microsoft, i cili ishte angazhuar nga qeveria shqiptare për të udhëhequr një hetim [8] mbi sulmet, tha se Irani qëndronte pas tyre:

Microsoft vlerësoi me besim të lartë se më 15 korrik 2022, aktorë të sponsorizuar nga qeveria iraniane kryen një sulm kibernetik shkatërrues kundër qeverisë shqiptare, duke dëmtuar faqet e internetit të qeverisë dhe shërbimet publike. Në të njëjtën kohë, dhe përveç sulmit shkatërrues kibernetik, MSTIC vlerëson se një aktor i veçantë i sponsorizuar nga shteti iranian ka nxjerrë informacione të ndjeshme që ishin marrë muaj më parë.

Qeveria shqiptare, më 7 shtator, i dha stafit të ambasadës iraniane 24 orë për t'u larguar nga vendi për shkak të sulmit të madh kibernetik për të cilin fajësoi Iranin. Është ky rasti i parë i njohur i një vendi që ndërpret marrëdhëniet diplomatike për shkak të një sulmi kibernetik. Stafi diplomatik zbatoi vendimin [9].

Sulmet kibernetike në Ballkanin Perëndimor

Vendet e Ballkanit Perëndimor në të kaluarën janë sulmuar nga hakerat, të cilët janë përpjekur të pezullojnë punën online të institucioneve publike. Më 26 shkurt, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi [10] se ka ndodhur një sulm “phishing” në shkallë të gjerë, por që nuk ka bllokuar informacione apo të dhëna.

Edhe pse në këto dy vitet e fundit Maqedonia e Veriut ka pasur disa raste sporadike të sulmeve kibernetike, ai që konsiderohet si më e rëndi në vend është sulmi [11] (DDoS) i 15 korrikut 2020. Ishte ditë zgjedhjesh dhe publiku ishte në pritje të rezultateve. Faqja zyrtare e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është bllokuar menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve. Fillimisht u mendua se ishte një problem i vogël teknik, por rezultatet e zgjedhjeve nuk u gjetën askund në faqen e internetit, me komisionin që u detyrua të shpallte manualisht përditësimet më të fundit në një kanal YouTube.

“Duhet të kuptojmë se në ditët e sotme sulmet kibernetike janë bërë diçka normale me të cilën duhet të jetojmë çdo ditë. Jo vetëm Kosova dhe Shqipëria, por një numër i madh i vendeve janë nën sulme kibernetike. Arsyet mund të variojnë nga ato politike dhe shantazhuese në monetare”, thotë eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj.

Gjatë viteve të fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të forcuar qëndrueshmërinë kibernetike të rajonit, thotë EU Cybernet [12], një projekt i financuar nga BE. Strategjia e Sigurisë Kibernetike e Brukselit për Dekadën Dixhitale (2020) thotë se Ballkani Perëndimor është një zonë fokusi për ndërtimin e kapaciteteve kibernetike të BE-së.

Forumin e Sigurisë Dixhitale të Ballkanit Perëndimor [13] të mbajtur në qershor në Talin, Estoni, u theksua se besimi në transformimin dixhital dhe shërbimet elektronike ndërtohet tërësisht mbi sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave. Meqenëse kërcënimet kibernetike, nga natyra, rrallë prekin vetëm një organizatë në të njëjtën kohë, parandalimi dhe reagimi ndaj incidenteve kibernetike bëhet i vështirë nëse nuk ka ekipe të dedikuara të pajisura me mjetet dhe proceset e duhura.