Fotografia nga Gular Abbasova. Përdoret me leje sipas marrëveshjes së partneritetit.
Ky artikull u publikua për herë të parë në Chaikhana Media. Një version i redaktuar është ripublikuar këtu sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen.
Ashtu si në shumë kultura lindore, në Azerbajxhan, prindërit u ofrojnë vajzave të tyre një pajë me sende shtëpiake, mobilje dhe veshje për të t'i pasur gjatë jetës së tyre.
Tradita e pajës në Azerbajxhan daton me shekuj. Në shekullin e 19-të, familjet u jepnin çifteve të sapomartuara batanije, dyshekë, jastëkë, mbulesa tavoline të endura me dorë dhe sende të tjera të vogla shtëpiake. Sipas Mahabbat Pasayeva, autor i Zakoneve dhe Besimeve të Azerbajxhanit (shek. 19 dhe 20):
Para së gjithash, ishte e rëndësishme të përgatitej (mbledhja e sendeve) një sënduk pajë për nusen në Azerbajxhan. Pjesa më e vlefshme e pajës së nuses, fustani i nusërisë, bizhuteritë prej argjendi, mbulesat e kokës dhe sendet e tjera me vlerë mblidheshin në arkën e dasmës, e cila ishte një alternativë ndaj llojeve të mobiljeve. Më parë, familjet më të pasura ndonjëherë i jepnin vajzës së tyre tokë si prikë, përveç sendeve shtëpiake, batanijeve dhe bagëtive.
Gjatë epokës sovjetike (konkretisht 1970-1980), familjet ishin të interesuara të blinin mallra të importuara për prikën që nuk ishin të disponueshme për t'u shitur në dyqanet e zakonshme, por ishin të arritshme për ata që kishin para për të shpenzuar, sipas sociologes Lala Mehrali:
Dyqanet e mëdha kishin mallra nëpër depo që nuk ishin për tu shitur. Ato bliheshin gjithashtu nga të pasurit si prikë për vajzat e tyre. Në vitet '90, pas viteve [të para] të pavarësisë dhe luftës së parë të Karabakut, të ardhurat e përgjithshme të familjeve u ulën dhe megjithëse u përpoqën të mblidhnin një prikë për vajzat e tyre, kjo krijoi një lloj vështirësie financiare për familjen.
Tradita vazhdon edhe sot, megjithëse madhësia e pajës varet nga mundësitë financiare të familjes. Disa fillojnë të krijojnë një prikë kur vajzat e tyre janë shumë të vogla dhe ngadalë shtojnë sende me kalimin e viteve. Madhësia dhe vlera e prikës kanë rëndësi për disa komunitete, ku vajzat me prikë të vogël mund të mos pranohen nga vjehërrit e tyre. Disa familje madje marrin hua para që t'u japin vajzave të tyre një pajë që do të respektohet nga të afërmit e burrit të tyre.
Përpara pandemisë së COVID-19, ishte e rrallë që dikush të martohej pa zhvilluar dasmën. Por për shkak të kufizimeve për grumbullime të mëdha dhe vështirësive financiare të njerëzve, zakonet e reja u bënë të zakonshme. Njerëzit filluan të organizonin festa të vogla në vend të dasmave të mëdha dhe të porsamartuarit – veçanërisht ata që tashmë janë ekonomikisht të pavarur nga prindërit e tyre – filluan t'i shmangnin prikat tradicionale në favor të dhuratave më praktike të dasmës.
Ky trend solli një shtysë për traditat e reja: praktikat e prikës duket se po zbehen për shkak të sfidave ekonomike, mes një rritjeje të inflacionit ndërkombëtar, sanksioneve ndaj Rusisë dhe një recesioni të mundshëm. Ky projekt fotografik eksploron se si po ndryshojnë pikëpamjet për prikat tradicionale.
Sara, 17 vjeç, fshati Kurdakhani. Fotografia nga Gular Abbasova. Përdoret me leje sipas marrëveshjes së partneritetit.
Sara: Nëna ime ka blerë sende për pajën për mua që kur isha fëmijë. Enët, lugët, tenxhere, mbulesa tavoline, llamba… Nuk kam ende në plan të martohem, po mendoj për shkollimin tim. Unë jam duke u përgatitur për provime. Por çfarë mund të bëhet?! Si të gjitha nënat, ajo është mësuar me të. Ky është zakon për të gjithë të afërmit dhe fqinjët tanë, në fshatin tonë. Është e zakonshme që prindërit të blejnë sende për prikën për vajzat e tyre që në moshë të vogël. Nëna ime mendon se nëse do ta ndërtojë pajën ngadalë, do të jetë më lirë. Por gjithçka ndryshon me kalimin e kohës. Traditat gjithashtu.
Global Voices mbështetet nga përpjekjet e kontribuesve tanë vullnetarë, fondacioneve, donatorëve dhe shërbimeve të lidhura me misionin. Për më shumë informacion ju lutemi lexoni faqen e Etikës për mbledhjen e fondeve